BALLKANI

Haradinaj: Kosova e përkushtuar për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal

"Të gjitha projektet, që lidhin Kosovën me Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë, janë dëshmi e përkushtimit tonë për fqinjësi të mirë, për bashkëpunim rajonal", tha Haradinaj

Figen Shaban  | 10.07.2018 - Përdıtësım : 10.07.2018
Haradinaj: Kosova e përkushtuar për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal Burimi: Zyra e Kryeministrit

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka marrë pjësë sot në sesionin e parë të Samitit Bashkimi Evropian (BE) - Ballkani Perëndimor në Londër, i cili po mbahet për të pestën herë në kuadër të procesit të Berlinit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga Zyra e Kryeministrit bëhet e ditur se sesioni i parë i këtij samiti, ka filluar me pritjen e kryeministres së Mbretërisë së Bashkuar, Theresa May, për udhëheqësit e delegacioneve të vendeve anëtare të procesit të Berlinit dhe vendeve anëtare të BE-së.

Në këtë sesion i cili ka për diskutim temën e ekonomisë, Kosova po përfaqësohet nga kryeministri Haradinaj.

Në fjalën e tij në Samit, Haradinaj ka reflektuar mbi situatën aktuale ekonomike në vend, duke thënë se Kosova po ndjekë frymën e procesit të Berlinit dhe në kuadër të kësaj vendi ka krijuar klimë tejet të favorshme për investimet e huaja.

“Kosova tashmë e ka Ligjin për Investime Strategjike, që krijon lehtësira dhe kushte të mira për investitorët e huaj. Në këtë frymë, në këto 6 muajt e fundit Kosova ka themeluar 3 zona të veçanta ekonomike, që përfshijnë një territor prej 150 hektarësh të gatshme për të pritur investitorët e huaj”, ka thënë Kryeministri Haradinaj, duke përmendur edhe projektet e mëdha energjetike, ato të energjisë alternative, planet për mbylljen e 'Kosovës A' dhe rehabilitimin e 'Kosovës B', për përfundimin e të gjitha projekteve rrugore që lidhin qytetet kryesore dhe planet për investimin e mbi 200 milionë eurove bashkëfinancim me BE-në për projektet në infrastrukturën hekurudhore.

“Të gjitha projektet, që lidhin Kosovën me Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë, janë dëshmi e përkushtimit tonë për fqinjësi të mirë, për bashkëpunim rajonal dhe e gjithë puna që po bëhet në Kosovë, është e bazuar mbi vlerat euro-atlantike dhe që është rruga që Kosova po e ndjek”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka paraqitur projektet e Kosovës, të arriturat dhe sfidat me të cilat është duke u përballur Kosova që nga nisja e procesit të Berlinit, duke theksuar përkushtimin e Kosovës për fqinjësi të mirë, zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe rrugën evropiane si e vetmja alternativë.

“Kosova që nga përfshirja e saj në procesin e Berlinit ka qenë e angazhuar në forcimin e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore, rrugën eurointegruese dhe bashkëpunimin ekonomik me të gjitha vendet e përfshira në këtë proces”, ka shtuar kryeministri kosovar, duke vlerësuar rolin e të gjitha vendeve të BE-së në këtë proces.

"Në sesionin e parë dedikuar ekonomisë, ka raportuar edhe Komisioneri i BE-së për Politika Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn për takimin e ministrave të Ekonomisë në Vjenë dhe për të cilin takim kryeministri Haradinaj tha se Kosova do të qëndrojë prapa dakordimeve për bashkëpunim ekonomik rajonal", thuhet në këtë njoftim.

Në këtë samit, merr pjesë edhe delegacioni qeveritar i Shqipërisë i udhëhequr nga kryeministri Edi Rama, delegacioni qeveritar i Maqedonisë i udhëhequr nga kryeministri Zoran Zaev si dhe kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar, Theresa May, kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, kryeministra të tjerë të vendeve evropiane, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın