Analizë

Ndikimi i Rusisë në Libi shkaktoi ndryshime në politikën e SHBA-ve

Prania e shtuar ushtarake dhe financiare e Rusisë në zonë ka ngritur perspektivën që Moska të jetë aktori vendimtar në politikën libiane, ndërsa ndërhyrja ruse në Libi ishte një katalizator që bëri SHBA-të të rishikonin politikën e saj

Ekip   | 02.12.2019
Ndikimi i Rusisë në Libi shkaktoi ndryshime në politikën e SHBA-ve

Ankara

Rusia është duke mbushur vakumin që ka krijuar SHBA që pas Pranverës Arabe, ndërsa kritikat drejtohen kundër Washingtonit për braktisjen e partnerëve të saj në rajon, shkruan Anadolu Agency (AA).

Zgjerimi i ndikimit të Moskës në Siri mes luftës së saj civile dhe përfshirja e saj në konfliktin në vazhdim të Libisë në favor të komandantit ushtarak Khalifa Haftar janë padyshim zhvillime të rëndësishme rajonale. 

Politika e Washingtonit në Libi pas sulmit në Benghazi

Pas sulmit të 11 shtatorit 2012 mbi kompleksin diplomatik amerikan në Benghazi në të cilin vdiqën tre punonjës të SHBA-së dhe 10 oficerë libian të sigurisë, politika e Washingtonit në Libi u bë pasive dhe zhvillimet u ndoqën nga një distancë.

Vrasja e diplomatit amerikan ishte një goditje e madhe për administrimin e Barack Obamës dhe sulmi, i cili përkoi me përvjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në New York dhe Pentagon, rriti më tej ndikimin e tij psikologjik.

Sulmi në Benghazi dhe pasojat e tij çuan në ndryshime të mëdha në politikën e SHBA-së në Libi. Ajo nxiti kritikat republikane ndaj administratës së Obamës, ku republikanët akuzonin Obamën dhe ish-Sekretaren e Shtetit, Hilary Clinton, se mashtruan qëllimisht opinionin dhe penguan hetimet e kongresit.

Pretendimet rënduan mbi Clinton në garën presidenciale të vitit 2016. Megjithëse Clinton tha se ajo pranoi përgjegjësinë për sulmin, në përgjigje të kritikave republikane gjatë dëshmisë së vitit 2015 në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, ajo qëndroi prapa politikës së saj dhe akuzoi republikanët se përdorin vdekjen e diplomatëve amerikanë në Libi për përfitime politike.

Pavarësisht të gjitha përpjekjeve të saj, Clinton nuk mund të parandalonte sulmet që rezultuan me një goditje të madhe në karrierën e saj politike në zgjedhjet presidenciale, në të cilat fitoi Donald Trump, megjithëse me një diferencë të vogël të votave popullore.

Gjatë fushatës së saj zgjedhore, u hetuan postat elektronike të Clinton që kishte të bënte me Benghazin, dhe shumica e tyre u publikuan.

Ato zbuluan se Clinton kishte përdorur adresën e saj personale të postës elektronike pesë herë për të shpërndarë vendndodhjen e saktë të ambasadorit amerikan në Libi, Chris Stevens, i cili u vra në sulm.

Për më tepër, refuzimi i Clinton ndaj kërkesave të përsëritura për shtimin e masave të sigurisë para sulmit forcoi akuzat për lëshime. Sekretari aktual i shtetit, Mike Pompeo, ka akuzuar gjithashtu Clinton se ka mbuluar përgjegjësinë e saj për sulmin. 

Politika e Libisë nga distanca e sigurt

Emërimi i Gjeneral Carter Ham, i cili ishte kreu i koalicionit ndërkombëtar dhe operacioneve në Libi në 2011, si kreu i Komandës së Shteteve të Bashkuara në Afrikë (AFRICOM) dhe nisja e operacioneve në vendet fqinje kundër Al-Kaedës reflektoi një ndryshim në politikën e SHBA-së.

Në lidhje me këtë, Ham tha se kishte tregues të fortë se disa nga militantët që kryenin sulmin e Benghazit ishin të lidhur me Al-Kaedën në Magrebin Islamik (AQIM) dhe se AQIM, al-Shabaab në Somali, dhe Boko Haram në Nigeri ishin duke u përpjekur të punojnë së bashku në kontinentin afrikan.

Si rezultat, SHBA uli praninë dhe aktivitetet e saj në Libi në operacione të kufizuara përmes AFRICOM.

Nga ana tjetër, duhet të theksohet se politika e jashtme amerikane gjatë kësaj periudhe ishte kryesisht në përputhje me nismat libiane të OKB-së. Për SHBA-në e cila ka mbështetur përpjekjet e Përfaqësuesit të Posaçëm të OKB-së në Libi për të arritur një zgjidhje politike të negociuar që nga viti 2014, pozicioni i saj për luftën civile në Libi ka evoluar në një strategji "prit dhe shiko".

SHBA ndoqi zhvillimet nga një distancë dhe i kufizoi aktivitetet e saj në luftimin e grupeve terroriste si DEASH dhe AQIM në Libi, ndërsa aktorët rajonalë si Franca, Italia, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Katari dhe Turqia ndërmorën veprime në këtë fushë përmes ndërhyrjes direkte.

Pa ndonjë perceptim kërcënimi në ekuilibrin e mundshëm të forcave me të gjithë palët e interesuara që përputheshin me politikën e saj, SHBA arriti një zonë rehatie në Libi.

Por ndërhyrja ruse në Libi ishte një katalizator i rëndësishëm që bëri SHBA-të të rishikonin politikën e saj në Libi.

Sulmi i Tripolit, aleanca Haftar-Rusi

Edhe pse kanë kaluar tetë vjet nga revolucioni i vitit 2011 që i dha fund sundimit 42-vjeçar të Muammar Gaddafit në Libi, vendi ende po lufton me fantazmat e regjimit të vjetër dhe se një rend i ri demokratik dhe i qëndrueshëm ende nuk ka arritur të ndërtohet.

Në periudhën e pas Pranverës Arabe, Libia, e cila ishte një vend me ndikim të rëndësishëm në politikën e Afrikës së Veriut dhe Afrikës në përgjithësi, u shndërrua në një zonë ku garojnë shumë aktorë.

Haftar deri më tani nuk ka bërë përparime në terren në operacionet në vazhdim për të marrë kryeqytetin e Libisë që nga prilli, duke ngritur disa shqetësime për aleancat kombëtare dhe ndërkombëtare.

Mos suksesi i Haftarit në Tripoli dhe humbjet e fitoreve të bëra në terren pas vitit 2014 ngrenë mundësinë që grupi terrorist DEASH të rimarrë pushtetin në rajonin Fezzan.

Paralelisht me këto zhvillime, Rusia rriti praninë e saj ushtarake dhe financiare në zonë.

Humbja e forcave të Haftarit në prill nga forcat e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar të njohura nga OKB (GNA) në zonën Azizia afër Tripolit, e cila çoi në pengimin e planeve të tij për një sulm të drejtpërdrejtë në kryeqytet, ishte gjithashtu një pikë kthese e rëndësishme gjatë luftës pasi zbuloi praninë e mercenarëve rusë në Libi.

Zëdhënësi i GNA-së, Koloneli Mohammed Kanunu njoftoi se tetë mercenarë nga kompania private ruse e sigurisë Wagner u neutralizuan gjatë operacioneve. Nga ana tjetër, pretendimet se një aeroport ishte nën kontrollin e trupave ruse ishte raportuar në media.

Përveç këtyre akuzave, gjithashtu u tha se 2 miliardë dinarë libianë (1,42 miliardë dollarë) të shtypura në Rusi iu dorëzuan Bankës Qendrore paralele me bazë në Al-Bayda të Libisë në tetor.

Vitin e kaluar, gjithashtu doli se 10 miliardë dinarë libianë u shtypën në Rusi dhe u dorëzuan në Bankën Qendrore në Bayda, duke sugjeruar që Moska po ndihmon forcat e Haftarit të thyejnë bllokimin në Tripoli.

Libia, e cila është shumë e rëndësishme për Rusinë si një bastion ushtarak në Mesdhe, mund të hapë zona që mund të zgjerojnë hapësirën e manovrimit të rusëve në politikën globale.

Perspektiva e Moskës për të qenë aktor vendimtar në politikën libiane sjell me vete rrezikun e ndikimit të Rusisë në çështje të tilla, si furnizimi me energji mesdhetare dhe të bëhet furnizuesi i naftës në Libi mes një valë migracioni nga Afrika e Veriut dhe vendet Sub-Sahariane, që kohët e fundit ka formësuar politikat evropiane.

Libia është një vend kritik për sa i përket forcimit të lidhjeve me aktorët e tjerë rajonalë që mbështesin Haftarin, përfshirë Egjiptin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite, të cilat Moska po përpiqet t'i nxjerrë nga sfera e ndikimit të SHBA-së.

Kjo marrëdhënie e ngushtë që Haftar zhvilloi me Rusinë financiarisht dhe ushtarakisht mobilizoi në mënyrë të pashmangshme aktorët ndërkombëtarë, të cilët prisnin Haftarin që të marrë kontrollin e vendit.

Së pari, ata kanë rritur përpjekjet për të rifilluar negociatat, duke kërkuar zgjidhje politike për të balancuar ndikimin në rritje të Rusisë. Megjithëse Përfaqësuesi Special i OKB-së për Libinë, Ghassan Salame ka bërë përpjekje për të organizuar një konferencë në Berlin për t'u rikthyer në procesin e dialogut politik, data e konferencës nuk është përcaktuar ende.

Kur Haftar filloi operacionet në prill, Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, e thirri atë dhe tha se ai priste sukses në një kohë të shkurtër dhe shprehu mbështetje për operacionet. Megjithëse institucionet amerikane kanë ruajtur neutralitetin e tyre në konflikte gjatë kësaj periudhe, mbështetja e Trumpit për Haftarin tregoi për rritjen e interesit amerikan për zhvillimet në Libi. Përfshirja e Rusisë bëri që SHBA të rishqyrtojë mbështetjen e saj për Haftarin.

Libia ishte një pikë e rëndësishme e axhendës gjatë një takimi midis Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo dhe ministrit të Jashtëm Italian, Luigi Di Maio, më 1 shtator. Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian, pas një takimi ministror të Libisë në SHBA, deklaroi se në kuadër të çështjeve të dakorduara në samitet e Parisit, Palermos dhe Abu Dhabit, veçanërisht në kontekstin e zgjedhjeve, duhet të arrihet një armëpushim dhe të gjendet zgjidhje politike.

Përveç kësaj, çështja e Libisë ishte një nga çështjet e ngritura gjatë një takimi midis Presidentit egjiptian Abdel Fattah el-Sisi dhe Trumpit.

Mes gjithë këtij intensiteti diplomatik, si zhvillimi i neglizhuar mund të merret që SHBA rishikoi qasjen nga larg në politikën e saj të jashtme në lidhje me Libinë. Vizita e Zëvendës Shefit të Misionit të SHBA-së në Libi, Joshua Harris, në Benghazi në tetor, ku kërkonte dhënien fund të luftës në Tripoli mund të shihet si kthimi i politikës së jashtme amerikane në qendër pas sulmit të Benghazit.

Në takimin midis Pompeos dhe ministrit të Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdullah bin Zayed bin Sultan Al Nahyan më 22 nëntor, u diskutua gjithashtu prania e Rusisë në Libi.

SHBA po përpiqet të pajtohet me Libinë lidhur me aleancat rajonale që mbështesin Haftarin. Nga ana tjetër, ajo po përgatitet të zbarkojë në Libi.

Është e mundur të parashikohet një periudhë kur SHBA është duke kërkuar një lider alternativ në Libi pas kontakteve të ngushta me aktorët e atjeshëm dhe gjithashtu ku Rusia po përgatitet të ndërmarrë hapa më aktivë në emër të krijimit të një ndikimi të ri në Libi.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın