Analizë

BE është garantues i politikës së migracionit të paligjshëm të Greqisë

Nëse analizojmë politikën e migrimit të qeverisë greke, nuk është ekzagjerim të themi se kjo politikë bazohet në masa të ashpra, të bindjes së paligjshme dhe johumane.

Doç. Dr. İsmail Şahin   | 02.12.2021
BE është garantues i politikës së migracionit të paligjshëm të Greqisë

Stamboll

Doc. Dr. Ismail Sahin

Autori është profesor në Departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Haci Bayram Veli në Stamboll

Ka shumë prova të shkruara dhe vizuale në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar se autoritetet greke po i dëbojnë në mënyrë ilegale emigrantët që vijnë në kufijtë e saj dhe i shtyjnë me forcë drejt territorit të Turqisë. Në këtë kuadër, është e nevojshme të vihet në dukje jo vetëm siguria e kufijve, por edhe detyrimet ndërkombëtare të Greqisë që rrjedhin nga konventat ndërkombëtare ndaj azilkërkuesve. Sepse mbrojtja që theksojnë autoritetet greke dhe bazohet në sigurinë kufitare nuk ka asnjë shpjegim ligjor.

Duhet theksuar se Greqia si anëtare e Bashkimit Evropian (BE) është e detyruar të respektojë Kartën e të Drejtave Themelore të BE-së. Sipas Traktatit të Lisbonës, i cili hyri në fuqi më 1 dhjetor 2009, shtetet anëtare të BE-së janë të detyruara të veprojnë në përputhje me Kartën.

Aty u miratua parimi "non-refoulement“ për azilkërkuesit apo parimi i moskthimit. Sipas nenit 19 të Kartës, askush nuk guxon të kthehet, dëbohet ose ekstradohet në një shtet në të cilin ekziston rreziku serioz për t'iu nënshtruar dënimit me vdekje, torturës, trajtimeve ose dënimeve të tjera çnjerëzore ose poshtëruese. Themeli kryesor i këtij parimi bazohet në Konventën e Gjenevës të vitit 1951, e cila përcakton qartë se azilkërkuesit që kanë arritur në kufijtë e shteteve nuk do të kthehen në asnjë rrethanë.

Kushtet nuk janë të sigurta, dinjitoze dhe humane

Konventa parashikon se refugjatëve që hyjnë në territorin e një vendi pa leje duhet t'u jepet e drejta për t'u paraqitur para autoriteteve kompetente pa vonesë dhe të ofrohet kohë e arsyeshme dhe lehtësira të nevojshme për të siguruar pranimin e tyre në vende të tjera. Siç mund të kuptohet qartë, parimi i "non-refoulement" është bërë një nga parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe të BE-së. Nga ana tjetër, duhet theksuar se sipas Konventës së Gjenevës, azilkërkuesit mund të dëbohen për arsye të sigurisë kombëtare ose rendit publik. Megjithatë, edhe në këtë rast, është e rëndësishme që procedurat ligjore të zhvillohen në mënyrë transparente dhe t'u njihet e drejta për gjykim të drejtë, e cila do t'u sigurojë refugjatëve të gjitha llojet e mundësive ligjore.

Nëse analizojmë politikën e migrimit të qeverisë greke, nuk është ekzagjerim të themi se kjo politikë bazohet në masa të ashpra, të bindjes së paligjshme dhe johumane. Pasi që kthimi me forcë i emigrantëve nga autoritetet greke, para së gjithash është shkelje, në kundërshtim me parimin e ligjit ndërkombëtar të mos dëbimit dhe në këtë kontekst është praktikë e paligjshme. Megjithatë, autoritetet greke refuzojnë të pranojnë akuzat për "kthim të detyruar të emigrantëve" në Detin Egje. Athina pretendon se raportet janë të pavërteta dhe të bazuara në akuza të qëllimshme nga Turqia.

Pretendimet e rreme të Athinës

Qeveria greke në deklaratat zyrtare pretendon se ka bërë sakrificë të madhe për të luftuar trafikantët e qenieve njerëzore dhe parandalimin e humbjeve të jetëve, duke ndaluar kështu në masë të madhe trafikimin e paligjshëm të njerëzve drejt Evropës. Por, mund të thuhet se deklaratat e Athinës për këtë çështje nuk janë bindëse. Deri në atë masë që organizatat për mbrojtjen e refugjatëve dhe zyrtarët evropianë e dënuan hapur Greqinë me arsyetimin se autoritetet greke shkelën ligjin ndërkombëtar dhe vlerat themelore evropiane. Shumë gazetarë jashtë Turqisë kanë dëshmuar personalisht se rojet bregdetare greke po shtypin refugjatët në Detin Egje dhe të njëjtat ia kanë paraqitur me detaje skenat çnjerëzore që kanë hasur opinionit ndërkombëtar. Gazetarët kanë konfirmuar edhe një herë se Greqia, siç pasqyrohet në raporte të shumta ndërkombëtare, po i shtyn refugjatët nga Deti Egje në ujërat territoriale turke.

Një tjetër pretendim i Athinës është se Turqia mbështet migrimin ilegal në Detin Egje, gjë që rrit tensionet në rajon. Por, studimet tregojnë se autoritetet greke jo vetëm që i shtynë anijet e emigrantëve të kapur në det në ujërat territoriale turke, por i kanë kapur edhe ata refugjatët që arritën të mbërrinin në ishujt grekë dhe i shtynë përsëri në ujërat territoriale turke. Për shembull, personat që u vërtetua se kishin mbërritur në ishullin Lesbos me fotografi dhe të dhëna elektronike, më vonë u kthyen me varka në ujërat territoriale turke nga autoritetet greke.

Sipas konventave ndërkombëtare, Greqia është e detyruar të zbarkojë në mënyrë të sigurt emigrantët, t'i regjistrojë ata dhe të hetojë nëse kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare. Megjithatë, në vend që të ndjekin këtë rrugë ligjore, autoritetet greke preferojnë të dëbojnë persona në kushte të rrezikshme pa nisur procedurat e azilit. Në këtë pikë, është mjaft befasuese që autoritetet e BE-së i kanë bërë thirrje Turqisë që të vazhdojë të pranojë emigrantë, kërkesat e të cilëve për azil nuk janë pranuar. Është e qartë se Greqia nuk po zbaton një proces të tillë.

Shqetësimet gjeopolitike dhe ideologjike të Evropës

Ajo që BE-ja duhet të bëjë në këtë moment është të bindë disi Athinën që të nisë një procedurë azili për Greqinë. Nuk ka dyshim se barra më e madhe e krizës së refugjatëve qëndron mbi supet e Turqisë. Vendet evropiane kanë shmangur sa më shumë përmbushjen e detyrimeve për ta ndarë këtë barrë. Tani, duke mos zbatuar një politikë parandaluese ndaj Greqisë, po provokojnë vazhdimin e masave që autoritetet greke po përdorin në mënyrë të papërgjegjshme.

Në këtë kontekst, është kontradiktore që autoritetet e BE-së, nga njëra anë, deklarojnë se Athina ka shkelur hapur ligjin e BE-së dhe të drejtën ndërkombëtare, ndërsa nga ana tjetër, ata shohin se si mijëra azilkërkues nuk mund të kalojnë të sigurt nëpër Mesdhe dhe Egje. Ndoshta arsyeja e kësaj kontradikte është klima politike ksenofobike që po përhapet me shpejtësi në Evropë. Mund të thuhet se kjo klimë pengoi reagimet serioze të Evropës ndaj “qasjes penale” të Greqisë ndaj azilkërkuesve.

Aspekti më i rrezikshëm i këtij procesi është se qasja kundër emigrantëve dhe ksenofobike gradualisht po normalizohet dhe po bëhet e zakonshme në Evropë. Fatkeqësisht, vështirësitë ekonomike të shkaktuara nga epidemia e COVID-19 kanë ndikuar shumë në përhapjen e ideologjisë së “dehumanizimit” ndaj refugjatëve. Sipas kësaj pikëpamjeje, refugjatët kërcënojnë integritetin kombëtar, rendin dhe sigurinë publike, si dhe mënyrën evropiane të jetesës. Pra, këta janë njerëz ilegalisht agresivë që nuk meritojnë ndihmë dhe mbrojtje. Duke parë klimën politike dhe praktikën që mbizotëron nga ky këndvështrim, kuptohet se Evropa mbështeti në mënyrë implicite bllokimin grek të kalimit të emigrantëve.

Fjalët e presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen gjatë vizitës së saj në Greqi në mars 2020 se "Ky kufi nuk është vetëm kufiri grek, ky është edhe kufiri evropian", dhe më pas lidhja e Greqisë si "Mburojë e Evropës" janë tregues të dimensionit të saj gjeopolitik të marrëdhënieve midis BE-së dhe Greqisë për këtë çështje. Në fund të fundit, të gjithë e dimë se fakti që shqetësimet gjeopolitike dhe ideologjike të Evropës tejkalojnë shqetësimet e saj ligjore dhe humanitare, inkurajon Athinën të ndjekë një politikë të paligjshme dhe të ashpër kundër refugjatëve.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın