Analizë

Trazirat politike në Ballkan po bëhen të zakonshme

Kriza politike në Bosnjë e Hercegovinë po arrin një pikë të rrezikshme me ndikime të mundshme rajonale

Assoc. Prof. Dr Admir Mulaosmanovic  | 12.11.2021 - Përdıtësım : 15.11.2021
Trazirat politike në Ballkan po bëhen të zakonshme

Stamboll

Assoc.Prof. Dr. Admir Mulaosmanoviç

Autori i shkrimit është ekspert i historisë bashkëkohore botërore dhe ligjëron në Universitetin Ndërkombëtar të Sarajevës (IUS) dhe Departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit të Sarajevës.


Kriza politike në Bosnjë e Hercegovinë po arrin në një pikë të rrezikshme me ndikime të mundshme rajonale. Intensifikimi i thellimit të lidhjeve të veçanta të Serbisë me një nga dy entitetet e Bosnjë e Hercegovinës, Republika Sërpska, përkuan me proceset politike në Ballkanin Perëndimor gjatë dekadës së dytë të shekullit të 21-të dhe themelimi i qeverisë së dominuar nga Partia Progresive Serbe (SNS).

Dokumenti Strategjia për ruajtjen dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet atdheut dhe diasporës dhe atdheut dhe serbëve në rajon (Memorandumi 2) i vitit 2011, i prezantuar publikut boshnjak nga revista "Slobodna Bosna" (mars 2013) ngjalli një kujdes të domosdoshëm në rajoni. [1] Ashtu si Memorandumi i vitit 1986, ky dokument bazohet në politikën e Serbisë së Madhe të "gjakut dhe dheut", sipas së cilës Serbia është deri aty ku jetojnë serbët. Kështu, duke minuar situatën në vendet fqinje. Qëllimi është të zvogëlohen dëmet e Serbisë nga disfatat e luftës, faji dhe përgjegjësia e saj, përpjekja për të barazuar agresorët dhe viktimat, etj. Duke bërë këtë, ata synojnë të mos përballen me të kaluarën, por të fajësojnë të tjerët.

Aktorë destabilizues në rajon

"Bosnjë e Hercegovina është një rast më i veçantë, por edhe shumë më i lehtë se Kroacia dhe Mali i Zi, falë Marrëveshjes së Dejtonit dhe faktit që pas të ashtuquajturës B&H të bashkuar qëndrojnë të bashkuar vetëm muslimanët dhe pjesët e komunitetit ndërkombëtar të fragmentuar, konfuz dhe pa ide. Fakti që pjesë të caktuara të bashkësisë ndërkombëtare nuk do të kishin asgjë kundër ndarjes së BeH-së është një armë jashtëzakonisht e rëndësishme që duhet përdorur në maksimum në realizimin e synimeve të përcaktuara. Duhen disa vite, më së shumti dekada për të realizuar këto qëllime. "[2] Ky citim thuhet në fillim të dokumentit si lajtmotiv dhe në fakt hedh dritë mbi gjithçka që ndodh në Bosnjë e Hercegovinë (BeH), por edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor (BP) gjatë dekadës së fundit.

Duke ndërhyrë, me mbështetjen e Rusisë, në zgjedhjet në Maqedoninë (e Veriut) (2016) dhe duke e dramatizuar vazhdimisht situatën si "skenari maqedonas", Beogradi tashmë është duke destabilizuar në heshtje fqinjin e tij jugor. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç gjithashtu forcoi pozitën e tij dhe lau hesapet me opozitën në vend. [3] Dy zgjedhjet e njëpasnjëshme në Mal të Zi (2016 dhe 2020) treguan edhe më drastikisht se sa e fortë është lidhja midis Beogradit dhe Moskës dhe deri në çfarë mase po sinkronizohen veprimet në BP. Një raport i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) me bazë në Washington ofron një pasqyrë të vlefshme për ndërhyrjet malinje nën kujdesin e mbrojtjes së vëllezërve sllavë, e cila na kthen në kujtimet historike dhe identifikimin e Rusisë së sotme me Perandorinë Ruse dhe Aleancat anti-osmane dy shekuj më parë". [4]

"Pretendimet serbe në rajon po rriten, Serbia ndihet sikur ka fituar zgjedhjet në Mal të Zi dhe kjo nuk mund të kalojë pa pasoja për rajonin ndërsa ëndrra e Vuçiçit për të qenë lider rajonal serb po bëhet një realitet", tha Zharko Koraç për portalin "Istinomer" për çka të gjithë janë të vetëdijshëm, por për disa arsye nuk ishin të gatshëm ta thonin hapur. [5] Në këtë kontekst mund të vërehen iniciativat që vijnë nga Vuçiç, para së gjithash "Ballkani i Hapur".

Iniciativa "Ballkani i Hapur" është problematike

Pikërisht bazuar në Memorandumin 2, i cili përcakton ngritjen dhe qëndrimin hegjemonist në Ballkan, mund të zbulohet se për çfarë shërben kjo "hapje". Narrativa e "Botës Serbe" ka filluar të jetësohet në mënyrë të sinkronizuar, kështu që padyshim, kjo hapje shërben në radhë të parë si integrim i serbëve në rajon. Rifillimi i kontrollit të plotë të Malit të Zi, copëtimi i Kosovës dhe destabilizimi deri në ndarjen e BeH-së janë synimet kryesore që po zbatohen çdo ditë.

Interesante është se Moska mbron "botën serbe" si një koncept humanitar "i cili është i justifikuar dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare". [6] Duke parë nivelin gjeopolitik, ne mund të kuptojmë pozicionin e Rusisë. Alexander Dugin, një teoricient rus i ngritjes dhe epërsisë euroaziatike, beson se boshti i ri duhet të bazohet në konfigurimin trepalësh Berlin-Moskë-Pekin si bartësit e ngritjes së "Perandorisë Euroaziatike" të së ardhmes. Sipas tij, shteti kyç për sigurimin e ndikimit rus në Ballkan është Serbia. Nën ndikimin rus dhe kinez, Serbia duhet të bëhet një forcë që do të dominojë Evropën Juglindore dhe do të sigurojë korridoret ekonomike për në Gjermani. [7]

Si mund të zbatohet kjo teori duke pasur parasysh faktin se ka ndryshime në gjeopolitikë, është një pyetje tjetër. Megjithatë, "Bota Serbe" e propozuar nga liderët serbë nuk është as një koncept kulturor apo humanitar. Përkundrazi, gjithçka ka të bëjë me krijimin e një organi ushtarak, politik dhe të sigurisë ndërkufitare, i aftë për të marrë pjesë në krijimin e një rendi të ri euroaziatik.

Roli i Turqisë në zgjidhjen e krizës

Veprimet e fundit të Milorad Dodik, anëtarit serb të Presidencës së BeH-së, përmes të cilave ai po sulmon shtetësinë boshnjake dhe identitetin boshnjak si dhe paqen në BP, janë pjesë e strategjisë së Moskës për të destabilizuar rajonin për arsyet e veta. Loja e rrezikshme që po luan Dodik ka potencialet për të ndezur tensionet në nivelin më të lartë. Në këtë kuptim, roli i Turqisë dhe presidentit Recep Tayyip Erdoğan ka një rëndësi vendimtare për sigurinë. Këtu, Ankaraja duhet të bëjë më shumë sesa të jetë vetëm si ndërmjetësues. Pas takimeve të presidentit Erdoğan me Bakir Izetbegoviç më 3 nëntor dhe Dodik më 11 nëntor, mundësia e një normalizimi në rajon është më e lartë falë mesazheve të prera të presidentit turk.

Por, gjithashtu, falë mesazheve të dërguara në Moskë, ku thuhet se Dodik po provokon shumë kohët e fundit dhe kjo rrezikon edhe interesat ruse në rajon si dhe fuqive të tjera.

Nuk ka dyshim se Beogradi është duke kalkuluar për ndryshime të mëdha në rendin ndërkombëtar. Pikërisht për këtë arsye duke mbështetur njëkohësisht "Botën Serbe" dhe "Ballkanin e Hapur". Brenda rajonit të integruar, me ndihmën e Moskës dhe Pekinit, po bëhen përpjekje për të ndërtuar një pozicion hegjemonist që do të kënaqë kryesisht interesat e saj në realitetet gjeopolitike në zhvillim. Çfarë do të thotë për Bosnjën dhe për boshnjakët? Lëreni historinë të tregojë leksionet e saj.

[1,2] https://www.slobodna-bosna.ba/vijest/6152/senzacionalno_slobodna_bosna_u_posjedu_tajnog_nacionalnog_dokumenta_sanu_za_rs.html

[3] https://www.slobodnaevropa.org/a/makedonija-srbija-makedonski-scenario-pancic/28461254.html

[4] Heather A. Conley and Matthew Melino (2019). Russian Malign Influence in Montenegro. The Weaponization and Exploitation of History, Religion, and Economics CSIS Briefs. https://csis-website-prod.s3.amazonaws.com/s3fs-public/publication/190514_ConleyandMelino_RussianInfluence_layout_v2.pdf

[5] https://www.istinomer.rs/analize/korac-vucic-se-oseca-jacim-posle-pobede-opozicije-u-crnoj-gori/

[6] https://ba.n1info.com/vijesti/marija-zaharova-srpski-svijet-je-humanitarni-koncept/

[7] https://www.dnevnik.ba/teme/modernizacija-naoruzanja-srbija-postaje-baza-za-rusko-kineski-pohod-na-zapad


* Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të Anadolu Agency.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.