BALLKANI

"Qëllimi i IBU-së është krijimi i një brezi të ri shembullor"

Rektori Kocayusufoğlu tha se kampusi i ri do t'i shtojë suksese të reja universitetit që tashmë ka suksese të shumta, duke paralajmëruar rritje edhe më të madhe të bashkëpunimit që kanë me rreth 150 universitete

Cihad Aliju  | 20.06.2018 - Përdıtësım : 20.06.2018
"Qëllimi i IBU-së është krijimi i një brezi të ri shembullor" Vedat Abdul/AA

Shkup

CIHAD ALIJU

SHKUP (AA) - Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik (IBU) në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup, i themeluar në vitin 2006 me iniciativë të personaliteteve të rëndësishme të opinionit nga Turqia, akademikë dhe afaristë, synon të kontribuojë në paqen botërore duke krijuar një brez të ri shembullor.

Rektori i IBU-së, Prof. Dr. Ismail Kocayusufoğlu, në një prononcim për Anadolu Agency (AA) vlerësoi punimet e universitetit.

Duke theksuar se në kampusin e ri, të cilin e përshkruan si "shtëpia e re e tyre", i ka hapur dyert për studentët me ceremoninë e 8-të të diplomimit, ai tha se viti akademik 2018/2019 do të fillojë në kampus dhe se të gjitha përgatitjet kanë përfunduar.

Kocayusufoğlu tha se kampusi i ri do t'i shtojë suksese të reja universitetit që tashmë ka suksese të shumta, duke paralajmëruar rritje edhe më të madhe të bashkëpunimit që kanë me rreth 150 universitete.

Së bashku me kampusin, në mesin e qëllimeve të universitetit është edhe formimi i një qendre për hulumtim dhe zhvillim, tha Kocayusufoğlu, i cili shtoi se në këtë drejtim do të vlerësojnë idetë që mund të vijnë nga shoqëria dhe shkencëtarët.

Kocayusufoğlu tha se kampusi ka një sipërfaqe prej 20 mijë metra katrorë dhe ka motive selçuke dhe osmane. "Kur do të përfundojë, ai do të jetë qendër e arsimit që mund të shërbejë për gjashtë mijë studentë. Aktualisht, në të mund të studiojnë tre mijë deri në 3.500 studentë", theksoi ai.

Rektori tha se sipas planifikimit, edhe pjesët e tjera të kampusit pritet të përfundohen brenda dy viteve, ndërsa do të përbëhet prej gjithsej gjashtë ndërtesave.

"Bota ka nevojë për paqe më shumë se kurrë"

Kocayusufoğlu më tej u shpreh se në kuadër të universitetit organizojnë shumë evenimente me karakter studentor dhe shkencor dhe tha se në Kongresin Ndërkombëtar të Studentëve të cilën këtë vit do ta organizojnë për herë të pestë, kanë për qëllim të presin 100 studentë nga 50 vende të ndryshme.

Ai tha se mundohen t'i mbështesin projektet studentore dhe t'i zhvillojnë ato sa më shumë. "Sepse bota ka nevojë për paqe më shumë se kurrë. Paqja mund të arrihet vetëm nëse kjo rini bashkohet, i konsideron diversitetet si pasuri, mëson të respektojë dallimet e njerëzve", tha Kocayusufoğlu.

Duke folur për profilin e studentëve të universitetit, rektori i universitetit tha se përveç Maqedonisë dhe Turqisë, në universitet studiojnë edhe studentë nga Shqipëria, Kosova, Bosnjë dhe Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Bullgaria.

Ndërkaq, nëpërmjet bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe programeve të Erasmusit, në universitet gjenden studentë nga 15 vende të ndryshme të botës, tha rektori i IBU-së.

IBU synon të krijojë një brez të ri shembullor

Kocayusufoğlu tha se universiteti është privat, i themeluar sipas ligjit të arsimit të Maqedonisë, ndërsa gjendet ne mesin e dy universiteteve në Ballkan që bëjnë pjesë në katalogun e Qendrës Turke për Vlerësim, Përzgjedhje dhe Vendosje (ÖSYM).

Kocayusufoğlu njoftoi se universiteti posedon shtatë fakultete me 22 programe për studime deridiplomike dhe dhjetë programe për studime pasdiplomike, ndërsa shtoi se ky universitet është i pari dhe i vetmi në rajon me departamentin e Gjuhës Turke - Drejtimi Arsimor, ku synojnë të nxjerrin mësimdhënës më të mirë të gjuhës turke.

Ai tha se universiteti dallon me sukseset dhe strukturimin ndërkombëtar. "Ajo që e dallon Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik nga universitetet e tjera është se ai ofron mundësi të jashtëzakonshme të bursave. Ky universitet pa qëllime fitimprurëse, që nuk synon të ardhura, ka si qëllim të vetëm të bashkojë rininë dhe të krijojë një grup të mirë, brez të ri shembullor", tha Kocayusufoğlu.

Bursa për rreth 500 student çdo vit

Rektori i IBU-së Kocayusufoğlu tha se çdo vit rreth 500 studentëve u ofrojnë bursa në nivele të ndryshme.

Ai tha se testimin e parë për bursa e kanë realizuar në muajin prill të këtij viti. "Edhe pse ende ishte duke vazhduar arsimi në shkollat e mesme, mbi 600 nxënës morrën pjesë në provim. Ka një interesim të madh. Provimin e dytë të madh do ta realizojmë më 27 qershor. Vazhdojnë aplikimet intensive të nxënësve", tha Kocayusufoğlu për AA.

Kocayusufoğlu foli edhe për programin "Dita e Karrierës", të cilën e organizojnë në kuadër të unviersitetit për të ndihmuar punësimin e studentëve të tyre, duke thënë se nëpërmjet këtij programi u mundësojnë studentëve që janë në vitin e fundit të studimeve të takohen me drejtuesit e firmave të ndryshme.

IBU në klasifikimin e universiteteve për vitin 2015/2016 nga Shangai ishte renditur si universiteti më i mirë në Maqedoni në sferën e arsimit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.