BALLKANI

“Anëtarësimi i rajonit në BE është në interesin më të mirë të Evropës”

Tusk gjatë vizitës në Shqipëri është takuar me kryeministrin e vendit, Edi Rama, ndërsa në deklaratën e përbashkët për mediat u fokusuan në procesin e integrimit evropian

Fatjon Cuka   | 17.09.2019
“Anëtarësimi i rajonit në BE është në interesin më të mirë të Evropës” ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

Tiranë

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, ka deklaruar se anëtarësimi i rajonit në Bashkimin Evropian (BE) është në interesin më të mirë të Evropës, raporton Anadolu Agency (AA).

Tusk gjatë vizitës në Shqipëri është takuar me kryeministrin e vendit, Edi Rama, ndërsa në deklaratën e përbashkët për mediat u fokusuan në procesin e integrimit evropian.

Kryeministri Rama theksoi se Tusk është një avokat i procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian.

"Sot pata mundësinë ta falënderoj presidentin (Tusk) këtu në Tiranë për gjithçka ka bërë dhe gjithashtu të ndajmë një moment të veçantë duke i akorduar 'Yllin e madh të mirënjohjes'(medalje)", u shpreh Rama.

Rama theksoi më tej se "Më vjen shumë mirë ta nënvizoj qartësinë me të cilën presidenti Tusk është shprehur gjithnjë në raport me këtë proces dhe pa diskutim të çmoj përpara gjithë opinionit tonë publik përpjekjen si një avokat i procesit të zgjerimit dhe procesit të afrimit të mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor, specifikisht Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian (BE)".

Tusk u shpreh se ai gjithnjë ka qenë i mendimit që BE duhet të fillojë negociata për anëtarësim si me Shqipërinë, ashtu edhe me Maqedoninë e Veriut, dhe shtoi se nuk e ka ndryshuar këtë mendim.

"Medalja më e madhe për mua do të ishte në fakt çelja e negociatave për integrim me Shqipërinë. Sot mund të them që në sajë të përpjekjeve tuaja ne i jemi afruar këtij objektivi dhe jemi më afër tij. Në qershor, krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së u angazhuan për të dhënë një vendim të qartë për çeljen ose jo të negociatave me ju dhe Maqedoninë e Veriut në tetor të këtij viti. Po i afrohemi gjithnjë e më shumë këtij momenti", tha Tusk.

Ai theksoi se në taksimin me kryeministrin Rama është diskutuar edhe për rëndësinë që ka për Shqipërinë ruajtja, sipas tij, e historikut solid në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

"Po aq i rëndësishëm është edhe fakti që anëtarësimi i Shqipërisë dhe rajonit në BE është në interesin më të mirë të të gjithë Evropës, pasi nuk do të mund të ketë Evropë të sigurt dhe stabile pa integrimin e gjithë Ballkanit Perëndimor në BE”, u shpreh Tusk.

Tusk para vizitës në Shqipëri, realizoi vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ku u takua me kryeministrin e vendit, Zoran Zaev, dhe presidentin Stevo Pendarovski.

Kujtojmë se Shqipëria është vend kandidat për anëtarësim në BE që nga viti 2014 dhe është në pritje të vendimit për hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın