BALLKANI

“Bashkëpunimi dhe solidarizimi i Turqisë me Shqipërinë do të mbetet gjithmonë"

Një prej shembujve që një pjesë të shkollimit e ka kryer në Turqi dhe që ka spikatur me karrierën në Shqipëri është edhe kryetari i Bashkisë së Shijakut, Elton Arbana

Fatjon Cuka   | 27.11.2020
“Bashkëpunimi dhe solidarizimi i Turqisë me Shqipërinë do të mbetet gjithmonë" Foto: Olsi Shehu / AA - Kryetari i Bashkisë së Shijakut në Shqipëri, Elton Arbana

Tiranë

Ashtu si në të gjitha vendet e Ballkanit, edhe për të rinjtë e Shqipërisë, Turqia mbetet vend i preferuar për të kryer studimet në nivele të ndryshme, duke filluar nga arsimi i mesëm deri tek arsimi i lartë dhe pasuniversitar.

Shumë prej studentëve shqiptarë që janë diplomuar në Turqi spikasin me karrierën që vazhdojnë në vendin e tyre në poste të larta në administratën qendrore, në drejtimin e bashkive në vend, në kompani dhe institucione të ndryshme arsimore, duke sjellë edh eksperiencat e tyre nga Turqia.

Një prej shembujve të tillë që një pjesë të shkollimit e ka kryer në Turqi është edhe kryetari i Bashkisë së Shijakut në Shqipëri, Elton Arbana, i cili prej më shumë se një viti drejton këtë institucion si i zgjedhur nën siglën e Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Arbana i cili ka lindur në Shijak në një intervistë për Anadolu Agency (AA) flet për shkollimin në shtetin turk, lidhjet që mban aktualisht me Turqinë, marrëdhëniet mes dy vendeve, si dhe nismën e tij për t'i mësuar edhe gjuhën turke stafit të bashkisë që ai drejton.

Arbana ka vazhduar studimet në Turqi në vitet 1999-2003 dhe pas kthimit në Shqipëri ka kryer edhe studimet e larta për drejtësi, ndërsa thekson se detyrën si kryebashkiak e ka nisur me energji për të punuar më shumë për qytetin e tij dhe me vizionin e një të riu për të ndryshuar gjërat pozitivisht.

Ai thekson se nisja e studimeve në Turqi ka qenë një dritare më shumë drejt dijes dhe shton se katër vitet në Turqi i kanë ndryshuar mënyrën e të menduarit, të kuptuarit dhe vepruarit.

"Lidhjet e mia kanë vazhduar dhe vazhdojnë edhe në ditët e sotme. Jo më larg se dje (24 nëntor - Dita Kombëtare e Mësuesve në Turqi) unë kam uruar shumë mësues me rastin e ditës së mësuesve. Kam kontakte edhe me studentë të tjerë shqiptarë që vazhdojnë dhe jetojnë në Turqi. Çdo dy ose tre vite familja ime bashkë me mua vizitojmë Turqinë, për vizita edhe tek disa shokë që unë kam ruajtur marrëdhëniet që i kam në Turqi", shprehet ai.

Kryebashkiaku vlerëson se Turqia ka një sistem arsimimi korrekt dhe thekson se, "Të gjithë këto të rinj dhe të reja që kanë dalë nga sistemi arsimor turk sot ne i shikojmë nëpër vende punë dhe dikastere të ndryshme, çka do të thotë se ekuivalenca e sistemit turk me atë evropian besoj që është në nivelet e larta".

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë ai i vlerëson se janë në nivelin e duhur, duke theksuar më tej se, "Ne sot mund të shikojmë që shtetit turk po investon në Bashkinë e Kurbinit me rreth 500 banesa individuale dhe banesat kolektive, çka do të thotë se marrëdhëniet mes dy vendeve janë në nivelin e duhur dhe bashkëpunimi dhe solidarizimi i shtetit turk me atë shqiptar ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë".

Kreu i Bashkisë së Shijakut prej disa muajsh ka ndërmarrë një nismë për t'u mësuar turqisht, por edhe anglisht punonjësve të bashkisë që ai drejton, sipas tij me qëllimin që stafi i bashkisë dhe qytetarët e Shijakut të kenë mundës që të dinë një gjuhë më tepër plus atyre gjuhëve që ata dinë dhe që kanë mundësi t’i mësojnë në kurset që frekuentojnë.

Në lidhje me këtë nismë, ai shprehet se: "Të mësosh një gjuhë do të thotë të jesh një personalitet. Çdo gjuhë që mësohet do të thotë që të jesh dhe një person plus personit që je. Iniciativa ime ishte të mësonin nga një fjali në çdo javë, jo vetëm në turqisht, por në turqisht dhe në anglisht. Çdo javë në Bashkinë e Shijakut mësojmë nga një fjali në turqisht dhe një në anglisht".

Sa i përket punës si kryebashkiak përveç angazhimit për të sjellë risi në institucion që ai drejton, Arabana përmend edhe fatkeqësitë natyrore dhe pandeminë, që sipas tij "duke u përballë me gjithë këto fatkeqësi gjërat vështirësohen edhe më shumë për një kryebashkiak dhe për stafin e bashkisë". 

"Shqipëria me Turqinë kanë marrëdhënie goxha të mira"

Në këtë bashki edhe këshilltari i kryebashkiakut Arbana dhe drejtori i çështjeve të integrimit evropian, Eldorado Demo, ka kryer studimet në Turqi, ndërsa ai sot siç thekson ndihet krenar për shkollimin e tij dhe që kontribuon për qytetarët. Ai ka studiuar fillimisht në një lice në vitet 2004-2008 dhe pastaj në Universitetin Ushtarak në Tuzla të Stambollit (Deniz Harp Okulu, 2008-2012).

Eksperiencën e shkollimit në Turqi Demo e konsideron fantastike, sepse siç ai thekson ka studiuar në një shkollë ushtarake pra një akademi ushtarake, duke vlerësuar se "ushtria në Turqi mbahet me një famë botërore".

"Eksperienca ka qenë goxha fantastike sepse kam krijuar shumë shoqëri atje, kam pasur goxha marrëdhënie të mira me të gjithë studentët. Kam bërë një shkollë për të cilën unë ndihem krenar sepse më ka kalitur në të gjitha këndvështrimet dhe ndihem me fat. Arsimimi në Turqi është goxha i avancuar. Është ai arsimim që na ka ndihmuar të arrijmë në këto vende ku ndodhemi sot, sepse unë e kam marrë që fëmijë edukimin në Turqi, bëhet fjalë për një arsimim tetëvjeçar, pra liceu, shkolla e mesme dhe shkolla e lartë bashkë", tha ai.

Demo thekson se Shqipëria me Turqinë kanë marrëdhënie goxha të mira, si mes popujve ashtu edhe mes dy shteteve. Në lidhje me marrëdhëniet mes dy vendeve dhe solidaritetin e shtetit turk për rindërtimin, ai thekson se: "Populli shqiptar me popullin turk janë të lidhur dhe shpirtërisht me njëri-tjetrin, pra janë kulturat, është gjuha, disa fjalë që ne kemi shkëmbyer midis njëri-tjetrit që na bashkojnë. Përveç kësaj edhe nga ana politike ndodhemi në një gjendje shumë të mirë. Na erdhën direkt në ndihmë, ku populli turk, shteti turk na ka ndihmuar në pjesën e rindërtimit. I falënderojmë përzemërsisht për ndihmën që na kanë dhënë".

Ashtu si shumë studentë të tjerë që janë diplomuar në Turqi, edhe Eldorado i vazhdon lidhjet me Turqinë dhe kujton me nostalgji periudhën e studimeve.

"I kam lidhjet shumë të shpeshta. Shpesh herë me kryetarin (kryebashkiakun e Shijakut) zhytemi nëpër nostalgji, për ushqimin, ambientin atje dhe vendosim shpeshherë që të bëjmë edhe vizitë atje tek miqtë tanë. Bashkë me kryetarin vizitojmë dhe vendet, flasim me shoqërinë tonë që aktualisht ndodhen atje, që janë në pozicione të ndryshme të punës dhe nuk i kemi shkëputur kontaktet", tregon ai.

Demo vlerëson maksimalisht bashkëpunimin me kryebashkiakun Arbana dhe shton se "Jemi në përpjekje që të gjithë kulturën, edukimin në shkollë, gjithë këto dije që ne kemi marrë t’i vëmë në të mirë të popullit tonë shqiptar".

Sipas Shoqatës së të Diplomuarve në Turqi (TUMED) që nga viti 1990 janë diplomuar në Turqi rreth 3.500 studentë nga Shqipëria, ndërkohë aktualisht vazhdojnë shkollimin 1.000 studentë nga niveli arsimor i gjimnazit deri në doktoraturë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın