BALLKANI

Marsh i Paqes: Shkupi kujton viktimat e gjenocidit në Srebrenicë

“Rëndesa e krimeve të kryera në territorin e Bosnjë e Hercegovinës na obligon ballafaqim të vazhdueshëm me faktin se në Srebrenicë u vranë më shumë se tetë mijë njerëz të pafajshëm në një fushatë të kriminelëve që nuk njeh historia më e re e”

Admir Fazlagikj  | 11.07.2018 - Përdıtësım : 12.07.2018
Marsh i Paqes: Shkupi kujton viktimat e gjenocidit në Srebrenicë Foto: Vedat Abdul / AA

Shkup

SHKUP (AA) - Shoqatat e Boshnjakëve në Maqedoni në Shkup kanë organizuar një marshim për të përkujtuar viktimat e gjenocidit në Srebrenicë, me çka u shënua 11 korriku, Dita e përkujtimit të gjenocidit ndaj boshnjakëve në Srebrenicë të Bosnjë e Hercegovinës, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë marshim morën pjesë disa qytetarë nga komunitete të ndryshme etnike, të cilët filluan nga Çairi i Shkupit, duke lëvizur deri në sheshin e qytetit të Shkupit, nga ku ata i dërguan porositë e tyre të solidaritetit, paqes dhe kujtuan viktimat e gjenocidit në Srebrenicë.

Përfaqësuesit e shoqatave të boshnjakëve theksuan se gjenocidi në Srebrenicë përfaqëson krimin më të madh që ndodhi në prag të shekullit 21 në zemër të Evropës.

Në emër të Trupit koordinues për shënimin e gjenocidit të Srebrenicës, Xhevad Hot tha se të pranishmit u tubuan sot për të kujtuar viktimat e pafajshme në Srebrenicë, Podrinje, por edhe në tërë territorin e Bosnjë e Hercegovinës, të cilët humbën jetën e tyre.

“Rëndesa e krimeve të kryera në territorin e Bosnjë e Hercegovinës na obligon ballafaqim të vazhdueshëm me faktin se në Srebrenicë u vranë më shumë se tetë mijë njerëz të pafajshëm në një fushatë të kriminelëve që nuk njeh historia më e re e njerëzimit”, porositi Hot.

Ai shtoi se Srebrenica simbolizon edhe shpresën se krimeve të këtilla u ka ardhur fundi dhe se gjeneratat e ardhshme nuk do të ndajnë fatin e viktimave të Srebrenicës. Siç vuri në dukje ai, me organizimin e marshit duan të përcjellin mesazhin për bashkëqytetarët e tyre në Maqedoni dhe më gjerë se “Srebrenica nuk duhet të përsëritet”.

Në emër të Lidhjes Demokratike të Boshnjakëve (BDS), u adresua sekretari i përgjithshëm i tyre, Dino Drpljanin, i cili lexoi deklaratën e gjenocidit në Srebrenicë.

“Jemi të ndërgjegjshëm ndaj krimit, 23-vjetorin nga gjenocidi në Srebrenicë e shfrytëzojmë ta dënojmë këtë akt kriminal dhe për të dërguar një mesazh që ne duam të kujtojmë qytetarët e Maqedonisë dhe jashtë vendit se është kryer gjenocid kundër boshnjakëve dhe se nuk mund të lejojmë që ajo të përsëritet”, tha Drpljanin.

Edina Zekiroviq, anëtare e Trupit koordinues për shënimin e gjenocidit të Srebrenicës dhe autore e performancës “Shiko dhe kujto Srebrenicën”, paraqiti kuptimin e pasqyrës, trëndafilave dhe ngjyrës së kuqe të pasqyrës, që ishin të vendosura në sheshin kryesor të Shkupit.

Ajo vuri në dukje se ngjyra e kuqe e pasqyrës simbolizon gjakun e viktimave të gjenocidit të Srebrenicës, ndërsa trëndafilat e bardhë simbolizojnë pafajësinë e viktimave që vuajtën.

"Qëllimi i kësaj pasqyre është që çdo kush të shikojë dhe të shoh veten një prej atyre 8.372 viktimave. Srebrenica nuk është vetëm pikëllim i popullit boshnjak, sepse është një njollë më e madhe e arritjeve të atëhershme civilizuese”, tha Zekiroviq.

Sot në Qendrën Përkujtimore në Potoçari u varrosën 35 viktima të gjenocidit të Srebrenicës që ndodhi në vitin 1995, ndërsa midis tyre ishin çifti Nijaz dhe Remzija Dudiq, si dhe fëmija i tyre gjashtëmujor që Remzija e mbante në barkun e saj kur u vra.

Për të dhe për të gjitha viktimat e gjenocidit, nga sheshi i qytetit në Shku u lëshuan gjashtë pëllumba në ajër, duke simbolizuar pafajësinë e viktimave dhe duke dërguar një mesazh paqeje.

Gjithashtu u lexua një poezi në shenjë kujtese të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.