Analizë

Tregtia transatlantike e skllevërve: Trashëgimia e lidhjes midis imperializmit, racizmit dhe skllavopronarisë

Për të legjitimuar skllavërinë dhe mizoritë, imperializmi perëndimor hodhi në dritë racizmin, idenë e epërsisë së të bardhëve mbi njerëzit me ngjyrë

27.07.2021 - Përdıtësım : 28.07.2021
Tregtia transatlantike e skllevërve: Trashëgimia e lidhjes midis imperializmit, racizmit dhe skllavopronarisë

Ankara

Ahmet Gençtürk

Katërmbëdhjetë vjet pas dyqindvjetorit të shfuqizimit së tregtisë së skllevërve në Britani, trashëgimia e hidhur dhe kostoja e madhe e tregtisë transatlantike të skllevërve për miliona njerëz me ngjyrë të skllavëruar dolën në dritë javën e kaluar kur Xhamajka njoftoi planin e saj për të kërkuar dëmshpërblime nga Mbretëria e Bashkuar.

Të them të drejtën, Britania nuk ishte as iniciatorja dhe as i vetmi vend evropian i përfshirë në tregtinë e skllevërve, një nga krimet më të mëdha në histori që ende ndjek si fantazmë botën moderne. Ajo u fillua nga Princi Henry Navigatori i Portugalisë (1394-1460) me ekspedita në brigjet e Afrikës perëndimore. Tregtia e skllevërve dhe shfrytëzimi i burimeve natyrore të Afrikës katapultuan Portugalinë nga një vend mjaft i parëndësishëm në këndin jugperëndimor të Evropës në fuqinë e parë globale imperialiste. Duke përdorur Ishujt Kanarie si një bazë, tregtarët portugezë bastisën bregun perëndimor të Afrikës për të kapur skllevërit me ngjyrë që më vonë u shitën në portet mesdhetare. [1]

Portugalia, së bashku me Spanjën, ishte gjithashtu aktori kryesor në tregtinë transatlantike të skllevërve gjatë shekullit të 16-të, i njohur gjithashtu si sistemi i Parë Atlantik, duke transportuar afrikanë të robëruar për të përmbushur kërkesën për punë të detyruar në miniera dhe bujqësi në Amerikën e Jugut. Puna e skllevërve nga afrikanët ishte aq thelbësore për kolonitë amerikane të Spanjës sa që mbreti spanjoll licencoi zyrtarisht tregtinë e skllevërve dhe, nga fundi i shekullit të 16-të, e bëri të detyrueshme që rreth 40.000 afrikanë të dorëzoheshin çdo vit në kolonitë spanjolle në kontinentin amerikan. [2]

Sistemi i Dytë Atlantik i shekullit të 18-të kapërceu atë të mëparshmin për sa i përket vëllimit të afrikanëve të skllavëruar, numrit të aktorëve dhe shteteve evropiane të përfshira, dhe, si pasojë, dëmit të shkaktuar tek afrikanët dhe në kontinentin afrikan. Shkalla e fitimit që do të bëhej, së bashku me kërkesën për fuqi punëtore të lirë të shkaktuar nga Revolucioni Industrial i ri dhe natyra e egër e kapitalizmit, nxiti më shumë vende evropiane, duke përfshirë Holandën, Britaninë, Francën dhe Danimarkën, për të hyrë në tregtinë e egër transatlantike të skllevërve.

Sistemi i dytë, i cili filloi të dominohej nga Britania dhe ishte përqendruar kryesisht në Karaibe, përfshinte jo vetëm një numër tregtarësh, por "qindra deputetë, persona të shquar, nëpunës civilë, biznesmenë, financierë, pronarë tokash, klerikë, intelektualë, gazetarë, botues, marinarë, ushtarë dhe gjykatës, dhe të gjithë këta bënë përpjekje ekstreme për ta ruajtur dhe mbrojtur skllavërinë koloniale", siç thotë autori Michael Taylor. [3] Nga fundi i shekullit të 18-të, kryeministri britanik Willian Pitt njoftoi se 80 për qind e tregtisë së jashtme të Perandorisë Britanike ishte e lidhur me tregtinë transatlantike të skllevërve. [4]

Në periudhën mbi 400-vjeçare të tregtisë së skllevërve, më shumë se 15 milionë afrikanë u larguan nga vendlindjet e tyre dhe u transportuan përtej Atlantikut. Miliona u vranë në këtë periudhë; gjatë rrëmbimit, gjatë udhëtimit disamujor ose në plantacione për shkak të sëmundjeve, kequshqyerjes dhe kushteve çnjerëzore të punës. Në fund të fundit, skllavëria ishte një institucion i bazuar në mizori. Qeniet njerëzore u trajtuan si kafshë - për t'u ankanduar, trajnuar dhe shfrytëzuar në punë deri në vdekje. Familjet u shkatërruan dhe në skllevërit femra iu nënshtruan dhunës seksuale dhe përdhunimit.

Skllavëria luajti një rol të rëndësishëm në prosperitetin e vendeve evropiane të përfshira, veçanërisht të Britanisë, siç thuhet nga Karl Marx dhe Eric Williams. Kontribuoi në zhvillimin e shpejtë të financave, detarisë dhe industrive të Britanisë dhe financoi përparimin e saj teknologjik, si në rastin e motorit me avull nga James Watt, i cili u financua nga pronarët e plantacioneve të sheqerit në Karaibe. [5]

Efektet në Afrikë ishin krejt të kundërta. Kontinenti humbi miliona njerëz që ishin në fazën më produktive të jetës së tyre, veçanërisht nga brigjet perëndimore. I mbetur pa një fuqi punëtore të aftë, zhvillimi bujqësor dhe industrial i Afrikës u dëmtua shumë. Skllavërimi i të rinjve dhe të rejave gjithashtu ndikoi në demografinë e Afrikës perëndimore. Për më tepër, disa vende dhe fise afrikane, kryesisht për përfitime financiare ose politike afatshkurtra, ishin gjithashtu të përfshirë në tregtinë e skllevërve, një fakt që prishi marrëdhëniet brendaafrikane përgjithmonë.

Trashëgimia më afatgjatë, imorale dhe çnjerëzore e tregtisë transatlantike të skllevërve, megjithatë, është racizmi. Në mënyrë që të legjitimonte skllavërinë, imperializmi perëndimor paraqiti njerëzit me ngjyrë si "sub-njerëz", të paqytetëruar dhe inferiorë. Kjo ndodhi shekuj para asaj që bënë nazistët për ta justifikuar gjenocidin e tyre ndaj popullit hebre.

Eric Eustace Williams, politikani dhe historiani i shquar i Trinidadit dhe Tobagos dhe historian i skllavërisë, e përshkroi fenomenin me vend me këto fjalë: "Një kthesë racore [iu dha] asaj që në thelb është fenomen ekonomik. Skllavëria nuk lindi nga racizmi: përkundrazi, racizmi ishte pasojë e skllavërisë". [6]


- Autori është korrespodent në departamentin e Lajmeve në Gjuhën Angleze në Anadolu Agency dhe hulumtues në fushën e historisë në Universitetin Tor Vergata në Romë. Interesimet e tij kërkimore përfshijnë studimet mbi nacionalizmin, historinë transnacionale, studimet mbi Amerikën e Veriut, studimet moderne greke dhe studime turke-osmane dhe politikën e jashtme turke.

* Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të Anadolu Agency

[1] John Thornton, Africa and Africans in the Making of the Atlantic World, 1400–1800 (New York: CUP,1998), 29-31.

[2] G. Scelle, The Slave-Trade in the Spanish Colonies of America: The Assiento, The American Journal of International Law, No. 3 (July 1910), 612-661.

[3] Michael Taylor, The Interest: How the British Establishment Resisted the Abolition of Slavery, (Bodley Head: London, 2020).

[4] David Geggus, The British Government and the Saint Domingue Slave Revolt, 1791-1793, The English Historical Review 96, No. 379 (April 1981): 287.

[5] Dale Tomich, World Slavery and Caribbean Capitalism: The Cuban Sugar Industry, 1760-1868, Theory and Society 20, No. 3 (June 1991): 297-319.

[6] Eric Eustace Williams, Capitalism and Slavery, (Chapel Hill: North Carolina Press,1994), 7.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.