BALLKANI

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë takon homologun maltez

"Gjatë takimit, kryetari Ruçi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera politike dhe dialogun politik në nivelet më të larta midis dy vendeve. Malta është një vend mik i Shqipërisë dhe mbështetëse e fortë e perspektivës së saj evropiane"

Fatjon Cuka  | 15.11.2018 - Përdıtësım : 15.11.2018
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë takon homologun maltez

Tiranë

TIRANË (AA) - Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, është takuar sot me kryetarin e Parlamentit të Republikës së Maltës, Anglu Farrugia, ku në fokus të diskutimit të tyre ishin marrëdhëniet mes dy vendeve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kryeparlamentari Ruçi kërkoi mbështetjen e Maltës për kandidaturën e Shqipërisë për vendin e anëtarit jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për periudhën 2022-2023, dhe për kandidaturën e Shqipërisë për marrjen e Kryesisë së OSBE-së për vitin 2020.

"Gjatë takimit, kryetari Ruçi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera politike dhe dialogun politik në nivelet më të larta midis dy vendeve. Malta është një vend mik i Shqipërisë dhe mbështetëse e fortë e perspektivës së saj evropiane. Ruçi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e përhershme miqësore të Maltës në agjendën e integrimit Evropian të Shqipërisë dhe sigurimin se kjo mbështetje do të vazhdojë në ndjekje të përpjekjeve dhe hapave tona drejt hapjes së negociatave për anëtarësim”, nënvizoi Ruçi gjatë takimit, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Shqipërisë.

Gjithashtu thuhet se mes dy homologëve është theksuar se bashkëpunimi ekonomik është një shtyllë e rëndësishme e marrëdhënieve dypalëshe dhe duhet të përfshihet në prioritetet e bashkëpunimit të ardhshëm midis dy vendeve.

Njëkohësisht, Ruçi i kërkoi kryetarit të Parlamentit të Maltës, Farrugia, lobimin e Maltës për zgjerimin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës, nga parlamentet e vendeve anëtare të Parlamentit Ndërkombëtar për Tolerancë dhe Paqe.

Sipas njoftimit, Farrugia, vuri në dukje se Malta ka qenë dhe do të mbetet një mbështetëse e fortë e Shqipërisë, sidomos në procesin e integrimit evropian. “Malta, si një vend i besueshëm i BE-së, vazhdon të mbështesë në mënyrë të pakushtëzuar hapjen e negociatave të pranimit në qershor të vitit 2019 dhe do të lobojë për këtë qëllim në të gjitha vendet anëtare të BE-së”, ka theksuar Farrugia.

Kryeparlamentari maltez, thuhet më tej, vlerësoi qëndrimin e Shqipërisë për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe nënvizoi se “Shqipëria, ashtu si edhe Malta, nuk flasin për tolerancën, por praktikojnë tolerancën.”

Anglu Farrugia, viziton Shqipërinë në kuadër të sesionit plenar të Parlamentit Ndërkombëtar për Tolerancë dhe Paqe, që do të mbahet nesër në Tiranë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın