BALLKANI

Reeker: Politika amerikane është ta shoh Evropën të plotë, paqësore dhe të lirë

Zaev shtoi se qëllimi i përbashkët me SHBA-të do të jetë lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit, si dhe veprimet e përbashkëta në lidhje me të gjitha kërcënimet për rajonin dhe më gjerë

Husamedin Gina  | 04.03.2019 - Përdıtësım : 06.03.2019
Reeker: Politika amerikane është ta shoh Evropën të plotë, paqësore dhe të lirë Foto: Husamedin Gina/AA

Shkup

Këshilltari politik i komandantit të Komandës Evropiane të forcave ushtarake të SHBA-ve, Philip Reeker, i cili qëndron për vizitë në Maqedoninë e Veriut, në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin e vendit, Zoran Zaev, ka deklaruar se “politika amerikane është ta shoh Evropën të plotë, paqësore dhe të lirë”, raporton Anadolu Agency (AA).

“25 vite punojmë për të mbështetur aspiratat e Maqedonisë së Veriut, por edhe të tjerëve në rajon. Politika amerikane me breza është ta shoh Evropën të plotë, paqësore dhe të lirë, ndërsa kjo e përfshin edhe Ballkanin, rajonin që historikisht ballafaqohet me shumë sfida, por veçanërisht këtë vit pamë një progres shumë të madh”, deklaroi Reeker.

Reeker shtoi se vendet tjera mund të duan të rrisin ndikimin e tyre në Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe në Maqedoninë e Veriut, ndërsa SHBA është një mik i përkushtuar i të gjitha vendeve të rajonit.

Ai po ashtu e vlerësoi lartë Marrëveshjes e Presës, të arritur midis qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, që zgjodhi mosmarrëveshjen 28-vjeçare rreth emrit, marrëveshje e cila, sipas tij, qartësoi se rruga e Maqedonisë së Veriut është të bëhet anëtare e 30 e NATO-s.

Kryeministri Zaev, nga ana e tij, rikujtoi se Reeker, si një ish-ambasador amerikan në Maqedoni, shumë mirë e njeh vendin dhe theksoi se në takimin e sotëm konfirmuan marrëdhëniet e qëndrueshme dhe të shkëlqyera miqësore mes dy vendeve, të cilat siç tha, janë vërtetuar me Deklaratën e partneritetit strategjik SHBA-Maqedoni e Veriut, të nënshkruar në vitin 2008.

“Maqedonia e Veriut mbetet partner strategjik i qëndrueshëm i SHBA-ve. Së bashku jemi të përqendruar në angazhimin tonë të përbashkët për sigurinë, lirinë dhe zhvillimin e pandërprerë të rajonit në kushte të mbështetjes së vazhdueshme të prosperitetit demokratik”, deklaroi Zaev.

Zaev shtoi se qëllimi i përbashkët me SHBA-të do të jetë lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit, si dhe veprimet e përbashkëta në lidhje me të gjitha kërcënimet për rajonin dhe më gjerë.

Reeker gjatë vizitës së tij në Shkup u takua edhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, zv/kryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev, zv/kryeministrin për çështje evropiane, Bujar Osmani, si dhe me krerët e partive më të mëdha politike në vend.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.