BALLKANI

“Cilësia e derivateve ka rëndësi për një ambient të pastër”

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka prezantuar raportin e auditimit të performancës “Sistemi i kontrollit dhe monitorimit të cilësisë së derivateve të naftës”

Agim Sulaj  | 12.11.2019 - Përdıtësım : 13.11.2019
“Cilësia e derivateve ka rëndësi për një ambient të pastër”

Prishtinë

Sistemi ekzistues i kontrollit dhe monitorimit të cilësisë së naftës në Kosovë nuk është në gjendje të sigurojë cilësinë e produkteve të naftës nga importet dhe tregu i brendshëm, sipas një raporti të publikuar të martën nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën e organizuar në Prishtinë ku u publikua raporti "Sistemi i kontrollit dhe monitorimit të cilësisë së derivateve të naftës”, u tha se Laboratori i Doganës ka testuar parametra që kanë të bëjnë me derivate të naftës për të cilët nuk ka qenë i akredituar dhe nga muaji prill i vitit 2019 ka kryer testime pa akreditim.

Ndihmës-auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca, tha se objektiv i këtij raporti ka qenë monitorimi i cilësisë së ajrit në Kosovë.

“Cilësia e derivateve ka rëndësi për një ambient të pastër dhe për këtë, ZKA është motivuar ta kryej këtë auditim. ZKA ka angazhuar edhe ekspertin e fushës për ta kryer këtë auditim. Pa bashkëpunimin e doganës dhe Ministrisë së Tregtisë, ky auditim nuk do të ishte i mundur”, tha ajo.

Në raport thuhet se Dogana e Kosovës është përgjegjëse për importimin e produkteve të naftës, ndërsa Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për mbikëqyrjen e tyre në tregun e brendshëm.

Drejtuesi i ekipit që përgatiti raportin, Drilon Shala, citoi disa nga gjetjet, të tilla si mungesa e organeve të inspektimit në marrjen e mostrave dhe mungesa e informacionit.

“Ka pasur mungesë të trupave inspektuese në marrjen e mostrave dhe mungesë të informatave. Trupa inspektuese ka përdorur aplikim të standardit të dyfishtë dhe kjo nuk ka ofruar siguri. Pasojat e mungesës së monitorimit nuk janë të vogla sepse trupi inspektues ka marrë masa pa autorizim", tha ai.

Sipas gjetjeve, Dogana e Kosovës ka arritur të kontrollojë një mesatare prej 5 për qind të importeve të produkteve të naftës në vit, si dhe të kthejë të gjitha rastet që nuk përputhen me vendet eksportuese.

Megjithatë, përkundër përpjekjeve për të përmirësuar kontrollet, Dogana nuk ka arritur të përmirësojë kontrollet për shkak të mungesës së raporteve të testimit laboratorik, mungesës së informacionit për punën e organeve të Inspektoratit, mungesës së akreditimit të laboratorëve doganorë dhe një numri të vogël të parametrave të testuar kundër standardeve evropiane.

Gjatë vitit 2019, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë arriti të rrisë ndjeshëm numrin e kontrolleve në krahasim me vitin 2017 dhe 2018, dhe në nëntë muajt e parë të këtij viti, u kryen kontrolle në 38 përqind të pikave të shitjes së produkteve të naftës në tërë Kosovën.

Myrvete Gashi, drejtore e Departamentit të Auditimit, tha se raporti renditi 22 rekomandime për përmirësimin e kontrolleve, shtatë prej të cilave për Doganat dhe 15 për Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.