BALLKANI

Shqipëria shpall person të padëshirueshëm eurodeputeten Eleni Theocharous

"Ky vendim vjen si reagim i detyruar kushtetues e ligjor i institucioneve të Shqipërisë, ndaj shfaqjeve të përsëritura ekstremiste të eurodeputetes Eleni Theocharous"

Fatjon Cuka  | 10.11.2018 - Përdıtësım : 11.11.2018
Shqipëria shpall person të padëshirueshëm eurodeputeten Eleni Theocharous

Tiranë

TIRANË (AA) - Shqipëria ka shpallur person të padëshirueshëm në vend, eurodeputeten Eleni Theocharous, pas pjesëmarrjes dhe deklaratave të saj në ceremoninë mortore të minoritarit grek, Kostandions Kaçifa, transmeton Anadolu Agency (AA).

Vendimi është konfirmuar në një deklaratë për mediat nga Glevin Dervishi, këshilltar për rajonin i ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati.

“Në bashkëveprim ndërinstitucional dhe pas vlerësimit të kryer nga institucionet e specializuara, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme i propozoi Ministrisë së Brendshme shpalljen non grata (person i padëshirueshëm në Shqipëri) të eurodeputetes qipriote Eleni Theocharous. Ministria e Brendshme referuar statusit politiko-diplomatik dhe angazhimit të saj në Parlamentin Evropian, pas vlerësimit dhe në mbështetje të propozimit të MEPJ, gjykuar në materialet referuese të administruara nga Ministria e Brendshme vendosi të miratojë kërkesën e MEPJ”, ka deklaruar Dervishi.

Sipas tij, ky vendim vjen si reagim i detyruar kushtetues e ligjor i institucioneve të Shqipërisë, ndaj shfaqjeve të përsëritura ekstremiste të eurodeputetes Eleni Theocharous.

Ndërkohë, dje Ministria e Brendshme e Shqipërisë njoftoi se ka shpallur 52 persona me shtetësi greke të padëshiruar në Shqipëri për veprimtari të organizuar në dëm të sovranitetit të vendit, pas ngjarjeve në Gjirokastër, gjatë ceremonisë mortore për shtetasin minoritar Kostandions Kaçifa.

Kujtojmë se Kostandions Kaçifa, banor i minoritetit grek mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat e policisë në Qarkun e Gjirokastrës më 28 tetor, ndërsa kjo ngjarje shkaktoi reagime të shumta në Shqipëri dhe Greqi. Në ceremoninë mortore të tij më 8 nëntor morën pjesë edhe qindra qytetarë grekë dhe pjesëtarë të minoritetit grek që jetojnë në qytetet jugore të Shqipërisë, ndërsa kishte simbole greke dhe thirrje ekstremiste antishqiptare.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.