arsim, BALLKANI

Në Shqipëri fillon viti i ri akademik, studentët kundërshtojnë vaksinimin me detyrim

Procesi mësimor ka filluar në universitet publike dhe jopublike me rikthimin në auditor të studentëve, ndërkohë që masat e vendosura nga autoritetet kanë sjellë edhe reagimin e studentëve duke kundërshtuar disa prej tyre

Fatjon Cuka  | 18.10.2021 - Përdıtësım : 19.10.2021
Në Shqipëri fillon viti i ri akademik, studentët kundërshtojnë vaksinimin me detyrim Foto: Olsi Shehu / AA

Tiranë

Në Shqipëri ka filluar sot viti i ri akademik 2021-2022 në institucionet e arsimit të lartë në të gjithë vendin, raporton Anadolu Agency (AA).

Procesi mësimor ka filluar në universitet publike dhe jopublike me rikthimin në auditor të studentëve, ndërkohë që masat e vendosura nga autoritetet kanë sjellë edhe reagimin e studentëve duke kundërshtuar disa prej tyre.

Në kuadër të masave kundër përhapjes së pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) në auditorët e universiteteve është vendosur që të lejohen vetëm studentët me certifikatë vaksinimi, testin PCR negativ ose vërtetim nga mjeku për pamundësi të kryerjes së vaksinës.

Ndërkohë, në disa fakultete studentët fillimisht janë penguar të hyjnë në auditorë, ndërkohë pas kundërshtimit të studentëve, administratat e universiteteve kanë lejuar hyrjen e tyre.

Institucionet në vend pritet të vendosin në ditët në vijim për mënyrën se si do të vijojë procesi mësimor, pas kundërshtimit të studenteve për disa nga masat.

Nga ana tjetër, një grup studentësh nga fakultetet e Universitetit të Tiranës kanë protestuar kundër vaksinimit me detyrim dhe kundër testit PCR negativ me qëllim lejimin e hyrjes në auditor.

Dhjetëra studentë janë mbledhur para selisë së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, duke bërë thirrje që të mos pengohen për të ndjekur procesin mësimor.

Një pjesë e studentëve kanë kërkuar që të ofrohet test PCR falas nga autoritetet, me qëllim që të kenë mundësi të ndjekim mësimin.

Mesazhe urimi nga zyrtarët e lartë

Me rastin e fillimit të vitit të ri akademik, zyrtarë të lartë të vendit kanë përcjellë mesazhet e tyre të urimit.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, me anë të një mesazhi të publikuar nga zyra e shtypit e Kuvendit të Shqipërisë ka uruar studentët dhe pedagogët për vitin e ri akademik.

"Dërgoj urimet e mia të përzemërta. Ky vit nuk do të jetë i lehtë. Krahas përpjekjeve për dijen, do na duhet të përballojmë edhe betejën për mbrojtjen e jetës", ka theksuar Nikolla.

Kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale ka uruar studentët e pedagogët për një vit sa më të suksesshëm akademik, si dhe ka përsëritur angazhimin "në rritjen e cilësisë së arsimit të lartë, me ndërkombëtarizimin e universiteteve dhe pajisjen e studentëve me aftësi konkuruese si të bashkëmoshatarëve të tyre në BE".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.