Analizë

Vizita e Bidenit në Lindjen e Mesme nuk ofron një strategji të re

Vizita e presidentit të SHBA-së, Biden i siguron aleatët rajonalë për angazhim të vazhdueshëm, por gjasat janë shumë të vogla që t'i bashkojë ata rreth qëllimeve amerikane

Dr. Kadir Ustun   | 20.07.2022
Vizita e Bidenit në Lindjen e Mesme nuk ofron një strategji të re

Istanbul

Kadir Ustun

- Autori i shkrimit është drejtor ekzekutiv i Zyrës së Fondacionit për Hulumtime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA) me seli në Ankara.

Vizita e presidentit amerikan Joe Biden në Lindjen e Mesme nuk ofroi ndonjë politikë të re, por konfirmoi se SHBA-ja po i kthehen bazave. Udhëtimi erdhi si nevojë për shkak të riorganizimeve gjeopolitike të shkaktuara nga pushtimi rus i Ukrainës dhe sfidat ekonomike globale. Të dyja këto zhvillime të mëdha ishin një tregues për Washingtonin se ballafaqimi me sfidat si Rusia dhe Kina nuk mund të ndodhin pa Lindjen e Mesme. Vizita e Bidenit i siguron aleatët rajonalë për angazhim të vazhdueshëm, por gjasat janë shumë të vogla që t'i bashkojë ata rreth qëllimeve amerikane.

- Pa politika të reja

Vizita e Bidenit kishte për qëllim të siguronte Izraelin për një marrëveshje të mundshme me Iranin, premtimet për mbështetje financiare për palestinezët për dallim nga politikat përjashtuese të Donald Trumpit dhe t'i kthehej bashkëpunimit me Arabinë Saudite duke pasur parasysh sfidat globale të energjisë. Të gjitha këto përpjekje përfaqësojnë angazhimin e SHBA-së për rajonin, por nuk ofrojnë asnjë politikë të re. Megjithëse aleatët tradicionalë të SHBA-së si Izraeli dhe Arabia Saudite e mirëpritën vizitën, ajo nuk ka gjasa të rezultojë në ndryshime të rëndësishme politikash.

Biden ka premtuar të rivitalizojë aleancën perëndimore dhe t'i përkushtohet NATO-s për të adresuar sfidat që paraqesin Rusia, por për më tepër Kina. Në fillim e kishte më vështirë, pasi që aleatët evropianë nuk dëshironin një Luftë të re të Ftohtë. Administrata ka arritur sukses të caktuar duke rritur skepticizmin evropian ndaj Kinës dhe duke parandaluar adoptimin e teknologjive të avancuara. Megjithatë, nuk pati sukses të menjëhershëm në krijimin e unitetit evropian në lidhje me Kinën.

- Kriza energjetike dhe Rusia

Pushtimi rus i Ukrainës rezultoi me një tronditje të rëndësishme gjeopolitike në Evropë, duke i detyuar aleatët e Amerikës në kontinent që të mendojnë shumë më seriozisht për sigurinë e tyre. Ndërsa NATO u rigjallërua dhe vendet neutrale prej kohësh si Finlanda dhe Suedia shprehën dëshirë të bashkoheshin me aleancën, Evropa e kishte të vështirë të ndalonte Rusinë. SHBA-ja dhe aleatët e saj vendosën të ndëshkojnë Rusinë me sanksione, por kjo rezultoi me rritje çmimesh të energjisë si dhe sfida në aspektin e sigurisë ushqimore.

Rusia ishte një faktor i rëndësishëm në tregjet e energjisë, jo vetëm si prodhuese, por edhe nëpërmjet lidhjeve të saj me faktor kyç të energjisë si Arabia Saudite. Rusia konsolidoi ndikimin e saj në OPEC përmes angazhimit me kartelin e naftës. Organizata tani përmendet shpesh si OPEC+, ndërkaq kohët e mira të vjetra të Amerikës kur i kërkonte OPEC-ut të rriste prodhimin kanë kaluar. Rritja e prodhimit të naftës dhe ulja e çmimeve të naftës është një çështje më e ndërlikuar në ditët e sotme, pasi vendet prodhuese të naftës duhet të marrin parasysh implikimet e mundshme për marrëdhëniet e tyre me Rusinë.

Vizita e presidentit Biden ishte rezultat i kësaj urgjence në tregjet e energjisë, por edhe si një sinjal për Rusinë dhe Kinën se SHBA-ja nuk do të braktisë së shpejti aleatët e saj në rajon. Pavarësisht angazhimit për kalimin në burime të pastra të energjisë, administrata e Bidenit nuk ka shpallur strategji serioze të tranzicionit të energjisë. Reduktimi i kapaciteteve të SHBA-së në prodhimin e naftës për shkak të investimeve të pamjaftueshme rezultoi në rritjen e ndjeshmërisë ndaj luhatjeve të çmimit të naftës. Megjithëse SHBA-ja mund të bashkojë Evropën kundër Rusisë, ndikimi i saj në tregjet e energjisë mbetet i dobët.

- SHBA-ja dëshiron të ruajë "status quo"-në

Mes presionit në vend për shkak të takimit me udhëheqësin saudit Mohammed bin Salman për aferën Khashoggi, Biden e pati të vështirë të justifikonte vizitën në Arabinë Saudite. Ai ndjeu nevojën për të shkruar një artikull në gazetën amerikane për të shpjeguar arsyet se pse duhet vizituar Lindjen e Mesme. Takimi me Mohammed bin Salman krijoi kokëdhimbje për Bidenin, pasi ai do të shihet si lideri legjitim që qeveria amerikane e konsideron përgjegjës për vrasjen e Khashoggit. Për shkak të kësaj, çdo detaj i takimit të tij me Mohammed bin Salman u politizua.

Meqë mediat u fokusuan më tepër në aspektet simbolike të këtij takimi, nuk mungoi detaji se SHBA-ja nuk i ofroi një politikë të re amerikane Arabisë Saudite. Për më tepër, kjo qasje është një kthim tek nafta për një kornizë sigurie dhe jo një lloj i ri marrëdhëniesh me Mbretërinë. Është e qartë se SHBA-ja nuk është e gatshme të marrë ndonjë angazhim të rëndësishëm në rajon, por dëshiron të ruajë një "status quo" me anë të së cilës mund të reduktohet ndikimi i Rusisë dhe Kinës në rastin më të mirë. Kjo qasje, megjithatë nuk ka gjasa të inkurajojë aleatët rajonalë të SHBA-së që të mbajnë një qëndrim të vendosur.

- Vizita e Bidenit nuk pati sukses të madh

Vështirë është të thuhet se kjo vizitë ishte sukses i madh, duke pasur parasysh faktin se synimet politike të Bidenit ishin mbi të gjitha modeste. Biden dëshironte të forconte krahun e tij kundër Iranit duke treguar unitet me Izraelin, por refuzimi i tij që të flas për opsionet ushtarake mund të ketë zbuluar edhe një herë dallimet me Izraelin rreth Iranit. Ai dëshiroi të bindte palestinezët përmes përkushtimit për zgjidhje me dy shtete, por pa ofruar strategji serioze. Ai dëshironte mbështetjen e Arabisë Saudite për çmimet e naftës, por pa ofruar ndonjë paradigmë më të madhe sigurie që do ta shtynte Mbretërinë drejt një partneriteti të ri. Biden mund t'i ketë arritur qëllimet e tij modeste, por është e dyshimtë se ato do të krijojnë një vrull të ri rajonal.


*Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të Anadolu Agency.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın