arsim

Ministrja shqiptare e arsimit, Kushi: Reformat arsimore janë kyçe për zhvillimin e shoqërive

Ministrja Evis Kushi mori pjesë në Samitin e Arsimit të Stambollit të organizuar nga Fondacioni Maarif i Turqisë

Elif Küçük, Zeynep Rakipoğlu   | 25.11.2021
Ministrja shqiptare e arsimit, Kushi: Reformat arsimore janë kyçe për zhvillimin e shoqërive

Stamboll

Ministrja shqiptare e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, mori pjesë në Samitin e Stambollit për Arsimin të organizuar nga Fondacioni Maarif i Turqisë me temën: “Trendet e reja në arsim dhe transformimi”.

Në samitin online, në të cilin Anadolu Agency (AA) është Partner i Komunikimit Global, ministrja Kushi tha se reformat arsimore janë kyçe për zhvillimin e shoqërive, vizionin për të ardhmen dhe zhvillimin e teknologjive të reja.

Duke u shprehur se trendet e reja fokusohen në situata ku studentët mund të përmirësojnë të kuptuarit dhe arsimin e tyre, Kushi foli për rëndësinë e zhvillimit profesional, digjitalizimit të sistemit arsimor dhe arsimit gjithëpërfshirës. Kushi theksoi se në Shqipëri janë bërë shumë reforma që nga viti 2013, me fokus modernizimin e sistemit arsimor.

Ajo tha se arsyeja e fokusimit në kurrikulat e arsimit është përmirësimi dhe rritja e cilësisë së arsimit, për të siguruar që brezat e rinj të kenë aftësitë e nevojshme, për një jetë të qëndrueshme, qytetari globale dhe një kulturë paqeje.

Duke vënë në dukje se reforma e kurrikulës është sistematike, komplekse dhe shumëdimensionale, Kushi deklaroi:

“Kjo përfshin rishikimin e gjithë kurrikulës, nga arsimi parashkollor, deri tek ai bazik, sekondar dhe ai universitar. Qëllimi i arsimit parashkollor është të sigurojë arsim cilësor për të gjithë fëmijët tanë dhe t’i përgatisë ata për shkollën fillore. Reforma e kurrikulës në arsimin e ulët dhe sekondar është gjithëpërfshirës dhe përfshin karakteristika dhe ndryshime të rëndësishme, si rritja e përgjegjësive të nxënësve në shkollë, autonomisë së tyre dhe shkrim-leximit digjital”.

“Zhvillimi profesional i mësimdhënësve po ashtu konsiderohet si një dimension tjetër i rëndësishëm në këtë reformë. Zhvillimi i vazhdueshëm profesional i mësuesve në Shqipëri është organizuar sipas sistemit kërkesë-furnizim. Bazuar në nevojat e mësuesve, trajnimet koordinohen në nivel rajonal dhe kombëtar”, shtoi ministrja Kushi.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın