BALLKANI

"Shqipëria ka marrë një vlerësim mjaft të rëndësishëm nga BE"

Pas takimit Hahn dhe Rama mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat, ku kryeministri Rama falënderoi Komisionin Evropian dhe komisionerin Hahn për mbështetjen e vazhdueshme lidhur me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian

Saimir Alija  | 17.07.2018 - Përdıtësım : 18.07.2018
"Shqipëria ka marrë një vlerësim mjaft të rëndësishëm nga BE" Olsi Shehu/AA

Tiranë

TIRANË (AA) - Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, priti në një takim komisionerin evropian për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, ndërsa u zhvillua edhe një takim me ministrat e kabinetit qeveritar, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas takimit Hahn dhe Rama mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat, ku kryeministri Rama falënderoi Komisionin Evropian dhe komisionerin Hahn për mbështetjen e vazhdueshme lidhur me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian (BE) dhe për nxitjen e bashkëpunimit dhe ndërveprimit rajonal.

Shqipëria dhe Maqedonia në qershor do të çelin negociatat" 

“Sot bashkëpunimi hyn në një fazë të re, përmes punës përgatitore të këtyre 12 muajve, e cila është një punë që tipikisht bëhet pas çeljes së negociatave, ndërkohë që gjuha e konkluzioneve të KE-së e mundëson nisjen e kësaj pune tani. Edhe nëse negociatat do të ishin hapur formalisht në qershor, kjo punë që po bëjmë tani do të ishte puna që do të duhet të bënim. Pra kemi 12 muaj që nuk janë pritje, por janë punë në një proces që me çeljen formale të negociatave na jep mundësi të jemi në një pozicion më të përparuar si rezultat i mos humbjes së asnjë minutë kohë”, tha Rama.

Sipas Ramës, ky është një ndryshim cilësor edhe në qasjen edhe në angazhimin e të gjitha strukturave dhe njësive të integrimit në gjithë vijën horizontale të qeverisë, por edhe në përfshirjen e të gjitha institucioneve të tjera, duke filluar nga vetë Kuvendi i Shqipërisë.

Duke folur për marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet anëtare të BE-së, Rama tha se: “Më vjen mirë edhe për faktin që ne sot kemi një marrëdhënie cilësisht më të fortë me të gjitha vendet anëtare dhe specifikisht kemi një marrëdhënie shumë më të afërt dhe më të strukturuar në funksion të këtij procesi edhe me Francën dhe Holandën me të cilat patëm një debat jo të lehtë, të cilat u bënë pjesë e zgjidhjes pozitive në momentin e fundit, për na kanë siguruar për gatishmërinë e tyre për të qenë pranë nesh në këtë rrugë, ku çdo hap do ta hedhim bashkërisht me komisionin, ku do të ndërveprojmë me të gjitha vendet anëtare”.

Në përfundim të fjalës së tij, Rama tha se është shkruar e zeza mbi të bardhë që: “Shqipëria dhe Maqedonia në qershor do të çelin negociatat”.

“Komisioni do të vijojë të mbështesë përpjekjet e bëra nga Shqipëria"

Ndërsa komisioneri Hahn në fjalën e tij deklaroi Shqipëria ka marrë një vlerësim mjaft të rëndësishëm nga BE.

“Në fund të qershorit Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme ka vlerësuar ecurinë shumë të mirë që është arritur në programin e reformave nga Shqipëria. Këshilli ka përcaktua itinerarin drejt çeljes së negociatave në qershor të 2019. Vendet anëtare të BE-së kanë theksuar nevojat thelbësore që Shqipëria të konsolidojë më tej përparimin e arritur deri më tani”, deklaroi Hahn.

Më tej Hahn tha se Shqipëria duhet të vazhdojë përpjekjet për reformën në drejtësi në veçanti për procesin e Vettingut. “Doja ta theksoj dhe ta vë në pah se ne i mirëpresim shumë rezultatet konkrete të këtij procesi, jo vetëm për Shqipërinë, sepse edhe disa vende të tjera edhe brenda unionit e kanë parë këtë reformë mjaft gjithëpërfshirëse dhe po kërkojnë të shohin se si mund ta kopjojnë apo ta miratojnë, në njëfarë mënyre që ju shërben nevojave të tyre. Të gjitha arritjet janë të rëndësishme. Nuk duhet nënvlerësuar se kjo gjithashtu shihet edhe si një lloj modeli për vendet e tjera dhe jam mjaft i interesuar të shikoj rezultate pozitive, të cilat mund të shërbejnë si shembull i mirë për vendet e tjera”, tha ai.

Duke folur procesin analitik, Hahn tha se ky proces përbën një nga hapat e para thelbësore përpara negociatave

“Aktualisht është pjesë e të gjithë këtij procesi dhe është diçka që duhet bërë në çdo vend dhe do të bëhet edhe në të ardhmen me vendet e tjera kandidate. Rëndësia që ka ky proces për gjithë administratën është që të shtojë përpjekjet e nevojshme dhe të organizojë strukturën e vet për gjithë procesin. Kjo nuk është një përpjekje që do të kërkojë shtysë vetëm nga qeveria, por ka nevojë kyçe që të gjithë aktorët e tjerë në këtë proces të japin kontributin e tyre, përfshirë të gjithë Parlamentin dhe shoqërinë civile, secili prej tyre brenda kompetencave përkatëse”, u shpreh Hahn.

Më tej gjatë fjalës së tij, zyrtari i lartë i BE-së nënvizoi se: “Komisioni do të vijojë të mbështesë përpjekjet e bëra nga Shqipëria, por edhe një herë çdo gjë që bëni këtu nuk ka të bëjë me faktin që duhet të kënaqni disa zyrtarë në Bruksel, por ka të bëjë me përmbushjen e interesave të qytetarëve tuaj. Ka të bëjë me shërbimin për çështje të ndryshme, ku perspektiva evropiane mund të shërbejë për përmirësimin e jetës së qytetarëve shqiptarë.

Duke folur për çështjen e azilkërkuesve, Hahn theksoiin se qeveria ka bërë gjithçka për të ulur numrin e azilkërkuesve, në mënyrë që të bindë vendet anëtare që kjo nuk është diçka që nxitet nga qeveria, por është e kundërta.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, Johanes Hahn zhvilloi një takim edhe me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın