Analizë

Kufizimi i shkëmbimit bërthamor: Vështrim nga afër i lojës së fundit luftarake të Pentagonit

Stërvitja e Pentagonit u përqendrua në përdorimin e raketave balistike me koka bërthamore W76-2 me rendimente të ulëta të lançuara nga nëndetësja (SLBM)

Can Kasapoglu   | 12.03.2020
Kufizimi i shkëmbimit bërthamor: Vështrim nga afër i lojës së fundit luftarake të Pentagonit

Stamboll

CAN KASAPOĞLU

Në shkurt të vitit 2020, Komanda Strategjike e SHBA-së zhvilloi një lojë luftarake, duke vlerësuar një shkëmbim të kufizuar bërthamor me Forcat e Armatosura të Federatës Ruse. Raportet e lajmeve sugjeruan se skenari i stërvitjes simuloi përdorimin e parë taktik të armëve bërthamore nga Moska në arenën evropiane, të ndjekur nga "një reagim amerikan i këtij lloji", shkruan Anadolu Agency (AA).

Stërvitja e Pentagonit u përqendrua në përdorimin e raketave balistike me koka bërthamore W76-2 me rendimente të ulëta të lançuara nga nëndetësja (SLBM). Në vençanti, Dokumenti i Rishikimit Bërthamor të SHBA-së për vitin 2018 nënvizoi planet e administratës Trump për të prodhuar një variant me rendiment të ulët të arsenalit ekzistues SLBM të tipit W76.

Koka bërthamore e prodhuar së fundmi bazohet në armën termonukleare W76 me përmasa prej rreth 90 kiloton (disa burime raportojnë 100 kiloton). Shkrimet e disponueshme mbi variantin W76-2 sugjerojnë se kokat e reja taktike bërthamore kanë një rendiment prej më pak se 10 kiloton (madje 5 kiloton sipas disa raportimeve), duke pretenduar se e bëjnë atë një "aset të fushëbetejës", një koncept i debatuar ushtarak, për të cilën shumë ekspertë të mos përhapjes do të shmangen, duke pretenduar se asnjë komb nuk mund të përmbajë një shkëmbim bërthamor të kufizuar ose në nivelin taktik.

- Të mendosh si gjenerali rus: Debatet mbi armët bërthamore jo strategjike të Rusisë

Një vështrim më i afërt në debatet politike, ushtarake perëndimore, veçanërisht amerikane, për armët bërthamore taktike ruse - ose "armët bërthamore jo strategjike" në leksikun ushtarak rus, tregon dy shkolla të ndryshme të mendimit.

Nga njëra anë, pikëpamja më optimiste konsideron se Rusia nuk mund të përballojë një konflikt bërthamor të kufizuar dhe Kremlini e ka kuptuar këtë realitet. Kështu, planifikuesit ushtarakë rusë nuk do të përdorin asnjë lloj opsioni bërthamor për një përfitim të zakonshëm.

Nga ana tjetër, pikëpamja më e kujdesshme i konsideron asetet bërthamore jo strategjike të Moskës, të cilat përbëjnë rreth 2.000 koka lufte, si pjesë përbërëse të planifikimit të saj ushtarak. Nëse është e vërtetë, kjo do të sinjalizonte një potencial shumë të rrezikshëm për çdo përshkallëzim në pjesën Ushtarake Perëndimore Ruse dhe në krahun lindor të NATO-s, si dhe në çdo tension Ruso-Kinez në lindje, veçanërisht duke pasur parasysh raportin e përparësive të forcave të Ushtrisë Popullore Kineze.

Shkrimet perëndimore përqendrohen në dy skenarë kryesorë jo-strategjikë rus të përdorimit të parë në Evropë.

E para vërtitet rreth një sulmi të kufizuar bërthamor në formacionet e vendosura sulmuese të NATO-s në krahun lindor, me një uverturë të një konflikti të armatosur spiral për të fituar me shpejtësi epërsinë.

Skenari i dytë eksploron perspektivat e një demonstrimi të sulmit nga rusët, duke synuar të mos shkaktojë viktima, por të pengojë mobilizimin e gjithanshëm të NATO-s. Për ironi, kjo e fundit nënkupton një "de-eskalim" të konfliktit konvencional sipas pikpamjes së komunitetit strategjik rus.

Skenarët e rrezikshëm në këtë kontekst

Kur dhe në cilat rrethana Forcat e Armatosura të Federatës Ruse do të përdorin armë taktike në një situatë konflikti?

Stërvitjet e mëdha ushtarake ruse kanë portretizuar një karakter të theksuar bërthamor për të cilin ende flitet. Që nga "Zapad-i" (Perëndimi) i vitit 1999 (stërvitja kryesore e planifikuar në pjesën perëndimore të vendit), Forcat e Armatosura të Federatës Ruse kanë simuluar përdorimin e parë bërthamor shumë herë. Kjo praktikë u shtri më vonë edhe në stërvitjet në Vostok (stërvitja kryesore e planifikuar në lindje). Për më tepër, skenarët bërthamorë rusë zhvillohen në një fushë misionesh shumë të gjerë, duke filluar nga përdorimi i aseteve me rendiment të ulët kundër një kërcënimi separatist deri tek sulmet masive bërthamore me raketa balistike ndërkontinentale (ICBM). Madje, edhe më të rrezikshme se kaq, në kulmin e fushatës hibride të luftës së Moskës në Ukrainë, Rusia zhvilloi një stërvitje masive bërthamore.

Doktrina e tanishme ushtarake ruse u publikua në vitin 2014. Sipas dokumentit strategjik, Moska mund të përdorë opsionin bërthamor kundër një agresioni bërthamor ndaj çdo pjese të territorit rus ose aleatëve të saj si dhe për hakmarrjen ndaj një kërcënimi të vazhdueshëm konvencional i cili mund të kërcënojë në thelb ekzistencën e shtetit. Kjo e fundit mbetet thelbësore pasi jep pëlqimin për një reagim bërthamor kundër agresioneve konvencionale.

Planifikimi aktual i mbrojtjes ruse parashikon tre shtresa gjeografike të luftës (lokale, rajonale dhe në një shkallë të gjerë). Në literaturë, sipas shpjegimit rus të konflikteve lokale përfshin përdorimin e kufizuar të aftësive luftarake dhe armëve jo-bërthamore, luftërat rajonale, të cilat mund të përkeqësohen nga konfliktet lokale, mbeten ndërshtetërore si të tilla dhe mund të kërkojnë aftësi bërthamore. Më në fund, luftërat në shkallë të gjerë shkojnë përtej konflikteve të armatosura rajonale, kështu që ato mund të shkaktojnë shkëmbime masive bërthamore. Nëse ka një vend me kapacitete bërthamore jo strategjike, kjo sipas shkollës gjeo-strategjike ruse përshkruhen si luftëra rajonale.

Nëse vjen lufta

Sipas vlerësimeve kryesore të Agjencisë së Inteligjencës Amerikane të Mbrojtjes, të burimeve të hapura të inteligjencës ushtarake, për forcën ushtarake të Moskës, "ushtria ruse sot është në rritje - jo të njëjtë si forcat sovjetike që u përballën me Perëndimin në Luftën e Ftohtë, e mbështetur në njësi të mëdha me pajisje të rënda, por si një forcë më e vogël, më e lëvizshme, e ekuilibruar me shpejtësi duke u bërë e aftë të zhvillojë gamën e plotë të luftës moderne. Kjo është një ushtri që mund të ndërhyjë në vendet përgjatë periferisë së Rusisë ose edhe më larg si në Lindjen e Mesme. Ushtria e re ruse është një mjet që mund të përdoret për të mbështetur ambiciet e deklaruara të Moskës për të qenë një forcë udhëheqëse në një botë shumëpolare”.

Në linjë me vlerësimin e mësipërm, disa raporte të lojërave luftarake të përgatitura nga Korporata RAND konkludojnë se ushtria ruse, falë epërsisë së zonave ushtarake lokale perëndimore mbi forcat e NATO-s në afërsi të saj, mund të arrijë në periferi të kryeqyteteve baltike në më pak se tre ditë.

Për sa i përket CONOPS, Forcat e Armatosura të Federatës Ruse, shkëlqejnë për nga mobilizimi i një numri dërmues të trupave brenda një kohe të shkurtër, duke përfituar mbi dilemat politiko-ushtarake kur kalojnë nga gjendja e paqes në gjendje lufte dhe duke zhvilluar manovra të armëve të kombinuara në shkallë të gjerë. Zonat ku nuk lejohet qasja në arsenalin strategjik të armëve të Rusisë, së bashku me përparësinë kritike të Moskës në luftën elektronike, mund t'i japin forcave tokësore të Kremlinit kohë të mjaftueshme për të kryer një sulm.

Reformat e mbrojtjes në epokën e Putinit kanë vendosur një shtab shtesë operacional (në nivelin e ushtrisë dhe korpusit) sipas rendit doktrinor të ushtrisë ruse të betejës në perëndim dhe jug. Ky përmirësim do të siguronte një organizim më të mirë për divizionet dhe brigadat gjatë ndërmarrjes së ofensivave. Ndërkohë, VDV (Trupat Ajrore), duke qenë forca rezervë strategjike e presidentit rus pa asnjë varësi tjetër si dhe formacionet elitare Spetsnaz, kanë rritur fuqinë e tyre.

Vitet e fundit, Moska ka treguar një interes më të madh për kontraktorët privatë, siç është Wagner Group, i cili mund të përkthehet në aktivitete më të mira "të luftës hibride" në një zonë gri që është në pragun e luftës. Në fund, ekspedita siriane dhe operacionet në Ukrainë kanë ofruar një përvojë të paçmuar dhe leksione për planifikuesit ushtarakë rusë. Në përgjithësi, Rusia në vitin 2020 do të vazhdojë të jetë një aktor i fuqishëm ushtarak me ambicie dhe aspirata gjeopolitike.

Por, për sa i përket mungesave? Për shkak të situatës së paqëndrueshme ekonomike të vendit si dhe duke mbetur prapa në dixhitalizim, rusët nuk mund të ballafaqohen me aftësitë perëndimore C4ISR (komanda, kontrolli, kompjuterët, komunikimet, inteligjenca, mbikëqyrja, zbulimi). Kjo pengesë do të përkthehej në mënyrë të pashmangshme në mangësi kritike në luftën e rrjeteve.

Që nga fundi i Luftës së Ftohtë, shumica e vendeve të NATO-s nuk kanë investuar në aftësi të kombinuara në shkallë të gjerë. Në rast se Kremlini zgjedh testimin e kohezionit aleat, ajo duhet ta bëjë këtë duke përdorur faktorin e befasisë. Rusia është e aftë të zotërojë paqartësitë në zonën gri kur të kalojë në gjendje lufte. Pastaj me shpejtësi, Moska duhet të de-eskalojë konfliktin përpara se të shndërrohet në një luftë të shkallës së gjerë. Sepse, në një afat më të gjatë, burimet strategjike të NATO-s do të tejkalojnë ato të ushtrisë ruse. Nëse planifikuesit rusë të mbrojtjes përcaktohen në një moment për përdorimin e parë të kufizuar bërthamor, kjo do të ndodhte gjatë ndërrimit kritik midis një lufte rajonale dhe një lufte në shkallë të gjerë.

Pikërisht në këtë pikë, loja e fundit luftarake e Komandës Strategjike të SHBA-së përafrohet shumë. A do të shkonte me të vërtetë SHBA për hakmarrje taktike bërthamore kundër përdorimit të armëve bërthamore jo strategjike të Rusisë gjatë një agresioni ndaj një aleati të NATO-s? A mundet që palët ndërluftuese të përballojnë një shkëmbim bërthamor në nivelin taktik për të de-eskaluar në një konflikt të armatosur, ose pasi djalli të dalë nga shishja, a do të ishte i pashmangshëm një Armagedon bërthamor? Siç ka thënë Hamleti; kjo është çështja ...

(Autori i shkrimit është drejtor i programit kërkimor të sigurisë dhe mbrojtjes të qendrës think-tank EDAM me seli në Stamboll)

* Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të Anadolu Agency.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.