BALLKANI

"Dhuna nuk duhet të ketë vend në shkollat e Kosovës"

Edhe pse MASHT-i e ka sanksionuar dhunën në shkolla me infrastrukturë ligjore dhe me kurrikulat arsimore që promovojnë ambiente të sigurta brenda institucioneve, Sahiti tha se përsëri shkollat po përballen me probleme të dhunës

Figen Shaban  | 21.06.2018 - Përdıtësım : 21.06.2018
"Dhuna nuk duhet të ketë vend në shkollat e Kosovës" Erkin Keçi/AA

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Organizata Joqeveritare Qendra e Kosovës për Arsim (KEC) dhe forumZFD, me mbështetjen e UNICEF-it dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) të Republikës së Kosovës prezantoi rezultatet e projektit “Parandalimi i dhunës ndaj fëmijëve dhe rekomandimet", raporton Anadolu Agency (AA).

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Heset Sahiti, gjatë fjalës së tij tha se sipas instrumenteve të standardeve ndërkombëtare, veçanërisht Konventës për të Drejtat e Fëmijës shteti ka për detyrë për t'i mbrojtur ata nga të gjitha format e dhunës.

Edhe pse MASHT-i e ka sanksionuar dhunën në shkolla me infrastrukturë ligjore dhe me kurrikulat arsimore që promovojnë ambiente të sigurta brenda institucioneve, Sahiti tha se përsëri shkollat po përballen me probleme të dhunës.

Sa i përket masave legjislative, Sahiti përmendi Rregulloren për parandalimin dhe reformimin e dhunës në institucionet e arsimit para-universitar, duke bërë të ditur se ajo është aprovuar në nivel qeveritar në vitin 2013 dhe ka filluar të implementohet, por sipas tij kërkon mobilizimin më të gjerë për të arritur zbatim të plotë.

"Kemi gjetur shkaqet (e dhunës) që tashmë i dimë të gjithë, por edhe kemi identifikuar nevojat e hartimit të një protokolli që do të bashkonte forcat e të gjithëve në drejtim të parandalimit, reagimit dhe trajtimit efikas të dhunës në shkolla", u shpreh Sahiti.

Zv/shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, James Mugaju, tha se të gjithë duhet të ju sigurojmë çdo fëmije të këtë mundësinë e shkollimit pa dhunë.

"Dhuna nuk duhet të ketë vend në shkolla dhe dhuna ndaj nxënësve në shkollat e Kosovës dhe në cilindo vend tjetër është e papranueshme. Pra, ne duhet të veprojmë dhe të bëjmë diçka. Dhuna i pengon nxënësit të mësojnë dhe të qëndrojnë në shkollë", tha Mugaju.

Menaxheri i Projektit, Vincent Lungwitz nga ZFD, i cili foli për pjesën e trajnimeve të projektit tha se kanë arritur që t'i trajnojnë një grup të nxënësve dhe mësimdhënësve si ndërmjetësues në konflikte.

Studimet e kryera në Kosovë kanë nxjerrë në pah se më shumë se gjysma e fëmijëve i kanë përjetuar apo kanë qenë dëshmitarë të llojeve të ndryshme të konflikteve ndërmjet bashkëmoshatarëve të tyre. Menaxheri i projekteve në Qendrën për Arsim të Kosovës, Petrit Tahiri, tha se projekti “Parandalimi i dhunës në shkolla”, dëshmon se mundësitë janë të mëdha për të ndërmarrë veprime të cilat parandalojnë këtë dukuri.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.