Analizë

Italia po shqyrton një "largim të qetë" nga projekti kinez Brezi dhe Rruga

Duket se kryeministrja Meloni është e gatshme të vendosë për daljen nga iniciativa globale kineze e infrastrukturës, por mund të japë diçka në këmbim, thonë analistët

Giada Zampano  | 11.09.2023 - Përdıtësım : 13.09.2023
Italia po shqyrton një "largim të qetë" nga projekti kinez Brezi dhe Rruga

Romë

Italia po kërkon një mënyrë për t'u larguar nga Iniciativa kineze Brezi dhe Rruga pa prishur marrëdhëniet e saj me Pekinin, pasi gjigandi aziatik mund ta shohë këtë si minim të ambicieve të saj ekonomike globale, shkruan Anadolu.

Duke konfirmuar synimet e saj, Roma i është bashkuar një projekti që është pjesë e Partneritetit për Investime në Infrastrukturë Globale (PGII), një nismë e udhëhequr nga Perëndimi për financimin e projekteve të infrastrukturës në gjithë botën.

PGII përfshin Korridorin e ri Ekonomik Indi-Lindje të Mesme-Evropë (IMEC), i cili u zbulua gjatë samitit të G20-ëshit në New Delhi në fundjavë, dhe shihet si një kundërmasë ndaj iniciativës kineze.

Qeveria e djathtë e kryeministres Giorgia Meloni ka thënë hapur se po shqyrton daljen nga marrëveshja e nënshkruar me Kinën në vitin 2019, kur Italia tronditi partnerët amerikanë dhe evropianë duke u bërë vendi i parë i G7-shit që i bashkohet Iniciativës Brezi dhe Rruga, projekti më i madh i infrastrukturës globale.

Në kuadër të iniciativës, bankat dhe kompanitë kineze kanë financuar dhe ndërtuar gjithçka, nga termocentralet, hekurudhat, autostradat dhe portet tek infrastruktura e telekomunikacionit, kabllot me fibra optike dhe qytetet inteligjente në mbarë botën.

Me memorandumin e saj pesëvjeçar të mirëkuptimit për rinovim në mars 2024, Italia duket e gatshme të tërhiqet nga marrëveshja pasi shprehu zhgënjimin me premtimet e paplotësuara të iniciativës.

Italia pritet të njoftojë deri në dhjetor nëse do t'i japë fund zyrtarisht pjesëmarrjes së saj në projektin historik kinez.

Sipas marrëveshjes, të dy palët pas pesë vjetësh mund të tërhiqen nga marrëveshja, përndryshe, partneriteti zgjatet edhe për një mandat tjetër pesëvjeçar. Italia ka afat deri në fund të vitit 2023 për të informuar Kinën nëse dëshiron t'i japë fund marrëveshjes.

A është dalja e afërt?

Meloni u takua me kryeministrin e Kinës Li Qiang të shtunën, në margjinat e samitit të G20-ëshit në New Delhi, ndërsa në tryezë u diskutua çështja e Iniciativës kineze Brezi dhe Rruga.

"Ka vende evropiane që në vitet e fundit nuk kanë qenë pjesë e Brezit dhe Rrugës, por kanë qenë në gjendje të krijojnë marrëdhënie më të favorshme (me Kinën) sesa kemi arritur ndonjëherë", tha Meloni gjatë një konference për shtyp në fund të samitit.

“Çështja është se si të garantojmë një partneritet që është i dobishëm për të dyja palët, duke lënë mënjanë vendimin që do të marrim për Iniciativën Brez dhe Rrugë”, shtoi ajo.

Meloni nuk zbuloi se cili do të ishte vendimi i saj përfundimtar, por ritheksoi se parlamenti italian është duke e vlerësuar situatën.

Ndërkohë, pjesëmarrja e Italisë në memorandumin e mirëkuptimit të nënshkruar midis Indisë, SHBA-së, Arabisë Saudite, BE-së, Emirateve të Bashkuara Arabe, Francës dhe Gjermanisë për krijimin e IMEC-së u pa si një lëvizje që konfirmonte daljen e saj të afërt nga Iniciativa Brezi dhe Rruga.

Në përgjigje të projekteve të infrastrukturës që po ndërmerren dhe financohen nga Kina në kuadër të iniciativës, G7-shi vendosi të paraqesë mekanizmin e vet alternativ.

IMEC po parashikohet si një rrjet korridoresh transporti, duke përfshirë linjat hekurudhore dhe linjat detare, që pritet të ndihmojë rritjen ekonomike përmes integrimit midis Azisë, Gjirit Arabik dhe Evropës.

Në anën e kundërt, në një përpjekje për të kapërcyer skepticizmin e Romës, Kina këmbëngul se Iniciativa Brezi dhe Rruga po "i jep frytet" në Itali.

Ministri i Jashtëm Wang Yi tha se bashkëpunimi me Italinë nën këtë iniciativë ka qenë pozitiv, ku produkte italiane me cilësi të lartë tashmë kanë hyrë në "mijëra familje" në Kinë.

"Miqësia mijëravjeçare e trashëguar nga Rruga e lashtë e Mëndafshit ka vazhduar", tha Wang gjatë një vizite të fundit në Romë.

Analistët theksojnë se Italia ka disa arsye për t'u tërhequr nga Iniciativa Brezi dhe Rruga.

Duke qenë se brenda një dekade pësoi tri recesione, Roma po kërkonte investime dhe zgjerimin e qasjes të eksporteve italiane në tregun e madh të Kinës.

Në atë kohë, shumë italianë ndiheshin të braktisur nga Evropa, ndërsa qeveria populiste e Romës ishte skeptike ndaj BE-së dhe me një gatishmëri të lartë të drejtohej nga Kina për të përmbushur nevojat e saj për investime.

Kina gjithashtu kishte arsyet e veta për ta joshur Italinë.

Vendi shërbeu si një terminal i madh përgjatë Rrugës së lashtë të Mëndafshit dhe përfshirja e Italisë në Brez dhe Rrugë i dha krah presidentit Xi Jinping të paraqiste iniciativën e tij të politikës së jashtme si fillimi i një epoke të artë të ndikimit kinez.

Të dy vendet kanë gjithashtu lidhje të gjata: Në Itali jeton popullsia më e madhe kineze në Evropë, ndërsa vendet ndajnë lidhje të thella tregtare në prodhimin e pëlhurave, artikujve prej lëkure dhe të tjera.

Ndërsa Kina synonte të rriste ndikimin e saj në Evropë dhe u përpoq të shfrytëzonte përçarjet midis Washingtonit dhe Brukselit, Italia u shfaq si pika më e volitshme e depërtimit.


- Faktori amerikan

Shenjat e para të qarta të synimit të Italisë për të dalë nga Brezi dhe Rruga erdhën kur Meloni u takua me presidentin Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë në korrik.

Në një deklaratë të përbashkët, të dy udhëheqësit nuk përmendën hapur tërheqjen e mundshme të Italisë nga marrëveshja.

Megjithatë, deklarata vuri në dukje se të dy udhëheqësit "riafirmojnë angazhimin e tyre për … forcimin e qëndrueshmërisë dhe sigurisë ekonomike, duke përfshirë përpjekjet … për të rritur vlerësimin tonë kolektiv, gatishmërinë, parandalimin dhe përgjigjen ndaj detyrimit ekonomik”.

Referenca e padeklaruar ishte pa mëdyshje drejt Kinës.

Disa ditë më vonë, ministri i Mbrojtjes i Italisë, Guido Crosetto, tha se vendimi i vitit 2019 i vendit për t'u bashkuar me Brezin dhe Rrugën ishte "i improvizuar dhe mizor".

Sipas Crosettos, qeveria e ish-kryeministrit Giuseppe Conte, lider i Lëvizjes populiste Pesë Yjet, kishte nënshkruar marrëveshjen duke pritur rritjen e eksporteve italiane në Kinë.

Në vend të kësaj, vuri në dukje ai, marrëveshja "çoi në një rezultat të dyfishtë negativ".

“Ne eksportuam një sasi portokalli në Kinë, ata trefishuan eksportet në Itali në tre vjet”, tha ai.

Mediat kineze dhe zëdhënësit e qeverisë kanë paralajmëruar për “ndikimet negative” të tërheqjes së mundshme italiane.

“Kina mund të përpiqet të ndëshkojë Italinë në disa mënyra. Në fund të fundit, është në të drejtën e vet për ta bërë këtë”, thotë Francesco Sisci, një sinolog, autor dhe kolumnist italian që jeton dhe punon në Pekin.

