Analizë, BALLKANI

Presidenti Meta dekreton emërimin e ministrave të kabinetit të ri qeveritar

Me propozim të kryeministrit Rama, presidenti Meta ka dekretuar emërimin e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë

Fatjon Cuka   | 14.09.2021
Presidenti Meta dekreton emërimin e ministrave të kabinetit të ri qeveritar Foto: AA/Arkiv

Tiranë

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka dekretuar përbërjen e qeverisë së re të Shqipërisë e cila do të drejtohet nga kryeministri Edi Rama, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zyra e shtypit e Presidencës së Shqipërisë ka njoftuar se me propozim të kryeministrit Rama, presidenti Meta ka dekretuar emërimin e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.

Sipas dekretit, Rama emërohet kryeministër dhe në postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Arben Ahmetaj.

Olta Xhaçka emërohet në postin e ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Niko Peleshi, në drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Bledar Çuçi në drejtimin e Ministrisë së Brendshme.

Në postin e ministres së Financave dhe Ekonomisë është emëruar Delina Ibrahimaj, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ministre e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, ministër i Drejtësisë, Ulsi Manja, ministre e Kulturës, Elva Margariti, ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, ministre e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro Furxhi.

Në qeverinë e re do të ketë edhe katër ministre shteti, ku Elisa Spiropali është emëruar ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Edona Bilali si ministre e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Bora Muzhaqi, ministre e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët dhe Milva Ekonomi, ministre e Shtetit për Standardet e Shërbimeve.

Përbërja e qeverisë së re do të votohet në Kuvendin e Shqipërisë dhe para fillimit të detyrës, kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat betohen para presidentit Meta.

Kujtojmë se legjislatura e re e Kuvendit të Shqipërisë e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit të këtij viti, filloi punimet më 10 shtator me seancën e konstituimit dhe me zgjedhjen e kryetares së re të Kuvendit, Lindita Nikolla.

Në ditët në vazhdim do të caktohet seanca parlamentare për prezantimin e programit të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe për votimin e përbërjes së qeverisë së re.

Fituese e zgjedhjeve të 25 prillit rezultoi Partia Socialiste e Shqipërisë, e drejtuar nga kryeministri Rama, e cila ka siguruar mandatin e tretë qeverisës, duke fituar 74 mandate nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın