BALLKANI

Prishtinë, mbahet tryezë për pakon ligjore kundër korrupsionit

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, nga ana e saj vlerësoi se korrupsioni i lartë është një nga pengesat për zhvillimin ekonomik të vendit, meqë largon investitorët e huaj të cilëve u kërkohet ryshfet

Zülfiya Yakup  | 11.12.2018 - Përdıtësım : 12.12.2018
Prishtinë, mbahet tryezë për pakon ligjore kundër korrupsionit

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Ligjet nuk mjaftojnë për luftë të suksesshme kundër korropsionit, ishte konstatimi në tryezën e rrumbullakët në Kuvendin e Kosovës e cila u mbajt në kuadër të "Javës së luftës kundër korrupsionit", në të cilën u diskutua për pakon e ligjeve dhe punën e gjyqësorit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga deputetët / anëtarët e Organizatës Parlamentare Globale Anti-Korrupsion (GOPAC) për Kosovën, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, vuri në dukje se gjatë vitit në Kuvend janë miratuar 13 projektligje lidhur me luftën kundër korrupsionit. Këto ligje tha ai, e kanë transformuar Kodin Penal të Kosovës.

"Një nga problemet me të cilët jemi ballafaquar, padyshim ka qenë edhe problemi si çështja e abuzimit të shumë pozitave brenda institucioneve të Republikës së Kosovës. Mendoj që kemi arritur ta kemi një ligj për parandalimin e konfliktit të interesit që e adreson pikërisht këtë problematikë. Unë jam i bindur që edhe pa përkrahjen e deputetëve, pa bashkëpunimin sidomos në komisionin për legjislacion të cilin pavarësisht dallimeve në mendime, kemi pasur nganjëherë edhe mendime të ndryshme, mirëpo sot e kemi një ligj në fuqi që është ligji për parandilimin e konfliktit të interesit, që jam i bindur që do t’i kursejë shtetit të Kosovës miliona euro", tha Tahiri.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, nga ana e saj vlerësoi se korrupsioni i lartë është një nga pengesat për zhvillimin ekonomik të vendit, meqë largon investitorët e huaj të cilëve u kërkohet ryshfet.

"Unë e di që ka korrupsion në të gjitha institucionet. Por, problemi më i madh i Kosovës është te jakat e bardha, te zyrtarët e lartë të cilët e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, kanë krijuar pasuri marramendëse. Kjo nënkupton që një prokuror kur e sheh që një zyrtar i ka të ardhurat ose të hyrat, pasuritë në shpërputhje me pagën që e merr, qoftë mujore, qoftë vjetore, atëherë duhet të kërkojë llogari se ku e ke marrë atë pasuri, si e ke krijuar atë pasuri", tha ajo, për të shtuar se Kosova ka nevojë për një ligj anti-mafia.

Në të njëjtën kohë, prokurori Besim Kelmendi nga Prokuroria e Shtetit të Kosovës tha se institucioni nga i cili ka ardhur, mbështet vazhdimisht institucionet e Kosovës në hartimin e ligjeve që trajtojnë korrupsionin, por theksoi se vetëm ligjet nuk mjaftojnë në luftën kundër korrupsionit.

"Po them jo sepse për shkak se ata që luftojnë kurrupsionin janë ata që i zbatojnë ligjet. Nëse nuk i zbatojmë këto ligje ashtu siç është përcaktuar me ato, atëherë vetëm kemi bërë një javë kohë kundër korrupsionit", tha ai. 

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.