Admir Fazlagikj
05 Dhjetor 2017•Përditësim: 06 Dhjetor 2017
SHKUP (АА) – Sot në Shkup është mbajtur ngjarje solemne për shënimin e 5 dhjetorit - Ditës botërore për vullnetarizëm në organizim të Kryqit të Kuq të Republikës së Maqedonisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i Kryqit të Kuq të Maqedonisë, Romeo Velev në fjalimin e tij para të pranishmëve uroi të gjithë vullnetarët të cilët e japin kontributin e tyre për përmirësimin e gjendjeve në shoqëri. Velev tha se beneficionet nga vullnetarizmi janë shumë më të mëdha dhe më të gjera, se sa vet vlera e punës së kryer e vullnetarëve.
Sipas tij, përparësia pozitive e vullnetarëve është ajo se ata kanë familjarë dhe miq të moshave, bashkësive etnike dhe përkatësive të ndryshme fetare, me të cilat bashkarisht bashkëpunojnë.
Në kuadër të shënimit të Ditës botërore të vullnetarizmit, u ndanë çmime për arritje të veçanta nga ana e Kryqit të Kuq të Maqedonisë.
Velev ndau mirënjohje për arritje vullnetarizmi dhe merita të veçanta në realizimin e qëllimeve dhe detyrave humanitare të Kryqit të Kuq të Maqedonisë për Bllagoe Klimkarov, Arijan Limani, Aleksandra Sandeva, Ilija Gligorov, Katerina Trajkovska, Hesad Osmani dhe Nikolla Çushevski.
Në mesin e personave që iu nda mirënjohje në shenjë falënderimi për angazhimin e tyre vullnetar ishin edhe refugjatët Safud dhe Rama Estref, vëlla dhe motër nga Siria.
Safud, i cili është refugjat 26 vjeçar nga Siria arriti në Maqedoni më 9 mars të vitit 2016 me trenin e fundit para mbylljes zyrtare të 'Rrugës ballkanike' ku kërkuan azil në korrik të vitit 2016. Ai momentalisht është anëtar i ekipit mobil të Likovës ku punon si përkthyes nga arabishtja në shqip dhe anasjelltas. Po ashtu, ai është student në Universitetin Ballkanik në Shkup.
Rama Estref, e cila ka 22 vjeç në Maqedoni arriti së bashku me vëllain e saj Safud. Nga muaji shkurt të vitit 2017 punon në qendrën e pranimit të Kryqit të Kuq në Tabanoc, ndërsa më vonë edhe në ekipin mobil të Kryqit të Kuq në Likovë.
Ditën botërore të vullnetarizmit e shënojnë mbi 17 milionë vullnetarë nga mbarë bota në kuadër të Lëvizjes së Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.