BALLKANI

Cakaj: Turqia është një nga aleatët më të vyer në NATO

Ministri Çavuşoğlu, u takua me ministrin në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ndërsa në përfundim të takimit mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat, ku u fokusuan në marrëdhëniet mes dy vendeve

Fatjon Cuka   | 12.02.2020
 Cakaj: Turqia është një nga aleatët më të vyer në NATO ( Fatih Aktaş - Anadolu Agency )

Tiranë

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, po realizon një vizitë zyrtare në Shqipëri, duke u takuar me drejtues të lartë të vendit, ndërsa mes dy vendeve janë nënshkruar edhe disa marrëveshje, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë ditës së sotme, ministri Çavuşoğlu, u takua me ministrin në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ndërsa në përfundim të takimit mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat, ku u fokusuan në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Ministri Cakaj në fillim të fjalës së tij duke iu referuar ndihmës së Turqisë pas tërmetit të 26 nëntorit në Shqipëri tha se mbështetja e ofruar nga Turqia do të vlerësohet shumë lart dhe do të mbahet mend shumë gjatë. Gjithashtu ai shprehu ngushëllimet për viktimat nga tërmeti dhe orteku në Turqi.

"Marrëdhëniet e qëndrueshme mes dy vendeve tona janë të rrënjosura thellë jo vetëm me lidhjet historike, por edhe të mirëvendosura në një rrafsh ndërveprimi dypalësh, bashkëpunimi konstruktiv në organizata ndërkombëtare dhe partneritetin strategjik në NATO. Në këtë kuptim, deklarata për krijimin e Këshillit të Nivelit të Lartë të Bashkëpunimit që do të firmoset shumë shpejt mes krerëve të të dy vendeve do të forcojë edhe më tej përmbajtjen e bashkëpunimit strategjik dhe do të zgjerojë përmasat e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Turqisë", u shpreh Cakaj.

Cakaj tha se me ministrin Çavuşoğlu, kanë diskutuar për rëndësinë e bisedimeve sipas tij shumë të frytshme nga mbledhja e fundit e komisionit të përbashkët ekonomik të mbajtur në janar në Ankara dhe domosdoshmërinë e angazhimit në fushën ekonomike tregtare, "për të shfrytëzuar plotësisht potencialin madhor që eksiton mes dy vendeve tona".

"Në takim po ashtu nënvizuam rëndësinë e përmirësimit të cilësisë së bashkëpunimit rajonal, të mbështetur fort në parimet e fqinjësisë së mirë e gjithpërfshirshmërisë në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit demokratik si parakushte për vazhdim të rrugëtimit tonë drejt Bashkimit Evropian. Në këtë drejtim duhet veçanërisht ta vlerësojmë mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë për Republikën e Kosovës, qoftë në përpjekjen e saj për forcim të pozicionit ndërkombëtar qoftë në proceset e anëtarësimit në organizata shumëpalëshe", u shpreh ministri Cakaj.

Turqia është një nga aleatët më të vyer në NATO sa i përket kontributeve të saj tepër të rëndësishëm në aleancën Atlantike, tha më tej Cakaj.

Ai shtoi se "Prej shumë vitesh, ushtarakët tanë kanë shërbyer krah në krah në Afganistan në mbështetje të përpjekjeve të bashkësisë ndërkombëtare për të sjellë paqe dhe siguri në atë vend. Turqia po ashtu vazhdon të jetë një ndër kontribuuesit kryesorë në KFOR në Kosovë duke mbështetur sigurinë e Kosovës, stabilitetin e rajonit për më shumë se 20 vite. Ne po ashtu njohim shqetësimet e sigurisë së Turqisë në zonën e saj kufitare me Sirinë veriore dhe po ashtu njohim kontributin madhor të Turqisë dhe faktin se ka mbajtur me zemërgjerësi barrën e miliona refugjatëve sirianë në territoret e saj".

Cakaj theksoi në fund se nga pikëpamja e konsolidimit të sigurisë kombëtare dhe rajonale në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Turqisë është i vyer.

Për procesin e negociatave me Greqinë, për çështjet e hapura mes dy vendeve, Cakaj tha se “Lidhur me çështjen marrëveshjes së detit me Greqinë, dua të nënvizoj se Shqipëria është e përkushtuar të mbyllë të gjitha çështjet dypalësheve me vendet fqinje në rajon.”

Mes Turqisë dhe Shqipërisë nënshkruhen disa marrëveshje

Pas takimit në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, mes palëve u nënshkruan tre dokumente.

Ndërmjet dy ministrive është nënshkruar deklarata e përbashkët për rritjen e përpjekjeve e bashkërendimin e qëndrimeve në kuadër të organizatave ndërkombëtare në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve ilegale, ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

Turqia dhe Shqipëria kanë nënshkruar edhe marrëveshjen për “Njohjen e ndërsjellë dhe shkëmbimin e lejeve të drejtimit(patentave të shoferëve)", e cila ka si qëllim të lehtësojë lëvizjen dhe do të eliminojë barrierat administrative dhe burokratike për përdorimin e lejeve të drejtimit mes dy vendeve.

Gjithashtu është nënshkruar edhe memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet akademive diplomatike të ministrive të jashtme të të dy vendeve për shkëmbimin e diplomatëve, që synon të shërbejë në rritjen e kapaciteteve profesionale dhe shtimin e mundësive të këmbimit të përvojave mes dy vendeve.













Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın