BALLKANI

Eurodeputetët thirrje qytetarëve të Maqedonisë të dalin në referendum

“U drejtohem të votoni pozitivisht. Po ashtu, dua të them se është e drejtë sovrane e çdo qytetari të vendit si do të votojë dhe vendimi do të jetë vendim i njerëzve të Maqedonisë, popullit të Maqedonisë”, u shpreh Kukan

Husameddin Gina  | 21.09.2018 - Përdıtësım : 22.09.2018
Eurodeputetët thirrje qytetarëve të Maqedonisë të dalin në referendum

Shkup

SHKUP (AA) - Eurodeputetët Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein, të cilët qëndrojnë për vizitë pune nga dita e djshme në Maqedoni, duke u bërë thirrje qytetarëve që të dalin në referendumin për çështjen e emrit, theksuan se raundi i dytë i dialogut “Jean Monnet” do të fillojë në dhjetor ose në janar të vitit të ardhshëm, raporton Anadolu Agency (AA).

Eurodeputetët të cilët u adresuan në një konferencë për media në Zyrën e Delegacionit të Bashkimit Evropian (BE) në Shkup, pas takimeve me kryetarin dhe nënkryetarin e Kuvendit, si dhe koordinatorët e partive politike, theksuan se kanë patur një konfirmim të qartë nga të gjithë bashkëbiseduesit për vlerën e dialogut “Jean Monnet” dhe se i njëjti duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen.

"Apeluam partitë politike që të japin ide shtesë për përparësitë e mundshme të ardhshme për dialogun. Ne ramë dakord të mbajmë dialogun e dytë ‘Jean Monnet’ në vend. Ne, po ashtu, ramë dakord që takimi i radhës duhet të zhvillohet në dhjetor apo janar të vitit të ardhshëm”, tha eurodeputeti Kukan.

Kukan, po ashtu, personalisht u bëri thirrje qytetarëve që të dalin në referendum, sepse sipas tij, është një moment historik për zhvillimin e vendit.

“U drejtohem të votoni pozitivisht. Po ashtu, dua të them se është e drejtë sovrane e çdo qytetari të vendit si do të votojë dhe vendimi do të jetë vendim i njerëzve të Maqedonisë, popullit të Maqedonisë”, u shpreh Kukan.

Eurodeputeti Fleckenstein, nga ana e tij, shprehu kënaqësinë e tij që udhëheqja e opozitës do të mbështesë plotësisht raundin e dytë të dialogut “Jean Monnet” dhe shtoi se vetëm nëse të gjithë janë të përfshirë atëherë dialogu do të ketë kuptim.

Duke iu referuar edhe referendumit, Fleckenstein dërgoi mesazh deri te qytetarët e Maqedonisë, duke theksuar se, “Unë me të vërtetë lutem për miqtë e mi në Maqedoni. Dilni dhe votoni, mos thoni se nuk u intereson”.

Përfaqësuesit e partive parlamentare në Kuvendin e Maqedonisë në takimin e parë në kuadër të dialogut “Jean Monnet” të mbajtur në Ohër në muajin maj, ranë dakord për të promovuar dhe për të lëvizur procesin e integrimit të vendit në BE.

Kujtojmë se më 30 shtator, qytetarët e Maqedonisë do të prononcohen në referendumin që është pjesë e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë, e cila parasheh ndryshimin e emrit të shtetit në Republika e Maqedonisë së Veriut dhe që paraqet kushtin kryesor për anëtarësimin e vendit në NATO dhe çeljen e negociatave me BE-në.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.