BALLKANI

Kosovë, KMK mbështet taksën për mallrat nga Serbia

Kryesuesi i Këshillit për Mbrojtje të Konsumatorit, Sherif Fejzullahu tha se dëmi që vjen nga Serbia ndaj ekonomisë së Kosovës është i lartë prandaj dhe përkrahin vendimin e qeverisë për vendosjen e taksës

Zülfiya Yakup  | 13.11.2018 - Përdıtësım : 14.11.2018
Kosovë, KMK mbështet taksën për mallrat nga Serbia

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Këshilli për Mbrojtje të Konsumatorit (KMK) përkrah vendimin e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e tarifës 10 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina (BeH), u tha në konferencën për media në temë "Të gjithë së bashku kundër dëmit i cili vjen nga Serbia”, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryesuesi i Këshillit për Mbrojtje të Konsumatorit në kuadër të MTI-së, Sherif Fejzullahu theksoi se dëmi që vjen nga Serbia ndaj ekonomisë së Kosovës është i lartë, prandaj dhe përkrahin vendimin e qeverisë për vendosjen e taksës.

“Nuk mund të heshtim kur qeveria serbe në bashkëpunimin ekonomik me Kosovën fiton miliona euro, duke futur produktet e saj në Kosovë, me çka dëmton produktet tona ndërsa nga ana tjetër i tërë potenciali i qeverisë (së Serbisë) është aktiv në tërë botën për të penguar Kosovën në të gjitha integrimet e mundshme”, tha Fejzullahu.

Ai tha se Serbia pengon edhe interkoneksionin elektro-energjetik të Kosovës me Shqipërinë, për çka në vend aktualisht janë në fuqi reduktimet të cilat dëmtojnë tregtarët dhe qytetarët e Kosovës.

Fejzullahu është i mendimit se taksat duhet të rriten akoma më shumë, ose të ndërpritet tërësisht importi nga Serbia ndërsa tregu i Kosovës të orientohet kah Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Kroacia, Turqia dhe vende të tjera.

I pyetur nëse taksat do të rrisin çmimet e mallrave në Kosovë, Fejzullahu tha se interesi kombëtar nuk ka çmim.

Anëtari i Këshillit, Selatin Kaçaniku tha se përkrah secilin vendim i cili do të jetë në favor të Kosovës, duke shtuar se vendimi nuk do të kthehet siç ka ndodhur më parë.

"Po shohim se çfarë po ndodh në treg. Serbia ka përgjegjësinë e vet sepse lejon dhe inkurajon mallrat pa dokumentacion të duhur, me dokumente të falsifikuara që të futen në Kosovë. Shohim se shumë afaristë blejnë mallra të pakontrolluara dhe mallra me cilësi të dyshimtë, mallra që prekin dinjitetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës", tha ai.

Ai shtoi se meqë Serbia e konsideron Kosovën pjesë të territorit të saj, shumica e produkteve të destinuara për Kosovën nuk eksportohen, por llogariten si distribuim.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın