Bota, Analizë

Një javë para përfundimit të detyrës, Pompeo do të vizitojë Belgjikën

Në deklaratën e Departamentit të Shtetit thuhet se Pompeo do ta takojë shefin e NATO-s Stoltenberg dhe kryediplomaten belge, njëherësh zëvendëskryeministre, Wilmes

Kasım İleri   | 12.01.2021
Një javë para përfundimit të detyrës, Pompeo do të vizitojë Belgjikën

Washington

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Mike Pompeo do ta vizitojë Belgjikën këtë javë, ku do të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe zëvendëskryeministren dhe ministren e Jashtme të Belgjikës, Sophie Wilmes, transmeton Anadolu Agency (AA).

Udhëtimi i Pompeos për në Belgjikë vjen një javë para përfundimit të detyrës së tij.

Në një deklaratë, Departamenti i Shtetit tha se Pompeo "do të vizitojë Brukselin, kryeqytetin e Belgjikës, më 13-14 janar, për të riafirmuar partneritetin e thellë dhe të përhershëm midis SHBA-së dhe Belgjikës dhe për të shprehur mbështetjen e pakushtëzuar të SHBA-së për NATO-n".

Në deklaratë thuhet se Pompeo do ta takojë shefin e NATO-s Stoltenberg dhe kryediplomaten belge, njëherësh zëvendëskryeministre, Wilmes.

"Sekretari Pompeo do të theksojë rëndësinë e aleancës transatlantike, do të mbështesë suksesin e NATO-s në mbrojtjen e bashkësisë transatlantike dhe suksesin e saj në përshtatjen me sfidat e reja të sigurisë dhe do të theksojë qëndrueshmërinë e marrëdhënieve dypalëshe midis Shteteve të Bashkuara dhe Belgjikës", theksohet më tej.

Detyra e Pompeos në krye të diplomacisë amerikane pritet të përfundojë me marrjen e detyrës së presidentit nga Joe Biden më 20 janar.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın