BALLKANI

Maqedonia nënshkruan Memorandum mirëkuptimi me 17 vende të NATO-s

Shekerinska nënshkroi Memorandumin për mirëkuptim së bashku me 17 ministra të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, si dhe me homologun e saj nga Finlanda, vend partner i NATO-s

Ivana Ramadanova   | 12.07.2018
Maqedonia nënshkruan Memorandum mirëkuptimi me 17 vende të NATO-s

Shkup

SHKUP (AA) - Në selinë e NATO-s në Bruksel, ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë, Radmilla Shekerinska, ka nënshkruar Memorandum mirëkuptimi me të cilën Maqedonia bashkohet në Iniciativën për municion për luftë tokësore “Smart Defence”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç informojnë nga Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë, Shekerinska nënshkroi Memorandumin për mirëkuptim së bashku me 17 ministra të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, si dhe me homologun e saj nga Finlanda, vend partner i NATO-s.

Nga atje thonë se përveç Belgjikës, si lider në këtë iniciativë, në mesin e nënshkruesve të memorandumit janë Gjermania, Franca, Danimarka, Spanja, Norvegjia, Austria, ndërsa nga rajoni Sllovenia dhe Mali i Zi.

“Memorandumi i mirëkuptimit krijon një kuadër që siguron grupimin e planeve kombëtare afatshkurte dhe afatgjate për furnizimin e municioneve për luftë tokësore. Kjo do të thotë se duke punuar së bashku shtetet anëtare të kësaj iniciative do të marrin municion me çmime më të ulëta, do të harmonizojnë furnizimet dhe do të zbatojnë zgjidhjet e përbashkëta të akumulimit në një afat të gjatë”, theksojnë nga Ministria e Mbrojtjes.

Po ashtu thuhet se kjo iniciativë ofron një ndërveprim më të mirë të njësive të deklaruara të Armatës së Republikës së Maqedonisë (ARM), veçanërisht grupit të Batalionit të Këmbësorëve. Ministria e Mbrojtjes thotë se anëtarësimi në këtë iniciativë nuk ka pretendime financiare.

Delegacioni i Maqedonisë i kryesuar nga kryeministri Zoran Zaev nga dje qëndron në Bruksel, në kuadër të Samitit të shefave të shteteve dhe qeverive të NATO-s, që po mbahet në Bruksel.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın