Analizë

Pikëpyetjet që ka lënë ndërhyrja e pasuksesshme humanitare në Venezuelë

Guaido ka arritur me sukses që të njihet si president i përkohshëm në një masë të rëndësishme nga të paktën 50 shtete. Megjithatë, kjo është larg nga shumica në mesin e 193 vendeve anëtare të OKB-së

06.03.2019
Pikëpyetjet që ka lënë ndërhyrja e pasuksesshme humanitare në Venezuelë

Bogota

Më 23 janar, kryetari i Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, Juan Guaido, pasi shpalli veten president të përkohshëm të vendit në kuadër të neneve 233, 333 dhe 350 të Kushtetutës, e cilësoi qeverinë e Maduros si "uzurpatore" dhe filloi të drejtojë një strategji për t'i dhënë fund qeverisë Maduro, shkruan Anadolu Agency (AA).

Ky plan i ri i opozitës venezueliane grumbulloi aleatët e fortë dhe tërhoqi vëmendjen e mediave globale, por ende duket se nuk ka rezultate bindëse. Pjesa e parë e strategjisë është një "luftë për mbështetje ndërkombëtare".

Guaido ka arritur me sukses që të njihet si president i përkohshëm në një masë të rëndësishme nga të paktën 50 shtete. Megjithatë, kjo është larg nga shumica në mesin e 193 vendeve anëtare të OKB-së. Por, shtetet e mëdha si Rusia dhe Kina në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB-së) ende nuk e mbështesin Guaidon. Pavarësisht se në anën e tij janë fuqitë më kryesore perëndimore, udhëheqësi i ri i opozitës venezueliane ka një rrugë të gjatë për të bërë jo-legjitim dhe për të izoluar Maduron në arenën ndërkombëtare.

Pavarësisht nga suksesi ndërkombëtar i Guaidos ose i Maduros, në vendin e tyre ekziston problemi themelor i legjitimitetit dhe fuqisë. Përveç fuqisë legjislative që udhëheq Guaido, asnjë nga katër degët e tjera shtetërore nuk e njeh atë si president të përkohshëm: as pushteti ekzekutiv, as gjyqësori, as sistemi zgjedhor dhe qytetarët dhe po ashtu as forcat e armatosura.

Pjesa e dytë e strategjisë së kryesuar nga Guaido, ishte dërgimi i ndihmave humanitare për venezuelianët përgjatë kufijve tokësorë me Kolumbinë dhe Brazilin dhe përmes kufijve detarë me Porto Rikon dhe Curacao. Hyrja e mbi 600 ton ndihmave të ofruara kryesisht nga SHBA dhe Kili ishte planifikuar për më 23 shkurt. Në mënyrë të përsëritur dhjetëra herë u tha se kjo ndihmë do të hyjë në Venezuelë në çdo mënyrë, pavarësisht nga refuzimi i qeverisë së Maduros.

- Ndarja mes fjalës dhe realitetit

Më 22 shkurt, deputetët e opozitës venezueliane mbajtën një konferencë për media në qytetin kufitar Cucuta të Kolumbisë. Në takim ata njoftuan se një "ortek humanitar" do të kalonte kufirin për të futur ndihma.

Deputetët Gaby Arellano dhe Jose Manuel Olivares siguruan se kjo do të ishte një protestë paqësore, se protestuesit do të visheshin me ngjyrë të bardhë duke mbështetur hyrjen e kamionëve që transportonin ndihmat. Ata dukeshin të sigurt se përballë këtij lloji "të revolucionit të paarmatosur" Garda Kombëtare Bolivariane (GNB), do të tërhiqeshin një hap prapa dhe do hapnin një korridor. Deputetët gjithashtu thanë se në çdo urë kufitare në Cucuta do të jetë një përfaqësues opozitar që do të koordinonte operacionin historik për të hapur dyert e Venezuelës.

Qindra gazetarë ishin të gatshëm të ndiqnin këtë përparim paqësor humanitar më 23 shkurt, por situata në terren ishte krejt e ndryshme. Në vend të njerëzve të paarmatosur të veshur me të bardha dhe të udhëhequr nga figurat e opozitës, u vërejtën grupet e të rinjve me fytyra të mbuluara duke hedhur gurë dhe molotov kokteji kundër Gardës Kombëtare Bolivariane GNB, e cila u përgjigj me gaz lotsjellës dhe plumba gome.

Menjëherë u kuptua se kufiri nuk do të hapet ashtu siç ishte planifikuar. Cili vend do të lejonte hyrjen e ndihmës humanitare në këto rrethana, kur grupet e përbërë nga civilë sulmojnë pa kontroll? Megjithëse, Guaido dhe aleatët e tij insistojnë që GNB ka ushtruar presion mbi protestuesit paqësorë dhe shumë media kanë ripërsëritur këtë fjali, është e mundur të thuhet se garda e cila ndodhej në vendin e ngjarjes i është kundërpërgjigjur me armë jo vdekjeprurëse ndaj një sulmi sikurse do të vepronin në të njëjën mënyrë shumë forca të armatosura të çdo vendi në botë.

Këto grupe të përbërë nga të rinj zhvilluan një betejë të gjatë, që zgjati mbi shtatë orë në urat kufitare Simon Bolivar dhe Francisco de Paula Santander. Ndërkohë, Policia Kolumbiane, e ngarkuar me ruajtjen e rendit dhe qetësisë, thjesht vëzhgoi ngjarjet dhe nuk ndërhyri kurrë për të parandaluar që "orteku humanitar" të shndërrohej në kaos dhe dhunë. Përse autoritetet kolumbiane lejuan të rinjtë, shumë prej tyre të mitur, që të rrezikojnë jetën e tyre dhe të sulmojnë një vend fqinj? Përse ata mbetën aq pasivë ndërsa protestuesit u plagosën dhe gazi lotsjellës po binte në territorin e tyre?

Një çështje tjetër është edhe prania e grupeve të armatosura civile venezueliane, të ashtuquajtura kolektive (të përbashkëta). Ekzistenca e tyre në Venezuelë është e pamohueshme dhe dihet se ata kanë kryer vrasje, kanë marrë armë nga Qeveria e Chavezit dhe mbrojnë revolucionin Bolivarian. Gjatë demonstratave më 23 shkurt, prezenca e këtyre grupeve të armatosura në anën venezueliane të kufirit u denoncua vazhdimisht. Megjithatë, u tha se nuk ka të vdekur.

Në fund të ditës, asnjë ndihmë humanitare nuk hyri në Venezuelë. Në vend të kësaj ka pasur të paktën 285 të plagosur. Në urën Francisco de Paula Santander, dy kamionë me ndihma u dogjën dhe ende nuk është qartësuar se kush është përgjegjës i kësaj. Në ditët në vijim, skenat e të rinjve që hedhin gurë dhe molotov kokteji është bërë edhe më i vazhdueshëm në urat kryesore teksa vazhdon qëndrimi statik i autoriteteve kolumbiane.

- Roli i liderëve të opozitës gjatë 23 shkurtit

Kur analizohet roli i liderëve të opozitës në ngjarjet e 23 shkurtit zbulohen edhe pyetje të tjera. Pavarësisht se ata siguruan se do të koordinonin shpërndarjen e ndihmës humanitare, në mesin e përleshjeve u shfaqën vetëm disa nga liderët e opozitës. Ndërkohë që edhe ata nuk ishin në gjendje të kontrollonin turmat e civilëve që shpërndaheshin nëpër ura dhe që përballeshin me ndërhyrjen e ashpër të gardës venezueliane. Madje, përveç këtyre u vërejt se disa nga organizatorët të veshur me jelekë blu nxisnin protestuesit dhe u shpërndanin atyre maska dhe materiale për të sulmuar pikat kufitare. A nuk duhej të ishte kjo një protestë paqësore?.

Ndërkohë në anën tjetër Guaido, pas një konference për media në orët e drekës, u ngjit në një prej 14 kamionëve të paraqitur në kufi dhe gjatë gjithë ditës ai pozoi për t'u fotografuar nga shumë gazetarë që e ndiqnin atë në Cucuta. Më pas ai zbriti nga kamioni dhe nuk u pa më deri në konferencën për media që e zhvilloi në orët e natës. Ai as nuk udhëhoqi shpërndarjen e ndihmave po as nuk tregoi se këto do të shdërroheshin në ngjarje të dhunshme.

Pra, figurat kryesore të opozitës që koordinuan operacionin e ndihmave nuk përmbushën detyrën e udhëheqësve. Është e vështirë të kuptosh se si Guaido i cili pretendon se është president i përkohshëm i vendit, lejoi që një grup civilësh të sulmonin ushtrinë e tij dhe territorin e tij. Guaido, nuk mund të dilte në mënyrë paqësore përballë ushtarëve në prani të medias kolumbiane dhe botërore dhe t'u jepte urdhër që të lejonin hyrjen e ndihmave në vend? Kjo ishte fotografia të cilët të gjithë dëshironin të shihnin.

- Ndihma humanitare?

Një nga debatet ishte edhe nëse do të emërtoheshin apo jo si "ndihma humanitare" tonelatat e produkteve me ndihma që ishin planifikuar për t'u dërguar në Venezuelë.

Kur shihet nga pikëpamja e ligjit të të drejtave të njeriut, që kjo ndihmë të pranohet si "ndihmë humanitare" duhet të përputhet me parimet e pavarësisë, neutralitetit dhe paanësisë. Duhet të realizohet e gjitha me qëllim humanitar dhe të jetë e përgatitur sipas nevojave të përcaktuara më parë. Ndihma që kërkohej të dërgohej në Venezuelë nuk ishte në përputhje me kushtet në fjalë. Madje, edhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq dhe Kombet e Bashkuara (OKB) njoftuan se nuk do të merrnin pjesë në operacionin e shpërndarjes së ndihmave dhe theksuan se tashmë ato nuk mund të vlerësoheshin më si "humanitare", për shkak se përmbajtja e ndihmave të 23 shkurtit është politizuar.

Edhe pamja në terren tregoi se operacioni ishte larg nga një gjest i vërtetë humanitar që synonte të ndihmonte njerëzit në nevojë. Kjo ishte një shfaqje para medias globale që synonte denigrimin dhe shpalljen si të paligjshëm presidentin aktual Nicolas Maduro. Në fund të ditës, Guaido shpalli fitoren, jo sepse doli i sukseshëm në shpërndarjen e ndihmave humanitare por sepse kishte arritur qëllimin e tij, duke dëshmuar karakterin shtypës të Maduros... Atëherë cili ishte qëllimi i vërtetë i kësaj "ndihme humanitare"?.

Sikur qëllimi të ishte për të ndihmuar miliona venezuelianë që vuajnë nga uria për shkak të mungesës së ushqimeve dhe hiperinflacioni, operacioni humanitar mund të ishte bërë në mënyra të tjera dhe duke u distancuar nga ngjarjet e dhunshme. Edhe pse Maduro refuzon krizën humanitare në vend dhe pranon të hapë korridore humanitare, shumë organizata të ndihmës vazhdojnë të dërgojnë ndihma nëpërmjet rrugëve të ndryshme në Venezuelë. Dhe, derisa bëjnë këtë arrijnë me sukses të mbeten anonim dhe t'i shpërndajnë ato tek njerëzit në nevojë.

- Dezertimi i ushtarëve venezuelianë

Nëse në këtë raund kundër Maduros ka një një fitore, ajo është që disa ushtarë kanë braksitur forcat e armatosura të Venezuelës dhe pas kalimit të kufirit kanë kërkuar mbrojtje nga autoritetet e Kolumbisë.

Liderët e opozitës venezueliane kanë përsëritur thirrjen e tyre që ushtarët e Venezuelës të vendosin veten e tyre "në anën e drejtë të historisë".

Sipas autoriteteve të administratës kolumbiane të emigracionit që nga 23 shkurti deri më 27 shkurt, të paktën 570 persona me detyrë në forcat e sigurisë venezueliane janë larguar nga detyra e tyre.

Informacionet në faqen e Ministrisë së Mbrojtjes theksojnë se kjo shifër është e afërt por se dezertimet nuk përbëjnë as 1 për qind të strukturës ushtarake të Forcave të Armatosura Kombëtare Bolivariane të cilat kanë "95 mijë deri në 150 mijë pjesëtarë aktivë".

Vendimet individuale mund t'i dërgojnë disa mesazhe Maduros, por këto deri më tani as nuk kanë vënë në dyshim pozicionin institucional të forcave të armatosura që kanë mbetur në anën e tij dhe as që kanë shkaktuar grushtin ushtarak dhe më pas ndryshimin e regjimit që Guaido dhe aleatët e tij kanë pritur.

Gjithashtu theksohet se shumica e ushtarëve dezertorë nuk janë të rangut të lartë. Për shtetin kolumbian nënkupton një përpjekje për të siguruar mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e ushtarëve dezertorë brenda vendit ndërkohë që nuk ka gjasa që ata të mund të ofrojnë informata relevante të inteligjencës për të përparuar në mënyrë të fuqishme kundër Maduros.

[Autori, Daniel Salgar Antolinez, punon si redaktor në shërbimin e lajmeve në gjuhën spanjolle Anadolu Agency (AA)]

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın