arsim, Koronavirusi

Qeveria e Kosovës vendos për mbyllje të parakohshme të gjysmëvjetorit shkollor

Kryeministrit Avdullah Hoti tha se gjysmëvjetori i parë shkollor ishte planifikuar të përfundojë më 28 dhjetor, por për shkak të situatës jo të përshtatshme me pandeminë një gjë e tillë po ndryshohet

Agim Sulaj   | 01.12.2020
Qeveria e Kosovës vendos për mbyllje të parakohshme të gjysmëvjetorit shkollor Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Qeveria e Kosovës, së bashku me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë në Kosovë (IKSHPK), kanë marrë vendim që gjysmëvjetori i parë shkollor të mbyllet më 18 dhjetor, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media pas takimit të tij me autoritetet që po menaxhojnë situatën me pandeminë, kryeministrit Avdullah Hoti tha se gjysmëvjetori i parë shkollor ishte planifikuar të përfundojë më 28 dhjetor, por për shkak të situatës jo të përshtatshme me pandeminë një gjë e tillë po ndryshohet.

“Jemi dakorduar që ky gjysmëvjetor të përfundojë me datë 18 dhjetor. Është kërkesë edhe e ministrit dhe unë gjej rastin që t’i lus shkollat, komunat, që të përmbyllin plan-programin e paraparë për këtë gjysmëvjetor më 18 dhjetor. Shkollat pastaj është paraparë të hapen më 18 janar, pra një muaj do të jetë pushimi dimëror, pastaj do të kemi kohë që gjatë pushimit pranveror ose në qershor të kompensojmë ditët që po i shtyjmë fillimin e gjysmëvjetorit të dytë”, tha Hoti.

Hoti tha se gjendja me pandeminë në Kosovë është serioze, por e menaxhueshme.

Sipas kryeministrit, masat e reja të vendosura nga Qeveria e Kosovës para më shumë se dy javësh kanë dhënë efekt pozitiv.

“Gjatë këtyre 18 ditëve që nga vënia e masave të reja për pandeminë është stabilizuar numri me rastet e reja. Tani ndërkohë që po flasim numri i rasteve të reja pozitive është më i vogël sesa numri i të shëruarve dhe unë ndjehem mirë që masat që kemi marrë së bashku në Qeveri kanë dhënë efektin në kufizimin e rritjes eksponenciale të rasteve me COVID-19”, tha Hoti.

Në bazë të sugjerimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), kryeministri Hoti tha se masat aktuale për parandalimin e përhapjes së COVID-19 duhet të vazhdojnë të qëndrojnë, si dhe të ngritet niveli i zbatimit të tyre.

Sa i përket masave që kanë ndikim në ekonomi, Hoti tha se ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, ka marrë përgjegjësi të takojë odat ekonomike, ndërmarrjet dhe bizneset në mënyrë që “të përgatisim masat e reja që do t’i zbatojmë nga java e ardhshme për t’u përgatitur për festa në mënyrë që ne në familjet tona të festojmë më qetë dhe institucionet shëndetësore të kenë mundësi të përballojnë situatën në të cilën po kalojmë”.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın