Admir Fazlagikj
26 Shkurt 2019•Përditësim: 26 Shkurt 2019
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut këto dy ditë ishte nikoqir i konferencës ministrore nga “Procesi Brdo”, respektivisht takimit të tretë të bordit drejtues të Iniciativës për menaxhim të integruar me sigurinë e brendshme, raporton Anadolu Agency (AA).
Tema kryesore e konferencës ishte vlerësimi i zbatimeve të Iniciativës për menaxhim të integruar me sigurinë e brendshme (IICG).
Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, shprehu kënaqësi pasi ai është nikoqir i homologëve të tij nga Bosnjë e Hercegovina, Kosova, Kroacia dhe Sllovenia, të cilët, siç tha ai, janë miq të respektuar në rrugën drejt integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
Sipas ministrit Spasovski, me përfundimet e Këshillit të BE-së për forcimin e dimensionit të jashtëm të sigurisë së brendshme nga dhjetori i vitit 2016, Këshilli i BE-së ra dakord t’i japë prioritet zhvillimit të një mekanizmi më të plotë për trajtimin e çështjeve të sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në një mënyrë që të jetë në përputhje me qasjen e marrë brenda kuadrit të Ciklit të politikave evropiane.
“Me këtë, terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm u inicua në shtyllën e parë të kësaj iniciative, drejt të cilit u bashkuan edhe dy të tjera, shtylla për të luftuar krimin e organizuar dhe shtylla për siguri kufitare”, tha Spasovski.
Sipas tij, takimi i sotëm i kësaj iniciative kishte për qëllim marrjen e vendimeve për zhvillimin e mëtejshëm të vet iniciativës dhe zgjerimin e drejtpërdrejtë të përbërjes së grupit për mbështetje të IICG-së me përfaqësuesit e Ballkanit Perëndimor.
Ministri i Punëve të Brendshme i Sllovenisë, Boshtjan Poklukar, nga ana e tij, tha se pjesëmarrësit në konferencën ministrore dhanë mbështetjen e tyre në zbatimin e deritanishëm të IICG-së dhe mbështetën të gjitha iniciativat për bashkëpunim të mëtejshëm.
“Më gëzon fakti se iniciativa i tejkaloi kufijtë nga procesi dhe u bë një nga proceset më të njohura në rajon. Sot u njoftuam me vlerësimin e pavarur, i cili e konfirmoi punën tonë dhe mënyrën e funksionimit të iniciativës. Përfundimet na japin bazën për të menduar dhe proceset që do të zhvillohen në muajt e ardhshëm të cilat janë të rëndësishme për të gjithë ne”, tha Poklukar.
Procesi Brdo-Brioni për herë të parë u mbajt në vitin 2013 me iniciativën e presidentëve të Sllovenisë dhe Kroacisë. Iniciativa u emërua “Procesi Brdo-Brioni” për shkak të idesë së përbashkët të të dy presidentëve për organizimin e saj.
Vendet anëtare të Procesit Brdo-Brioni janë Kroacia, Sllovenia, Maqedonia, Shqipëria, Kosova, Serbia, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi, të përfaqësuara nga presidentet e vendeve.
Brdo rrjedh nga Brdo pranë qytetit Kranj, ku edhe u mbajt takimi i parë i liderëve rajonalë dhe Brijuni në nder të bashkëorganizatorit dhe partnerit të krijimit të kësaj nisme, Kroacisë.