“Italia iu bashkua Iniciativës Brezi dhe Rruga me vullnetin e saj dhe askush nuk e detyroi. Në çdo rast, është koha e duhur që Italia të fillojë të ketë një politikë më të mirë, gjithëpërfshirëse dhe të arsyeshme ndaj Azisë, të cilën Italia nuk e ka pasur kurrë”, shtoi ai.

Regimi i BE-së

Vetë BE-ja e ka parë Iniciativën Brez dhe Rrugë si një sfidë serioze.

Në përgjigje të Brezit dhe Rrugës, ajo krijoi në vitin 2021 atë që e quajti Porta Globale, e përshkruar si "oferta pozitive e BE-së për vendet partnere në mbështetje të rezistencës dhe zhvillimit të tyre të qëndrueshëm".

BE-ja u zotua të investojë 300 miliardë euro midis viteve 2021 dhe 2027 në projekte që variojnë nga lufta ndaj ndryshimeve klimatike deri te shëndeti, energjia, transporti, infrastruktura dhe digjitalizimi.

Financat evropiane zbehen në krahasim me mbi 2 trilionë dollarët që Pekini ka derdhur në projekte ndërtimi jashtë shtetit dhe forma të ndryshme investimesh gjatë dy dekadave të fundit.

Megjithatë, Porta Globale do të thotë që BE-ja e kuptoi se me fjalë boshe asnjë vend nuk mund ta largojnë nga Brezi dhe Rruga.

Ekonomia në rënie e Kinës, e shkaktuar pjesërisht nga vendosmëria e presidentit Xi për të mbështetur ndërmarrjet joefikase shtetërore, po dëmton gjithashtu Iniciativën Brezi dhe Rruga dhe krijon një mundësi reale që Porta Globale të shërbejë si një alternativë e besueshme karshi përpjekjeve kineze.

Nëse BE-ja arrin të vazhdojë me zgjerimin e përpjekjeve të saj, ndërsa ekonomia kineze vazhdon të ngecë, ndoshta pjesëmarrës të tjerë të Iniciativës Brezi dhe Rruga do të ndjekin shembullin e Italisë dhe do të shqyrtojnë tërheqjen nga "projekti kryesor" i presidentit Xi i nisur me kaq shumë bujë një dekadë më parë.

Dalja e butë "shumë e ndërlikuar"

Megjithatë, analistët politikë thonë se do të jetë e vështirë për Italinë të gjejë një mënyrë "të butë" për t'u larguar nga marrëveshja pa dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme marrëdhëniet me Kinën.

"Shumë varet nga menaxhimi i çështjes", thotë Sisci, duke shtuar:

“Shumë është e ndërlikuar: Italia bëri gabime të rënda, ndërsa menaxhmenti i ardhshëm do të ketë nevojë për aftësi edhe më të larta dhe më të mira”.

Ai thekson se meqë edhe Amerika nisi iniciativën e saj, edhe vendet e tjera mund të kenë projektet e tyre.

“Atëherë Kina mund të dëshirojë të mendojë se për shkak të iniciativave të shumta kopjuese, ideja e Brezit dhe Rrugës ishte e mirë. Ose në vend të kësaj, për shkak të vështirësive për t'i bashkuar vendet e tjera të rëndësishme, mund të kuptojë se ka probleme në zbatimin e saj", përfundon ai.

Të tjerë kanë thënë se Meloni e di mirë se sa vendimtare është kjo tërheqje për SHBA-në dhe sa e rëndësishme është që Italia të jetë plotësisht në përputhje me qëndrimin e saj euroatlantik.

“Nga ana tjetër, Meloni është në mëdyshje. Në të vërtetë, presioni nga partnerët e saj të koalicionit euroaziatikë është rritur dhe një pjesë e konsiderueshme e komunitetit të biznesit italian e ka rrethuar atë për të mbajtur Brezin dhe Rrugën ashtu siç është dhe për të shmangur një hakmarrje kineze", ka thënë Francesco Galietti, themeluesi i think-tankut "Policy Sonar".

“Meloni ka vendosur të blejë kohë, por kjo është një lojë e rrezikshme. Pyetja e vërtetë është se çfarë do t'i ofrojë ajo Kinës në këmbim. Do të shohim se në cilën anë do të anojë baraspesha”, ka deklaruar Galietti.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.