BALLKANI

Kryeministri Rama takim me komisionerin Hahn

Qëllimi i takimit të realizuar në Tiranë ishte për të diskutuar përparimin në reformat që lidhen me integrimin në BE të Shqipërisë dhe zhvillimet e fundit politike në rajon

Fatjon Cuka   | 18.01.2019
Kryeministri Rama takim me komisionerin Hahn

Tiranë

TIRANË (AA) - Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është takuar me komisionerin e Bashkimit Evropian (BE) për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga zyra e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, theksohet se qëllimi i takimit të realizuar në Tiranë ishte për të diskutuar përparimin në reformat që lidhen me integrimin në BE të Shqipërisë dhe zhvillimet e fundit politike në rajon.

“Komisioneri nënvizoi se është e rëndësishme të vijohet me impulsin e mirë të vitit të kaluar për të dhënë rezultate të prekshme në programin e reformave, çka është vendimtare duke pasur parasysh vendimin e ardhshëm të Këshillit të BE-së lidhur me hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë në qershor 2019. Reforma në drejtësi vazhdon të japë rezultate dhe ristrukturimi institucional i gjyqësorit duhet të përfundojë brenda javëve të ardhshme”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu theksohet se komisioneri Hahn vuri në dukje veprimet e kohëve të fundit kundër krimit të organizuar, sipas tij, si një shenjë pozitive në këtë drejtim. Hahn ka shtuar se lufta kundër krimit të organizuar dhe lufta kundër korrupsionit në të gjitha nivelet mbeten prioritete në marrëdhëniet BE-Shqipëri.

“Komisioneri shprehu shqetësim rreth numrit ende të lartë të aplikimeve të pabazuara për azil nga qytetarë shqiptarë në disa shtete anëtare të BE-së. Shkaqet themelore duhet të trajtohen dhe bashkëpunimi me qeveritë e shteteve anëtare të BE-së, të prekura nga ky fenomen, duhet të intensifikohet më tej”, theksohet më tej në njoftimin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.

Kujtojmë se gjatë ditës së sotme, Hahn vizitoi edhe Kosovën, ku u takua me kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın