BALLKANI

KFOR-i Turk përuron fushën e sportit dhe parkun për lojëra të shkollës "Dy Dëshmorët"

Zëvendës komandanti i KFOR-it Turk në Kosovë, koloneli Kemal Olçar tha se investimi më i madh për të ardhmen e Kosovës është ajo që bëhet për fëmijët e saj

Sibel Vezaj   | 12.07.2018
KFOR-i Turk përuron fushën e sportit dhe parkun për lojëra të shkollës "Dy Dëshmorët"

Prizren

PRIZREN (AA) - Në fshatin Piranë të Komunës së Prizrenit sot u bë përurimi i projektit të mirëmbajtjes dhe rinovimit të fushës së sportit dhe parkut për lojëra të Shkollës fillore dhe të mesme të ulët "Dy Dëshmorët", i cili u realizua nga Kryesia e Këshillit Turk në Kosovë (KFOR-i Turk), raporton Anadolu Agency (AA).

Në një fjalim rasti, zëvendës komandanti i KFOR-it Turk në Kosovë, koloneli Kemal Olçar tha se investimi më i madh për të ardhmen e Kosovës është ajo që bëhet për fëmijët e saj.

Ai tha se shteti i Turqisë do të vazhdojë gjithmonë mbështetjen e saj për Kosovën. “Mënyra e rritjes së suksesit në edukimin shkollor të fëmijëve mundësohet duke iu siguruar atyre një kohë të mirë në pushime dhe kohën jashtë orarit të shkollës. Në këtë aspekt i kushtojmë një rëndësi të madhe këtyre objekteve”, tha Olçar.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka tha se Kosova ka shumë talentë të sportit, por që atyre po u mungojnë kushtet. Sipas tij, këto fusha të futbollit e të basketbollit si dhe mjetet tjera do të kontribuojnë në ngritjen e talentit të nxënësve dhe se ky është një investim i qëlluar.

"Falënderoj shumë KFOR-in Turk dhe Republikën e Turqisë për kontributin që e kanë bërë jo vetëm në këtë shkollë, por edhe në përgjithësi në Komunën e Prizrenit”, tha ai.

Drejtoresha e shkollës, Liri Bajrami me këtë rast tha se bashkëpunimi me KFOR-in Turk ka filluar që moti dhe se ata kanë qenë të pranishëm në vazhdimësi në këtë shkollë. Ajo tha se i tërë angazhimi i nxënësve dhe lojërat e tyre bëheshin në një fushë me baltë.

"Duke parë investimet e KFOR-it Turk dhe të shtetit të Turqisë në Kosovën tonë, e vetmja mbështetje ishte që t’u drejtohemi këtyre me një projekt, ngase disa herë e kemi dërguar projektin në Drejtorinë e Arsimit, kuvendin komunal por nuk kam hasur në mirëkuptim”, tha ajo, duke shtuar se KFOR-i Turk ofroi mbështetje dhe miratoi projektin pa hezitim.

Fëmijët shprehën gëzim të madh për furnizmin e shkollës së tyre me parkun e lojërave dhe fushën e sportit, ku edhe zhvilluan një ndeshje futbolli.

Projekti është financuar nga Republika e Turqisë në kuadër të Projektit të Bashkëpunimit Ushtarak-Civil të KFOR-it Turk dhe është në vlerë prej rreth 23 mijë e 590 eurosh. Në kuadër të projektit është realizuar asfaltimi i fushës së sportit, montimi i portave të futbollit dhe tabelës së basketbollit, rinovimi i pajisjeve të vjetra të parkut të lojërave, furnizimi me ulëse dhe shporta për mbeturina në ambient të jashtëm dhe ndërtimi i parkut të ri të lojërave për fëmijë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın