Analizë, BALLKANI

Qasja e Maqedonisë ndaj FETO-s, test i sinqeritetit

Vendimi i Qeverisë së Maqedonisë për ndarjen e mjeteve financiare gazetës "Zaman Maqedoni" të lidhur me organizatën terroriste FETO u përfol fuqishëm në vend dhe rajon dhe shkaktoi reagime të shumta

Ekip  | 31.01.2019 - Përdıtësım : 01.02.2019
Qasja e Maqedonisë ndaj FETO-s, test i sinqeritetit

Shkup

SHKUP (AA) - 

Qeveria e Republikës së Maqedonisë ka publikuar listën e mediave të cilave u janë ndarë mjete financiare nga Programi për Mbështetjen e Shtypjes dhe Shpërndarjes së Mediave të Shtypura për vitin 2018, shkruan Anadolu Agency (AA).

Për marrje të mjeteve nga Qeveria e Maqedonisë kanë aplikuar 13 media, prej të cilave 11 kanë marrë mbështetje financiare. Në mesin e tyre është edhe gazeta "Zaman Maqedoni", e cila është e lidhur me organizatën terroriste FETO, që qëndron pas përpjekjes për grusht shteti në Turqi më 15 korrik të vitit 2016, nga e cila u vranë 251 njerëz dhe rreth 2.200 u plagosën.

Organizata terroriste FETO qëndron prapa një fushate të gjatë për të përmbysur shtetin përmes infiltrimit në institucionet turke, veçanërisht në ushtri, polici dhe gjyqësor.

Vendimi i Qeverisë së Maqedonisë për ndarjen e mjeteve financiare një gazete të afërt me organizatën terroriste FETO u përfol fuqishëm në vend dhe rajon dhe shkaktoi reagime të shumta negative në mesin e partive turke politike në vend dhe organizatave të shoqërisë civile turke. Reagime kishte edhe nga qytetarët e Maqedonisë, nga komunitetet e ndryshme etnike, të cilët në rrjetet sociale shprehën pakënaqësinë për faktin se Qeveria e Maqedonisë ka mbështetur financiarisht një gazetë të lidhur me organizatën terroriste FETO, duke theksuar se populli i Maqedonisë dhe ai i Turqisë janë popuj miqësor që ushqejnë marrëdhënie tepër të mira.

Ambasada e Turqisë në Shkup reagoi duke rikujtuar marrëdhëniet tradicionalisht të mira midis dy vendeve dhe mbështetjen që Turqia ia ofron Maqedonisë në fusha të ndryshme.

Informacionet rreth strukturave të organizatës terroriste FETO ka qenë të njohura për opinionin në Maqedoni dhe institucionet relevante për një kohë të gjatë.

Që nga tentativa e dështuar për grusht shteti në Turqi, kur puçistët e FETO-s u përpoqën të rrëzonin qeverinë e zgjedhur në mënyrë legjitime të Turqisë, lufta kundër këtij problemi dhe nevoja për ta zgjidhur atë vazhdimisht janë diskutuar.

Duke folur për AA, Robert Popovski, ministër pa resor në qeveri përgjegjës për Komunikim, Llogaridhënie dhe Transparencë, u pyet se pse në listën e gazetave që kanë marrë mbështetje financiare nga Qeveria e Maqedonisë gjendet një gazetë e lidhur me organizatën terroriste FETO, duke pasur parasysh se në disa raste vetë zyrtarë të Qeverisë së Maqedonisë, përfshirë kryeministrin Zoran Zaev, kanë theksuar se Maqedonia mbështet Turqinë kundër kësaj organizate terroriste.

Ministri Popovski tha se kriteret për dhënien e mbështetjes për mediat e shtypura në vend janë përgatitur së bashku me Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë, Shoqatës së Mediave të Shtypura dhe janë të specifikuara në mënyrë të qartë, duke shtuar se mundësi për të marrë pjesë në këtë konkurs kanë pasur të gjitha mediat e shkruara që botohen në Republikën e Maqedonisë.

"Unë kurrë nuk do të bëja dallim se cili çfarë medie është, derisa nuk është dorëzuar diçka zyrtare. Ju thoni se shumë njerëz kanë folur, por të dhëna apo ndonjë letër zyrtare nuk ka arritur tek unë nga asnjë palë. Për këto arsye, nuk është specifikuar qartë nëse dikush është në ndojë listë ose jo. Qeveria dhe unë nuk kemi informacion nga asnjë palë. Ndoshta është komentuar, spekuluar, ndoshta në Turqi kjo është shpallur publikisht, por asnjë shkresë nuk ka arritur te ne. Për këto arsye, të gjitha mediat e shkruara që konkurruan morën mbështetjen e qeverisë", tha Popovski.

I pyetur nëse do të merren parasysh reagimet e Ambasadës së Turqisë në Maqedoni dhe ato të partive politike turke dhe organizatave të shoqërisë civile që kanë shprehur pakënaqësinë e tyre me vendimin për ndarjen e mbështetjes financiare nga qeveria për gazetën e lidhur me FETO-n, Popovski tha:

"Gjithmonë do të merret parasysh çdo reagim. Ne jemi të hapur për ta diskutuar këtë me shoqatat dhe komunitetet e gazetarëve. Qeveria nuk vepron vetëm dhe ne do ta shqyrtojmë këtë çështje. Do të merret në konsideratë absolutisht", tha Popovski.

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Mlladen Çadikovski, i pyetur në lidhje me rastin, tha se ai nuk e di se cilat media janë të përfshira në projekt, sepse, siç u shpreh ai, përfshirja e mediave ishte një procedurë e cila ka kërkuar plotësimin e kritereve të caktuara. Në lidhje me atë nëse do të merren parasysh reagimet kundër kësaj mbështetjeje financiare për gazetën e lidhur me FETO-n, Çadikovski tha se në qoftë se deri tek ata arrin ndonjë kërkesë, ajo do të shqyrtohet pavarësisht nga cili institucioni vjen dhe se bordi drejtues i SHGM-së do të marrë vendim, duke vënë në dukje se ata "janë në anën e gazetarëve në të gjitha situatat".

- Deklarata nga përfaqësues të Qeverisë së Maqedonisë në mbështetje të Turqisë kundër organizatës terroriste FETO

Për sa u përket deklaratave të mëparshme, duhet theksuar se përfaqësues të Qeverisë së Maqedonisë në mënyrë të përsëritur kanë thënë se Maqedonia mbështet luftën e Turqisë kundër FETO-s, por përveç deklaratave të mbështetjes, ende nuk është hedhur asnjë hap konkret në këtë drejtim.

Përkundrazi, siç mund të shihet, Qeveria e Maqedonisë i jep mbështetje financiare në vlerë prej 903.092 denarësh (rreth 14.670 euro) gazetës "Zaman Maqedoni", e cila është e njohur për lidhjen e saj me FETO-n.

Në këtë kontekst është edhe deklarata e kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev gjatë kremtimit të Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke më 21 dhjetor të vitit 2017, kur ai tha se Maqedonia mbështet luftën e Turqisë kundër organizatës terroriste FETO.

"Dy vendet tona nuk kanë çështje të hapur. Maqedonia mbështet Turqinë kundër organizatës terroriste FETO dhe ne do ta dëshmojmë këtë me miqësinë tonë në të ardhmen", ishte shprehur Zaev.

Me këtë rast, Zaev gjithashtu kujtoi se nga Republika e Turqisë, si një anëtare e NATO-s, Maqedonia vazhdimisht merr përkrahje të pakursyer dhe të plotë për arritjen e aspiratave të saj.

Zaev tha se Turqia është ndër donatorët më të mëdhenj të pajisjeve për Armatën e Republikës së Maqedonisë, duke thënë se qeveria e ka pranuar marrëveshjen për bashkëpunim ushtarak financiar ndërmjet Ministrive të Mbrojtjes të Maqedonisë dhe Turqisë, e cila parasheh mbështetje me vlerë prej 1,5 milion dollarësh nga Turqia për Maqedoninë.

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, gjatë një vizite të fundit zyrtare në Turqi, në një konferencë të përbashkët për media me homologun turk Mevlüt Çavuşoğlu, tha se Maqedonia fuqimisht qëndron në anën e Turqisë në luftën e rëndësishme kundër terrorizmit.

"Maqedonia çdo herë do të vazhdojë të jetë pranë Turqisë në luftën e saj me terrorin. Në këtë kontekst, edhe në kuadër të detyrimeve tona kombëtare edhe ndërkombëtare, kemi edhe dëshirë edhe vullnet politik për t'i ndihmuar Turqisë", u shpreh ai.

Ndër të tjera, shefi i diplomacisë maqedonase gjatë vizitës në Ankara, marrëdhëniet midis Maqedonisë dhe Turqisë i quajti me një fjalor jodiplomatik, siç tha ai vetë, duke theksuar se ato janë "romantike".

"Marrëdhëniet mes dy vendeve janë aq të afërta, aq të mira, saqë nuk ndikohen shumë nga ideologjitë aktuale politike. Ato janë të rrënjosura thellë te njerëzit, bizneset dhe qytetarët e dy vendeve", kishte deklaruar Dimitrov, duke shtuar se të dy vendet mund të bëjnë edhe më shumë përmes fokusimit dhe vendosjes së prioriteteve.

- Mbështetja e Turqisë për Maqedoninë për qëllime strategjike, anëtarësim në BE dhe NATO

Dihet mirë se Turqia mbështet Maqedoninë në qëllimet e saj strategjike, anëtarësimin në BE dhe NATO.

Që nga pavarësia e Maqedonisë, Turqia e njeh vendin me emrin e saj kushtetues dhe në të gjitha dokumentet e NATO-s në të cilat nuk është përmendur emri kushtetues, nga Turqia me një fusnotë është theksuar se ky vend e njeh Maqedoninë me emrin e saj kushtetues - Republika e Maqedonisë.

Po ashtu, lidhur me zgjidhjen e mosmarrëveshjes rreth emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë, Turqia mirëpriti ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës, në kuptimin se është hequr pengesa përpara anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE.

- Marrëdhëniet e gjata strategjike midis Maqedonisë dhe Turqisë

Në lidhje me marrëdhëniet miqësore dhe strategjike midis Maqedonisë dhe Turqisë, në një intervistë për AA në korrik të vitit të kaluar kishte folur edhe Stevo Pendarovski, koordinatori kombëtar i Maqedonisë për NATO-n.

“Gjatë 27 viteve të fundit, nga pavarësia jonë Turqia gjithmonë ka dhënë mbështetje të pakushtëzuar në cilindo institucion ndërkombëtar. Nuk thonte ‘ne do t’ju mbështesim, por kërkojmë një kthim’, asnjëherë nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Nëse bëhet një krahasim në kuptimin e partnerëve tanë strategjik, të tipit të tillë të mbështetjes standarde dhe të vazhdueshme, përfshirë edhe SHBA-të, Turqia me siguri është në krye të listës, e cila edhe më konsekuente se SHBA-të, në të gjitha këto vite ka dhënë mbështetje dhe nuk ka patur asnjë mendim nëse duhet apo jo të bëhet pavarësisht se kush ka qenë në pushtet në Turqi”.

Megjithatë, përveç lëvdatave rreth marrëdhënieve mes dy vendeve, veçanërisht në aspektin e përkrahjes së Turqisë për qëllimet strategjike të Maqedonisë, nuk ka aspak masa të marra në lidhje me kërkesat e Turqisë për luftën kundër organizatës terroriste FETO, e cila ka rezultuar të jetë kërcënim jo vetëm për sigurinë e Turqisë, por edhe për të gjitha vendet në të cilat ajo është e pranishme me strukturat e saj.

- Projektet e shumta të institucioneve turke në Maqedoni

Nga ana tjetër, vlen të theksohet fakti se Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), e cila në Maqedoni vepron që nga viti 2005, ka realizuar mbi 900 projekte në fusha si arsimi, shëndetësia, infrastruktura dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore.

Qendra kulturore turke, Instituti Yunus Emre - Shkup, organizon aktivitete të ndryshme kulturore dhe shkencore, duke përfshirë kurse në gjuhën turke, në të cilat marrin pjesë anëtarë të shumta të Armatës së Republikës së Maqedonisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes dhe personalitete të shumta nga sektori publik.

Përveç politikës dhe kulturës, në mesin fushave të mbështetura gjendet edhe sporti, sferë në të cilën kompanitë turke në Maqedoni vazhdimisht u japin mbështetje klubeve sportive, veçanërisht në basketboll.

Krahas marrëdhënieve të mira mes vendeve në nivelin politik, ekonomik dhe kulturor, edhe populli i Turqisë dhe ai i Maqedonisë ushqejnë respekt të ndërsjellë dhe konsiderohen si popuj vëllazëror, duke pasur parasysh vlerat e shumta të përbashkëta kulturore dhe historike dhe afërsinë që buron nga bashkëjetesa e gjatë në hapësirat e Ballkanit.

Organizata terroriste FETO me përpjekjen e saj të pasuksesshme për grusht shteti në Turqi në vitin 2016 u shkaktoi dhimbje të gjithë atyre njerëzve të pafajshëm të cilët dolën për të mbrojtur atdheun e tyre nga puçistët dhe për ta ruajtur atë, me ç'rast mijëra njerëz u plagosën dhe qindra u vranë.

Këta qytetarë të Turqisë, si dhe qytetarë të shumtë nga komuniteti turk në Maqedoni, besojnë se me çdo lloj mbështetjeje për terroristët e FETO-s, u shkaktohet dhimbje plagëve të tyre ende të pashëruara nga akti tradhtar, por në të njëjtën kohë vë në pyetje miqësinë e sinqertë dhe qasjen vëllazërore ndaj shtetit dhe popullit turk, të cilët gjithmonë kanë mbështetur pa kushte Maqedoninë dhe qytetarët e saj, në të gjitha fushat e rëndësishme të jetës së përditshme.

Nga të gjitha këto arsye të përmendura, populli turk në Maqedoni dhe qytetarët e Turqisë, presin qasje serioze të institucioneve të Maqedonisë në lidhje me luftën kundër organizatës terroriste FETO.

Të vetëdijshëm për faktin se Turqia mbështet Maqedoninë nga ditët e para të pavarësisë në vitin 1991, shtetasit turq dhe institucionet zyrtare presin që hapat për luftimin e terrorizmit të korrespondojnë me deklaratat e politikanëve të lartë të Maqedonisë, të cilët e kanë quajtur Turqinë vend mik dhe vëllazëror, në kuptimin që "armiku i mikut tim është edhe armiku im".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın