Bota, Analizë

Misioni i ri detar i BE-së në Libi, i njëanshëm dhe i keqkonceptuar

Pala e vetme që do të preket nga kjo masë e konceptuar keq është qeveria legjitime, ndërsa forcat antiqeveritare ka të ngjarë të vazhdojnë të marrin furnizimet e rregullta të armatimit dhe nuk pritet të përballen me ndonjë ndërhyrje të BE-së

Ferhat Polat   | 03.04.2020
Misioni i ri detar i BE-së në Libi, i njëanshëm dhe i keqkonceptuar

Stamboll

FERHAT POLAT

Bashkimi Evropian (BE) ka nisur një mision të ri detar në Detin Mesdhe me qëllim të zbatimit të embargos së armëve të OKB-së për Libinë dhe për rrjedhojë t'i hapë rrugën një dialogu politik të negociatave për zgjidhje politike afatgjatë në këtë vend, shkruan Anadolu Agency (AA).

Misioni i mëparshëm detar, i njohur si Sophia, u ndalua pasi vendet, si Italia dhe Austria, dolën me argumentin se ky mision shërbente si një "faktor tërheqës" për refugjatët, duke pretenduar se kishin inkurajuar migrantët që përpiqeshin të arrinin në Evropë përmes Libisë duke nisur udhëtimin e tyre përmes detit me shpresën se do të shpëtoheshin.

Komandanti Khalifa Haftar, i cili kontrollon pjesën më të madhe të lindjes dhe komandon Ushtrinë e vetëshpallur Kombëtare Libiane (LNA), ka qenë përfituesi më i madh i transferimeve të paligjshme të armëve, të cilat u siguruan nga toka, deti dhe ajri.

Haftar dhe e ushtria e tij e vetëshpallur LNA në dhjetor të vitit 2019 paraljmëruan fillimin e “betejës vendimtare” për pushtimin e kryeqytetit Tripoli nga qeveria e njohur ndërkombëtarisht, Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA). Ofensiva e tij e fundit erdhi dhjetë muaj pasi ai filloi një sulm ushtarak për pushtimin e kryeqytetit. Ofensiva e tij u mbështet nga fuqi të huaja përmes dërgesave të armëve dhe vendosjes së pajisjeve ushtarake dhe mercenarëve në Libi. Si pasojë e kësaj, në Libi u përshkallëzuan luftimet, duke dëmtuar rëndë procesin e pajtimit kombëtar.

BE zyrtarisht pretendon se mbështet qeverinë e njohur nga OKB me qendër në Tripoli. Megjithatë, Franca, në të njëjtën kohë, ka ndjekur një politikë destabilizuese në Libi. Deri më tani, qëndrimi i Francës ndaj dy fraksioneve kryesore në Libi ka pësuar luhatje ekstreme. Ndërsa i ofronte shërbim qeverisë së mbështetur nga OKB, qeveria franceze është përpjekur të ngrisë aftësitë ushtarake dhe inteligjencën të Haftarit. Një strategji e tillë shkatërruese dobëson ndikimin e BE-së në Libi.

BE është përpjekur të zbatojë embargon e armëve, por këto përpjekje deri më tani kanë dështuar; disa vende, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Rusinë, Francën dhe Egjiptin, kanë shtuar mbështetjen e tyre për Haftarin, përkundër embargos së armëve të OKB-së.

Takimi i Mynihut pasoi pas takimit të organizuar nga Gjermania në Berlin në përpjekje për të frenuar konfliktin, duke u mbështetur në përpjekjet e OKB-së për arritjen e një armëpushimi, çarmatosjen e milicive dhe lançimin e masave të reja të zhvillimit ekonomik. Mirëpo, progresi varet nga parandalimi i fluksit të armëve në Libi, dhe kjo akoma nuk ka ndodhur. Ndërmarrja e një përpjekjeje të re të përbashkët, që do të ketë në fokus zbatimin e embargos së armëve të OKB-së për Libinë, nuk mund të parandalojë transferimin e armëve në Libi, pasi një numër vendesh kanë ofruar ndihmë të konsiderueshme ushtarake për Haftarin nga ajri, siç është EBA, e cila e ka bërë këtë përmes hapësirës ajrore saudite dhe egjiptiane.

Paneli i ekspertëve të OKB-së, i cili raporton për shkeljet e embargos së armëve, me mandat të OKB-së në Libi, ka raportuar se forcat e Haftarit janë furnizuar me avionë, si dhe me automjete ushtarake nga EBA. Ata madje kanë ngritur një bazë ajrore në Al Khadim, afër qytetit verilindor libian Marj dhe selisë së Haftarit në el Rajma, i cili është në gjendje të presë avionë të avancuar, si F-16, Mirage-2000 dhe Rafale.

Për më tepër, sipas disa raporteve, EBA, gjatë javëve të fundit, ka bërë një shpërndarje prej 3.000 tonësh pajisje ushtarake për forcat e Haftarit. Gjithashtu besohet se bëhen përpjekje për të rritur numrin e personelit të EBA-së në Libi për të mbështetur ofensivën e Haftarit kundër qeverisë së njohur ndërkombëtarisht.

Ministri i Jashtëm i qeverisë libiane të njohur nga OKB, Mohamed Siyala, ka theksuar se misioni i ri detar mund të jetë joefektiv në zabatimin e embargos së armëve të OKB-së për Libinë, nëse misioni i ri përqendrohet vetëm në mbikëqyrjen detare dhe mbyll sytë karshi furnizimit të forcave të Haftarit përmes hapësirës ajrore dhe kufijve lindorë.

Embargoja e fuqishme e armëve konsiderohet si një hap jetësor për arritjen e paqes afatgjate dhe të qëndrueshme në Libi, ku qeveria e mbështetur nga OKB-ja në Tripoli është nën sulm nga forcat e komandantit Haftar. BE pretendon veten si një mbështetëse e palëkundur e procesit të paqes të udhëhequr nga OKB, por në praktikë, pak vende kanë dhënë ndihmë të prekshme për qeverinë e mbështetur nga OKB-ja. Turqia është një nga vendet që mbështet legjitimitetin, ndërsa udhëheqja turke mbështet qeverinë e GNA-së në aspektin diplomatik, politik, ekonomik dhe në aspektin e sigurisë.

Shikuar nga këndvështrimi aspirativ, misioni i ri synon të ndalojë fluksin e armëve në Libi. Megjithatë, kur merret parasysh vija bregdetare e Libisë prej më shumë se 1.700 kilometrash, praktikisht është e pamundur të zbatohet një mekanizëm monitorimi. Për më tepër, disa vende, të tilla si EBA, dërgojnë mbështetjen e tyre përmes ajrit dhe tokës përmes Egjiptit, që është një avantazh tjetër për Haftarin.

Prandaj, praktikisht, e vetmja palë që do të preket nga kjo masë e konceptuar keq është qeveria legjitime, ndërsa forcat mashtruese antiqeveritare ka të ngjarë të vazhdojnë të marrin furnizime të rregullta me armë dhe nuk pritet të përballen me ndonjë ndërhyrje të BE-së.

Në teori, një armëpushimi i qëndrueshëm në Libi ka nevojë për një embargo të fortë të armëve. Prandaj, nisja e këtij misioni të ri të BE-së mund të shihet fillimisht si një sinjal i angazhimit të BE-së për procesin e Berlinit, i cili synon të sjellë stabilitetin në Libi. Megjithatë, në rastin konkret, BE-ja në të vërtet ndëshkon viktimat dhe i shpërblen dorasit, duke ndihmuar kështu për të përjetësuar pandëshkueshmërinë e këtyre të fundit.

* Autori është studiues dhe koordinator në Qendrën e Kërkimeve të TRT World. Ai është studiues i doktoratit në Studimet e Afrikës së Veriut në Institutin e Studimeve Arabe dhe Islame në Exeter, me një fokus të veçantë në Politikën e Jashtme Turke. Interesi i tij përfshijnë politikën e Lindjes së Mesme dhe ndikimin e saj në Afrikën e Veriut, veçanërisht në lidhje me potencialin për partneritete më të forta ekonomike, politike dhe sociale.

* Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të Anadolu Agency.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.