Analizë

Maqedonia e Veriut hap kapitull të ri pas vetos bullgare

Bullgaria në nëntor të vitit 2020 vendosi veto ndaj kornizës negociuese të Maqedonisë së Veriut me BE-në, për shkak të kontestit rreth historisë, gjuhës si dhe kërkesës për të drejtat e komunitetit bullgar në vend

Admir Fazlagikj   | 19.07.2022
Maqedonia e Veriut hap kapitull të ri pas vetos bullgare

Shkup

Marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë janë në fokus të opinionit jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë, për shkak të vetos që ishte ndaj integrimit në Bashkimin Evropian (BE) të Maqedonisë së Veriut, e cila sot më në fund filloi negociatat pas 17 vitesh me konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në.

Bullgaria në nëntor të vitit 2020 vendosi veto ndaj kornizës negociuese të Maqedonisë së Veriut me BE-në, për shkak të kontestit rreth historisë, gjuhës si dhe kërkesës për të drejtat e komunitetit bullgar në vend.

Për të tejkaluar mosmarrëveshjen, ministrat e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Bujar Osmani dhe Teodora Gençovska, nënshkruan protokoll dypalësh më 17 korrik në Sofje, një nga dokumentet kyçe në mënyrë që Maqedonia e Veriut të hapë negociatat me BE-në.

Në mënyrë sublime, protokolli përcakton se Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria së bashku shënojnë figurat dhe ngjarjet historike, ndryshimet në tekstet e historisë dhe gjeografisë, shmangien e pretendimeve territoriale dhe gjuhën e urrejtjes në të dy vendet.

Nënshkrimi i protokollit pasoi pasi më 16 korrik në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut u votuan konkluzionet e propozimit francez për tejkalimin e mosmarrëveshjes mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Pas votimit të konkluzioneve të propozimit francez në Kuvend, të njëjtën ditë Qeveria e Maqedonisë së Veriut mbajti seancë dhe miratoi konkluzionet e Kuvendit dhe mori vendim për miratimin e propozimit të Presidencës franceze të datës 30 qershor.

Propozimi francez

Propozimi francez përbëhet nga dy dokumente të veçanta, konkluzionet e Këshillit të BE-së dhe korniza Negociuese. Në konkluzionet e Këshillit, ndër të tjera, parashihet që bullgarët të hyjnë në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, pas konferencës së parë ndërqeveritare dhe fillimit zyrtar të negociatave. Në Kornizën Negociuese, gjuha përkufizohet si "maqedonase", pa fusnota dhe shpjegime të mëtejshme. Ndryshe nga propozimi i mëparshëm francez me të cilin Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk ishte e kënaqur, paragrafi që i referohet gjuhës në propozimin aktual është shkruar më qartë dhe më thjeshtë. Por ende mbetet që BE-ja do të marrë parasysh deklaratat e njëanshme të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë në lidhje me gjuhën.

Pas votimit të konkluzioneve të propozimit francez në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut dhe në Qeveri, kryeministri Dimitar Kovaçevski mbajti një konferencë për media ku informoi se me këtë vendim “fillon procesi i negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut me BE-në” dhe se kjo "rrumbullakos një hap tjetër objektivisht historik për vendin".

Megjithatë, sipas protokollit të nënshkruar me Bullgarinë, Maqedonia e Veriut nuk do të mund të hapë kapitujt e negociatave me BE-në para ndryshimit të Kushtetutës, në mënyrë që në të të përfshihen edhe bullgarët. Që kjo të zbatohet, kërkohet një shumicë prej dy të tretash në Kuvend, përkatësisht mbështetjen e 80 nga gjithsej 120 deputetë, aq sa ka Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.

Koalicioni qeverisës tani për tani nuk e ka atë mbështetje dhe koalicioni opozitar i udhëhequr nga VMRO-DPMNE thekson se janë kundër.

Çfarë ka në protokollin bilateral mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut?

Pas nënshkrimit të protokollit bilateral ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, në një konferencë për media në Shkup, shefi i diplomacisë maqedonase, Bujar Osmani, e prezantoi protokollin dhe theksoi se ai është reciprok.

“Për Maqedoninë e Veriut ishin të rëndësishme tri çështje, përkatësisht që protokolli të mos jetë pjesë e kornizës së negociatave, që gjuha maqedonase të jetë e pastër në komunikim me BE-në dhe që çështjet historike të jenë jashtë negociatave”, tha ministri Osmani.

Siç shpjegoi Osmani, në esencën e tij juridike, protokolli është procesverbali i një takimi, në të cilin ka rend dite, pasqyrë të dialogut politik, takimeve dhe aktiviteteve, si dhe pasqyrë të bashkëpunimit sektorial dhe grupeve punuese ndërinstitucionale. Në protokoll janë pesë tema për të cilat të dy vendet duhet të marrin masa. Pesë temat lidhen me historinë, mbështetjen për integrimin në BE, gjuhën e urrejtjes, pretendimet territoriale dhe rehabilitimin e viktimave të represionit nga regjimi komunist.

“Me nënshkrimin e këtij protokolli, Bullgaria konfirmon se do të japë pëlqimin e saj për miratimin e propozimit përfundimtar të Presidencës franceze me Këshillin e BE-së nga 30 qershori 2022 për miratimin e Kornizës Negociuese dhe mbajtjen e konferencave ndërqeveritare, për të filluar dhe kompletuar fazën e hapjes së negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut me BE-në”, thuhet në protokoll.

Nga ana tjetër, ministrja bullgare e Punëve të Jashtme, Teodora Gençovska, në një konferencë për media tha se tani e tutje varet vetëm nga Maqedonia e Veriut se kur do të hyjë në BE dhe sa do të zgjasë procesi negociator. Ajo theksoi se "hapat e ardhshëm duhet të çojnë në përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë, jo vetëm në të, por në të gjithë legjislacionin".

Gençovska: Bullgaria nuk devijon nga qëndrimi i saj për gjuhën zyrtare të Maqedonisë së Veriut

Ministrja Gençovska gjithashtu tha se Bullgaria nuk devijon nga qëndrimi i saj për gjuhën, duke qenë se dokumentet nga negociatat me BE-në do të përkthehen në gjuhën maqedonase.

“Bullgaria nuk devijon nga qëndrimi i saj për gjuhën zyrtare të Maqedonisë së Veriut. Ne e respektojmë plotësisht vendimin e Kuvendit Kombëtar, sipas të cilit Bullgaria nuk e njeh këtë gjuhë. Në kontekstin e 26 anëtarëve tjerë, megjithatë, kjo është më konkrete - ata kanë qëndrimet e tyre dhe ne nuk mund t'i detyrojmë në asnjë mënyrë që të pranojnë qëndrimin tonë, por pozicioni bullgar është i garantuar në të gjithë kornizën e negociatave", tha Gençovska.

Opozita në Maqedoninë e Veriut paralajmëron referendum

Duke pasur parasysh situatën e brendshme politike në Maqedoninë e Veriut në kontekst të propozimit francez, vlen të theksohet se opozita e udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe lideri i saj Hristijan Mickoski vazhdimisht theksojnë se janë kundër propozimit francez dhe se do të luftojnë deri në fund për të parandaluar “bullgarizimin e Maqedonisë”. Mickoski në një intervistë televizive tha se partia e tij do të shqyrtojë mundësinë e kërkesës për referendum për ndryshimet kushtetuese me të cilat bullgarët duhet të përfshihen në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.

“Pas pushimeve verore të fillojmë iniciativë për mbledhjen e 150.000 nënshkrimeve dhe të bëjmë prononcim referendumi të qytetarëve”, tha Mickoski.

Në periudhën e kaluar nga fillimi i korrikut e deri më tani në Shkup, para Qeverisë, Kuvendit dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme, u mbajtën protesta qytetare të mbështetura nga opozita me sloganin “Ultimatum, jo faleminderit”, të cilat theksuan pakënaqësi dhe kundërshtim ndaj propozimit francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë.

Si përmbledhje, në këtë situatë të marrëdhënieve politike në Maqedoninë e Veriut dhe mungesës së marrëveshjes mes qeverisë dhe opozitës për hapjen e Kushtetutës për përfshirjen e bullgarëve në të, është e paqartë se deri ku do të zbatohet protokolli i nënshkruar nga të dy vendet në praktikë. Sipas kësaj, liderët politikë bullgarë kanë thënë edhe më parë dhe tani se Maqedonia e Veriut nuk do të mund të fillojë procesin e negociatave me BE-në, derisa bullgarët nuk bëhen pjesë e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut.

Për kujtim, Maqedonia e Veriut ka marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE në vitin 2005, ndërsa rekomandimin e parë për fillimin e negociatave e ka marrë në vitin 2009, kur Komisioni Evropian rekomandoi për herë të parë se vendi është i gatshëm për negociata.

Shumë bllokime, një rrugë

Rruga e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së fillimisht u bllokua nga Greqia, prandaj vendi ndryshoi emrin e tij kushtetues nga Maqedoni në Maqedonia e Veriut me Marrëveshjen e Prespës të nënshkruar në qershor të vitit 2018 nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara. Më pas pasoi bllokada e Francës në vitin 2019, e cila kërkonte ndryshimin e metodologjisë për negociatat e anëtarësimit me BE-në. Nga fundi i vitit 2020, procesi i integrimit evropian bllokohet nga vetoja bullgare, për shkak të kontestit rreth gjuhës dhe historisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın