BALLKANI

Hapet në Durrës Konsullata e Nderit e Republikës së Turqisë

Në aktivitet ishte i pranishëm ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, konsulli i Nderit i Republikës së Turqisë në Durrës, Bahadır Aksoy, zyrtarë të tjerë të ambasadës dhe drejtues të institucioneve vendore në Durrës

Saimir Alija  | 20.11.2018 - Përdıtësım : 21.11.2018
Hapet në Durrës Konsullata e Nderit e Republikës së Turqisë

Durrës

DURRËS (AA) - Në qytetin e Durrësit është hapur Konsullata e Nderit e Republikës së Turqisë gjatë një ceremonie me pjesëmarrjen përfaqësuesve të Ambasadës së Turqisë në Tiranë dhe zyrtarëve vendorë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në aktivitet ishte i pranishëm ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, konsulli i Nderit i Republikës së Turqisë në Durrës, Bahadır Aksoy, zyrtarë të tjerë të ambasadës dhe drejtues të institucioneve vendore në Durrës.

Në fjalën e tij, ambasadori, Yörük tha se konsullata e nderit do të ketë një detyrë të rëndësishme për të pasur kontakte me autoritetet lokale të Qarkut të Durrësit.

“Sot realizova një vizitë qytetin e Durrësit me personelin e ambasadës së Turqisë në Tiranë. Sot ishte një ditë e lumtur dhe e veçantë për ne për dy arsye. Krahas ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë, është edhe një përfaqësi tjetër e Republikës së Turqisë në Durrës. Durrësi, krahas Tiranës është një qytet tepër i rëndësishëm ku ka shumë lëvizje dhe me potenciale të madha në fushën e tregtisë. Gjithashtu në Durrës ka një prani të rëndësishme të biznesit turk, të biznesmenëve turq. Porti i Durrësit është një port i rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për gjithë rajonin”, u shpreh ambasadori turk.

Në fjalën e tij, prefekti i Qarkut të Durrësit, Roland Nasto, theksoi se hapja e konsullatës tregon që marrëdhëniet mes dy vendeve janë të një niveli shumë të lartë miqësor dhe vëllazëror.

“Kjo zyrë që po hapet sot, konsullata e nderit, do të jetë një nga zërat dhe ndihmëse për shtetasit turq që ndodhen në territorin e Durrësit, por në të njëjtën kohë dhe për qytetarët e Durrësit apo për aktivitete të ndryshme në lidhje me Turqinë”, u shpreh Nasto.

Ndërsa konsulli i Nderit i Republikës së Turqisë në Durrës, Bahadır Aksoy, në fjalën e tij tha: “Jam i sigurtë që i njëjti bashkëpunim do të tregohet edhe gjatë veprimtarisë sonë. Dyert e konsullatës sonë do të jenë gjithmonë të hapura si për shtetasit turq ashtu edhe për shtetasit shqiptarë”.

Gjatë qëndrimit në qytetin bregdetar të Durrësit, ambasadori Yörük zhvilloi takime me zyrtarë vendorë të qytetit, ku takoi kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Gjatë këtij takimi, ambasadori i Turqisë në Tiranë, tha se qëllimi i vizitave që po zhvillon në qytete të ndryshme të Shqipërisë është që marrëdhëniet e shkëlqyera politike që janë mes dy shteteve dhe dy qeverive të shtrihen edhe në qytete, për të parë mundësitë e përbashkëta për investime.

Gjithashtu ambasadori zhvilloi takime edhe me prefektin e Qarkut të Durrësit, Roland Nasto, drejtorin e Policisë së Qarkut të Durrësit, Alfred Çepe, drejtorin e Autoritetit Portual në Durrës, Afrim Bakaj si dhe me kryeprokuroren e Durrësit, Anita Jella.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın