BALLKANI

“BE do të vazhdojë të jetë në krah të Shqipërisë”

Rama dhe Lenarčič, në një deklaratë për mediat u fokusuan tek mbështetja e Bashkimit Evropian, për fazën e rindërtimit, pasi të kenë përfunduar vlerësimet e dëmeve materiale që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit

Fatjon Cuka  | 05.12.2019 - Përdıtësım : 06.12.2019
“BE do të vazhdojë të jetë në krah të Shqipërisë” ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

Vorë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe komisioneri i Bashkimit Evropian (BE) për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarčič, kanë vizituar çadrat e ngritura nga autoritetet italiane në pikën e emergjencës në Bashkinë e Vorës të Qarkut Tiranë, ku janë strehuar dhjetëra familje që u prekën nga tërmeti i 26 nëntorit, raporton Anadolu Agency (AA).

Rama dhe Lenarčič, në një deklaratë për mediat u fokusuan tek mbështetja e BE-së për fazën e rindërtimit, pasi të kenë përfunduar vlerësimet e dëmeve materiale që shkaktoi tërmeti.

“Komisioni Evropian është i angazhuar për të pasur një raport të detajuar të postkatastrofës”

Kryeministri i Shqipërisë theksoi se presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është angazhuar për të pasur një raport të detajuar të postkatastrofës dhe sipas tij, mbi bazën e atij raporti do të vihet në lëvizje mekanizmi i financimit të BE-së për rindërtimin.

"Dje në samitin e NATO-s unë kam marrë nga gjithë liderët e pranishëm shprehjen e gatishmërisë për të marrë pjesë në një konferencë të madhe donatorësh për të mundësuar mbledhjen e fondeve nga shtetet dhe jo thjeshtë nga Bashkimi Evropian. Po mbrëmë, presidentja e Komisionit ma ka konfirmuar se Komisioni Evropian do të jetë koordinatori i kësaj konference të madhe donatorësh, që së shpejti do të dimë se ku do të bëhet dhe kur do të bëhet. Unë kam kërkuar jo më larg se janari", u shpreh Rama.

Rama tha se fondi i dhënë nga BE-ja është vetëm një fond i parë dhe për një fazë paraprake, i cili sipas tij nuk është fondi i përgjithshëm i mbështetjes nga BE.

"Bashkimi Evropian do të vazhdojë të jetë në krah të Shqipërisë”

Komisioneri Lenarčič tha se vizita e tij është provë e solidaritetit të BE-së me Shqipërinë në këto moment të vështira.

“Ne qëndrojmë pranë Shqipërisë, krah më krah me ju, në këto momente të vështirë, pas kësaj fatkeqësie natyrore. Ne natyrisht e kemi të qartë çfarë ka ndodhur pas tërmetit. Bashkimi Evropian reagoi në mënyrë të menjëhershme, ku ekipet tona erdhën në Shqipëri, që të martën javës së kaluar, natyrisht pas kërkesës zyrtare të Qeverisë së Shqipërisë. Kemi dhënë asistencën tonë që atë ditë dhe në vijim. Asistenca jonë ka qenë edhe me anën e ekipeve të kërkim-shpëtimit, ku kjo ka qenë faza e parë e cila tashmë ka përfunduar", tha komisioneri evropian.

Ai theksoi më tej se faza e dytë është faza e vlerësimit të dëmeve, që sipas tij, do të çojë në një fazë të tretë, atë të rindërtimit.

"Bashkimi Evropian do të vazhdojë të jetë krah jush. Ne vazhdojmë që të japim asistencën tonë, kjo për arsye se Shqipëria është pjesë e Evropës dhe vend kandidat dhe ne nuk do t'iu zhgënjejmë. Ne do të vazhdojmë të japim mbështetjen tonë edhe në fazën e tretë, e cila do të jetë faza e rindërtimit”, tha Lenarčič.

Komisioneri i BE-s-së u shpreh se "Ashtu siç e tha edhe dje presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Komision Evropian ka kaluar mënjanë një shifër prej 15 milionë eurosh në mënyrë që t’i vijë në ndihmë Shqipërisë si pjesë e parë për fazën e rindërtimit". 

Tërmeti në Shqipëri

Tërmeti me magnitudë 6,3 ballë që goditi Shqipërinë më 26 nëntor, përveçse shkaktoi 51 persona të vdekur dhe qindra të plagosur, shkaktoi edhe dëme të konsiderueshme materiale. Si pasojë e tërmetit janë shkatërruar dhe dëmtuar pallate, shtëpi, monumente kulturore, shkolla, objekte të institucioneve, ndërsa vendi u godit në ditët e fundit edhe nga disa tërmete të tjera.

Sipas të dhënave zyrtare paraprake nga Zyra Qendrore e Operacioneve për Menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore, në zonat e prekura nga tërmeti rezultojnë 1.183 shtëpi të shembura, 5.497 shtëpi dhe 558 pallate të dëmtuara rëndë, 3.567 shtëpi dhe 337 pallate të dëmtuara lehtë dhe 28 shkolla të dëmtuara. Po sipas të dhënave të kësaj zyre, 913 persona janë trajtuar në spitale.

Nga ana tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave konfirmoi se përsa i përket strehimit të përkohshëm mbi 4.000 persona janë strehuar në hotele, ndërsa shifra e përafërt e atyre që janë në çadra është 6.523 persona.

Rama gjatë kësaj mbledhje po ashtu është shprehur se me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, të dielën do të marrin pjesë në, siç tha ai, "konferencën e madhe të investitorëve në Stamboll, investitorë nga vende të besimit musliman, të cilëve do t’u adresohet një mesazh i veçantë”.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.