BALLKANI

Turqia vazhdon mbështetjen për institucionet arsimore në Kosovë

Është hapur projekti i rinovimit dhe pajisjes me inventar të shkollës fillore "Jusuf Gervalla" në fshatin Negroc, komuna e Drenasit, realizuar nga KFOR-i turk

Zülfiya Yakup  | 15.01.2019 - Përdıtësım : 16.01.2019
Turqia vazhdon mbështetjen për institucionet arsimore në Kosovë ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

PRISHTINË (AA) – Me një ceremoni solemne sot është hapur projekti i rinovimit dhe pajisjes me inventar të shkollës fillore "Jusuf Gervalla" në fshatin Negroc, komuna e Drenasit, nga ana e kontingjentit turk të KFOR-it, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë përveç përfaqësuesve të KFOR-it turk dhe komunës së Drenasit morën pjesë edhe mësuesit, fëmijët dhe prindërit e tyre.

Me mjete të Qeverisë së Republikës së Turqisë në kuadër të projektit civil-ushtarak të mirëmbajtjes dhe furnizimit të materialit të KFOR-it turk është kompletuar brendësia e shkollës, të gjitha muret e brendshme janë lyer, dritaret janë riparuar, gjithsej 8 klasa me 140 banka janë pajisur, ndërsa secila klasë ka marrë edhe nga një prozhektor, laptop, dollap dhe perde. Po ashtu është pajisur edhe dhoma, një palestër dhe një klasë për edukimin parashkollor.

Komandanti i KFOR-it turk, koloneli Cem Sinan Barim, deklaroi se është krenar për edhe një projekt të vargut të tyre për shkollat kosovare. Ai tha se ushtarët turq janë në Kosovë që nga viti 1999 dhe se miqësia mes dy vendeve vazhdimisht avancohet.

“Që atëherë kemi bërë shumë punë të mira. Për çdo ditë miqësia jonë përmirësohet. Në kuadër të përpjekjeve tona kohëve të fundit veçanërisht jemi drejtuar në sferën e arsimit meqë konsiderojmë se përmirësimi i kushteve për arsim të fëmijëve do të ketë ndikim mbi të ardhmen e fëmijëve”, tha ai.

Nënkryetari i komunës së Drenasit, Gani Sylaj, falënderoi KFOR-in turk për ndihmën, duke theksuar se vetëm para dy muajsh në këtë shkollë kushtet ishin shumë të këqija. Sylaj përkujtoi kohën e para 20 viteve kur Turqia ndihmoi popullin e Kosovës kur e kishte më së vështiri, dhe theksoi se Turqia është në mesin e shteteve të para që ka njohur shtetin e Kosovës.

“Sot kur hapim këtë projekt të shkollës ne jemi edhe një hap në drejtim të marrëdhënieve të mira me shtetin e Turqisë, me KFOR-in turk dhe më e rëndësishmja është që keni pajisur shkollën me pajisje të domosdoshme për mësim cilësor, dhe ne jemi jashtëzakonisht falënderues për këtë”, tha Sylaj.

Drejtori i shkollës “Jusuf Gërvalla”, Fehmi Krasniqi, falënderoi Republikën e Turqisë dhe KFOR-in turk, duke theksuar se deri tani kjo shkollë ka klasa të shekullit të 21-të. Ai theksoi se tërë projekti ka përfunduar për rreth dy muaj paralelisht me mësimin që është zhvilluar në shkollë.

Pas fjalimeve të mbajtura, u vizituan klasat e rinovuara dhe të pajisura, ndërsa nxënësit e shkollës interpretuan një program kulturor artistik. Në shkollë fillore “Jusuf Gërvalla” ndjekin mësimin rreth 280 nxënës.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın