Analizë

Çfarë pritet nga mosmarrëveshja e digës së Nilit pas mbushjes së fazës së dytë të Etiopisë?

Ndërsa mbushja e fazës së dytë të Etiopisë paraqet një goditje për përpjekjet e negociatave, duket se "tensionet e ftohta" midis Kajros dhe Addis Ababës, tani për tani, do të mbeten një pikë grindjeje sesa të shpërthejnë në një konflikt të hapur

27.07.2021
Çfarë pritet nga mosmarrëveshja e digës së Nilit pas mbushjes së fazës së dytë të Etiopisë?

Stamboll

Jonathan Fenton-Harvey

Pas negociatave të pafundme mbi Digën e Rilindjes së Madhe Etiopiane (GERD) në lumin Nil, tensionet përsëri janë rritur pasi Addis Ababa papritmas njoftoi se kishte përfunduar mbushjen e fazës së dytë të digës më 19 korrik. Ky hap është një provokim tjetër për Egjiptin, ku Presidenti Abdel Fattah al Sisi kishin paralajmëruar më parë se kjo ishte një vijë e kuqe dhe mbushja e mëtejshme e digës mund të nxisë edhe veprime ushtarake.

Menjëherë pas përfundimit të fazës së dytë, Kryeministri i Etiopisë, Abiy Ahmed, u përpoq të zbuste frikën e të dy shteteve në rrjedhën e sipërme, Egjiptin dhe Sudanin, duke theksuar në një deklaratë më 20 korrik se "mbushja e dytë e GERD ka përfunduar me sukses gjatë sezonit të shiut me kujdes. Kjo mbushje nuk do të dëmtojë vendet në rrjedhën e poshtme".

Megjithatë, duke pasur parasysh që Kajro dhe Khartoum të dyja e kanë quajtur digën një "kërcënim të sigurisë kombëtare", deklarata e Ahmed nuk do të ketë efekt të madh për të qetësuar shqetësimet e tilla. Mbi të gjitha, rreth 80 për qind e furnizimit me ujë të Kajros vjen nga Nili dhe qyteti është mbështetur në lumë në aspektin social dhe ekonomik që nga kohërat antike. Sudani, një shtet tjetër në rrjedhën e sipërme, gjithashtu ka deklaruar se diga mund të privojë nga uji 20 milionë civilë sudanezë.

Sisi përsëriti paralajmërimet e tij rreth rreziqeve që diga paraqiste për Egjiptin. Në një konferencë më 15 korrik që solli fillimin e projektit "Haya Karima" (Jeta e denjë) për zhvillimin e zonës rurale të Egjiptit, presidenti egjiptian në një konferencë të zymtë tha: "Çdo pikë uji që rrëmbehet për shkak të digës do të thotë mungesë e ujit që përdoret për pije, ujitje dhe prodhim në Egjipt, që çon në kolapsin e të gjithë shtetit egjiptian".

GERD ka qenë një burim tensioni, pasi Etiopia gjithashtu thotë se i duhet diga për të gjeneruar energji elektrike dhe për të përmirësuar jetën e 115 milionë banorëve të saj, shumë prej të cilëve u është dashur të jetojnë me mungesë të energjisë. Kjo gjithashtu vjen në një kohë kur Etiopia është përballur me krizë financiare në rritje nga pandemia e koronavirusit dhe shpenzimet e saj në luftën me separatistët në provincën Tigray të Etiopisë që nga nëntori i vitit 2020. Problemet ekonomike në të tre vendet qartë po hedhin benzinë në këtë mosmarrëveshja mbi të drejtat për qasje në ujërat e Nilit.

Megjithatë, një konflikt i afërt nuk ka gjasa të ndodhë në këtë kohë, dhe sigurisht jo në të ardhmen e afërt. Gjithashtu është e rëndësishme të theksohet se Egjipti ka përdorur edhe më parë kërcënimin e luftës, si në krizën libiane, ku ndërhyrja e Turqisë për të mbështetur Qeverinë e Pajtimit Kombëtar të njohur ndërkombëtarisht (GNA) vitin e kaluar nxiti Sisin të shpallte qytetin Sirte një "vijë të kuqe" për Egjiptin.

Për më tepër, shumë analistë egjiptianë pajtohen se preteksti i luftës ka për qëllim kryesisht rreshtimin e egjiptianëve pas regjimit dhe nxitjes së ndjenjave nacionaliste, veçanërisht duke pasur parasysh që Sisi është përballur me protesta sporadike dhe pakënaqësi në rritje sociale si rezultat i sfidave të tij ekonomike nga pandemia COVID- 19. Prandaj, në këtë pikë, Sisi nuk ka gjasa të ndjekë kërcënimet e tij. Kështu, topi është tërësisht në fushën e tij, veçanërisht duke pasur parasysh qëndrimin më miqësor të Sudanit ndaj Etiopisë dhe faktin që është konsideruar më shumë si një negociator midis Kajros dhe Addis Ababës.

Për momentin mund të mbizotërojë një "konflikt i ngrirë", ndërkaq përpjekjet ndërkombëtare do të jenë thelbësore për arritjen e një skenari në interes për të tre vendet.

Megjithatë, ndërsa SHBA-ja dhe BE-ja nuk kanë arritur të bien dakord mbi një strategji koherente në lidhje me mosmarrëveshjen e Nilit, aktorë të tjerë globalë dhe rajonalë kanë marrë iniciativat e tyre. Sidoqoftë, për shkak se vende të caktuara, si Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe Rusia, mund ta ndjekin këtë për interesat e tyre, kjo mund të përkeqësojë polarizimin brenda mosmarrëveshjes.

Për pjesën më të madhe, Liga Arabe ka mbështetur Egjiptin. Në qershor, Liga Arabe bëri thirrje që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) të miratojë një rezolutë që dënon planet e Etiopisë dhe mbron sigurinë e ujit të Egjiptit dhe Sudanit, që Sekretari i Përgjithshëm Ahmed Aboul Gheit e përshkroi si vendimtar për sigurinë kombëtare arabe. Shtetet e tjera të Ligës Arabe gjithashtu kanë shprehur mbështetje për të drejtat e Egjiptit dhe Sudanit, ndërkaq ministri i Jashtëm i Katarit, Sheik Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, e përshkruan këtë si një "qëndrim të bashkuar arab".

Roli i Katarit mund të konsiderohet i rëndësishëm, duke pasur parasysh tensionet e tij të kaluara pas krizës së Gjirit, ku Egjipti u bashkua me Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin në bllokimin e Dohas. Por, marrëdhëniet egjiptiane dhe të Katarit kanë lulëzuar që nga samiti i Al Ula janarin e kaluar, pas të cilit u rivendosen lidhjet midis Katarit dhe vendeve bllokuese, ku Doha tani miraton qëndrimin e Ligës Arabe dhe favorizon të drejtat e Kajros në ujërat e Nilit.

Mes tensioneve delikate gjeopolitike midis Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Katarit, kryesisht të nxitura nga antagonizmi i vazhdueshëm i Abu Dhabit ndaj Dohas pavarësisht zgjidhjes së bllokadës së Gjirit, përpjekjet e Emirateve për të kënaqur Etiopinë mund të shtojnë edhe më shumë benzinë në zjarr, pasi ajo gjithashtu ka tensione të buta me Kajron. Mbi të gjitha, mbështetja e saj për qëndrimin e Etiopisë ka përkeqësuar tensionet me Egjiptin, përkundër marrëdhënieve të forta historike që u bënë edhe më të forta kur Abu Dhabi luajti rol vendimtar në mbështetjen e grusht shtetit ushtarak në vitin 2013 që instaloi Sisi-n si sundimtari të Egjiptit.

Ndërsa disa fuqi rajonale mund të kenë interesat e tyre, paaftësia e SHBA-së dhe BE-së për të zgjidhur mosmarrëveshjen mund t'i japë Rusisë një dritë jeshile për të marrë përgjegjësinë, megjithëse kjo gjithashtu do të thotë që Rusia mund të përpiqet të rritë ndikimin e saj me Etiopinë dhe të mbështesë qëndrimin e Addis Ababa në Nili edhe pse Moska ka mbajtur marrëdhënie të forta me Kajron që kur Sisi erdhi në pushtet në 2013, duke përfshirë lidhjet ushtarake dypalëshe. Ajo mund të shohë një mundësi më të madhe për të forcuar marrëdhëniet me Etiopinë, duke pasur parasysh që Egjipti mbetet një aleat më i afërt me Perëndimin, i cili kufizon aftësinë e Moskës për të zgjeruar ndikimin e saj të politikës së jashtme në Afrikë.

Konkurrenca gjeopolitike ose "lufta e ftohtë" mbi digën mund të jetë një term i fortë në këtë pikë. Por vende të ndryshme duan të përfitojnë nga mosmarrëveshja dhe ta përdorin atë për të zgjeruar ndikimin e tyre rajonal. Prandaj, ndërsa mbushja e fazës së dytë të Etiopisë është një goditje për përpjekjet e negociatave, duket se tensionet e ftohta midis Kajros dhe Addis Ababës, tani për tani, do të mbeten një pikë grindjeje sesa të shpërthejnë në një konflikt të hapur. Megjithatë nëse këto tensione mbeten të pazgjidhura, kërcënimet e mëtejshme të veprimit ushtarak mund të bëhen me të mundshme në të ardhmen, veçanërisht nëse rreziqet bëhen më kritike për Egjiptin.

* Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të Anadolu Agency.​​​​​​​

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.