Analizë

Institucionet saudite të kujdesshme ndaj dëshirave të princit të kurorës

Politikat e jashtme dhe të brendshme të Mohamed Bin Salman zhvillohen nën hijen e babait të tij të sëmurë duke shkaktuar valë të mëdha në institucionet saudite

Halil CELIK   | 20.03.2020
Institucionet saudite të kujdesshme ndaj dëshirave të princit të kurorës

Stamboll

Mohamed bin Salman (MBS), i cili u bë një super yll përmes një fushate të madhe me publikun pasi babai i tij Salman bin Abdulaziz Al Saud u bë mbreti i Arabisë Saudite në janar të vitit 2015, vazhdon të jetë temë kryesore përmes vendimeve dhe iniciativave që ai ka ndërmarrë që kur u bë princ i kurorës më 21 qershor 2017, shkruan Anadolu Agency (AA).

Marrja e vendimeve jetike dhe politikat e gabuara të bëra nga princi i ri i papërvojë, i cili ende nuk ka mbushur 35 vjeç, duke i shkuar për shtati dëshirave të tij, po shqetësojnë institucionet e vendit.

Kohët e fundit, MBS lëshoi ​​urdhër-arresti për arrestimin e më shumë se 20 princërve për "komplot", përfshirë xhaxhain e tij Princin Ahmed bin Abdulaziz, të cilin ai e sheh si rivalin e tij më të madh dhe kushërinjtë e tij Mohammed bin Nayef dhe Nawaf bin Nayef, trashëgimtarët e mëparshëm të fronit, duke ndjekur protokollin e ndyrë të liderit të paparashikueshëm të Koresë së Veriut, Kim Jong-Un, përplot me ekzekutime.

Në vitin 2013, Kim dënoi me vdekje dajën e tij, Jang Song-thaek, i cili atëkohë konsiderohej personi i dytë më i rëndësishëm në vend, për komplot. Gjithashtu, sipas BBC, ai ekzekutoi 15 zyrtarë të rangut të lartë me njësitin e pushkatimit në akuzën për sfidimin e autoritetit të tij.

Arrestimi i Princit Ahmed, të birin e monarkut-themeluesit të Arabisë Saudite, është një ngjarje e madhe më vete. Nëse kjo nxit një kundërpërgjigje, mund të rezultojë me një llogari të përgjakshme brenda familjes. Në vitet 1960, Mbreti Faisal gjithashtu organizoi grusht shteti kundër vëllait të tij Saud bin Abdulaziz, por shumica e anëtarëve të familjes e mbështetën këtë grusht shteti sepse Saud-it i mungonin aftësitë për të udhëhequr vendin.

Nga ana tjetër, është e vështirë të thuash se MBS gëzon të njëjtin nivel të mbështetjes nga familja sa që ai të ndërmarrë këtë hap strategjik të rrezikshëm dhe të rëndësishëm. Sigurisht, mbështetja e mbretit Salman nuk mund të injorohet, pasi ai po i hap rrugën djalit të tij. Por, urtësia e aprovimit të tij është e diskutueshme për shkak të problemeve të tij shëndetësore.

Është e sigurt se arrestimet e papritura të xhaxhait dhe kushërinjve të tij do të izolojnë më tej MBS, gjithashtu është e vërtetë se humbjen më të madhe do të pësojë regjimi aktual saudit, ndryshimet e qeverisë të së cilës deri më tani janë bërë gjithnjë brenda njëzëve nga familja. Ndërsa askush nuk mund të flasë për demokracinë, pasi vendi është një monarki absolute, jo e gjithë fuqia dhe autoriteti i familjes është përqendruar te sundimtari. Megjithatë, duket se MBS po përpiqet të shkatërrojë këtë traditë dhe të marë të gjithë autoritetin dhe pushtetin për vetvete.

- Princi Ahmed është i pakënaqur me politikat e nipit

MBS ishte i kujdesshëm ndaj xhaxhait të tij dhe mendoi se ai do të jetë pengesa kryesore në rrugën për t'u bërë mbret, pasi anëtarët kryesorë të familjes në pushtet donin që Princi Ahmed të drejtonte Këshillin e Aleancës. Të qenit drejtuesi i një organizate kaq të rëndësishme do t'i jepte Ahmedit shumë ndikim. Duke gëzuar respektuar nga rrethi i tij i ngushtë, ai ende nuk është zotuar për besnikëri ndaj MBS dhe në përgjithësi është i pakëndshëm me politikat e nipit të tij.

Në të vërtetë, politikat e jashtme dhe të brendshme që MBS i ka sajuar nën hijen e babait të tij të sëmurë dhe mospërputhja me princin e kurorës së Abu Dabit, Mohamed bin Zayed al-Nahyan, po krijojnë shqetësime të mëdha midis drejtuesve të nivelit të lartë të selisë saudite, e cila ka një traditë 100-vjeçare të qeverisjes.

Në artikullin e tij të fundit të 14 marsit të titulluar 'Mësimi i Lidershipit', Abdullah bin Abdulkerim Sadun, kolumnist në një nga gazetat më prestigjioze të Arabisë Saudite, arriti në përfundimin se udhëheqësit e së ardhmes duhet të vlerësojnë mendimet e këshilltarëve dhe ndihmësve të tyre dhe të jenë të edukuar të respektojnë punën kolektive dhe mendimin e shumicës. Ne nuk mund të themi nëse artikulli i Sadunit ishte frymëzuar nga zhvillimet e përmendura më lartë, por mund të argumentojmë se princi i kurorës nuk i është nënshtruar një trajnimi të tillë drejtimi, bazuar në vendimet politike, ekonomike dhe sociale që ka marrë dhe se po vendos të ardhmen e vendit të tij në rrezik.

Në thelb, MBS është duke ndërmarrë një rrezik të madh politik dhe ekonomik me retorikën e tij për shndërrimin e Arabisë Saudite në një fuqi globale si pjesë e vizionit të tij të vitit 2030 bazuar në zgjerimin e ekonomisë së bazuar në naftën e vendit dhe duke u përqendruar në burime të tjera të të ardhurave.

- Së pari pastrimi i rrethit të Mbretit Abdullah

Siç do të mbahet mend, rreth pesë muaj më pas MBS u bë princ i kurorës, ai arrestoi dhjetëra princër dhe ministra përfshirë Mutabin, djalin e mbretit Abdullah dhe miliarderin saudit Princin Al-Waleed bin Talal për javë me radhë në Hotelin Ritz-Carlton nën pretekstin e "luftimit të korrupsionit".

Disa sugjeruan se MBS kishte për qëllim të heshtte rrethin e mbretit të ndjerë dhe të shtypë përpjekjet e mundshme kundër tij. Më vonë, u publikuan disa shifra pas marrëveshjeve të fshehta që rezultuan se ata kishin braktisur një pjesë të madhe të pasurisë së tyre. Kështu, MBS jo vetëm që eliminoi konkurrencën e mundshme, por gjithashtu grumbulloi një buxhet shtesë prej 100 miliardë dollarë.

- Përpjekjet për të ndryshuar shoqërinë saudite

Shqetësimi më i rëndësishëm i MBS për klasën e dinastisë ishte sigurisht investimi i tij në industrinë e argëtimit. Arabia Saudite nuk kishte investuar kurrë sasi kaq të madhe të burimeve në argëtim para se MBS të bëhej princ i kurorës. Siç bëhet e ditur, në 10 vitet e ardhshme, 64 miliardë dollarë investime do të rrjedhin në industrinë e argëtimit në vend, ku kishte mbi 5.000 aktivitete të organizuara vetëm në vitin 2019. Shuma të mëdha shkuan për organizimin e koncerteve të artistëve të njohur ndërkombëtarisht pranë tokave të shenjta.

Vendimi i MBS për të ndryshuar përmbajtjen e librave shkollorë ishte një tjetër veprim i ashpër që dobësoi aleancën qeveritare të Ulemave. Përpjekjet e tij të përbashkëta me SHBA-të për të promovuar "Islamin e moderuar" kundër "Islamit ekstremist", sepse justifikoi se dhuna krijoi shumë shqetësime midis grupeve të Ulemasë dhe kishte një ndikim të fortë në familjen mbretërore. Për t'u mbuluar, ai arrestoi dhe burgosi ​​gati 400 dijetarë që ishin kundër politikave të tij, si Salman al-Ouda dhe Awad al-Qarni, duke i akuzuar ata për "Ihvanizëm" ndërsa shfrytëzonte dijetarët që mbështetnin politikat e tij si Abdul Rahman As-Sudais, Aid al-Qarni, dhe Saleh Al Maghamsi për të forcuar pozitën e tij.

Princi i ri i kurorës po mashtron Perëndimin përmes nismave për të drejtat e grave, përmes argëtimit dhe aktiviteteve sportive ndërkombëtare, për të pastruar rrugën drejt mbretërisë. Me këto veprime, ai është duke u përpjekur të forcojë pozicionin e tij brenda pallatit duke pastruar kundërshtarët e brendshëm dhe të jashtëm prapa skenave.

Nuk ka gjasa që skema e inxhinierisë sociale të MBS e realizuar nën direktivat perëndimore të fitojë pëlqimin e shoqërisë aktuale të Arabisë Saudite. Ndërsa grupet kundërshtare mbahen në paraburgim, ata që paralajmërojnë se shoqëria nuk mund të bëjë ndryshime kaq të shpejta dhe se duhet të përgatitet po përparojnë pak.

- Politikat ndaj Turqisë dhe Katarit

Ata që kanë ndjekur politikat rajonale të Arabisë Saudite mund të shohin se këto politika në përgjithësi kanë qenë të ekuilibruara deri në ardhjen e MBS. Marrëdhëniet midis Turqisë dhe Arabisë Saudite nuk kanë qenë kurrë aq të këqija sa tani, gjatë periudhës aktuale të MBS. Arabia Saudite ka qenë gjithmonë në pararojë për Turqinë dhe marrëdhëniet midis dy vendeve të forta mbetën pozitive.

Ne shohim se MBS ka shënjestruar drejtpërdrejt Turqinë dhe presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan, veçanërisht përmes mediave dhe së fundmi përmes Ulemasë në rrethin e tij, gradualisht që nga dita kur ai u bë princ i kurorës. Për shkak të qasjes së drejtë të Turqisë ndaj vrasjes së gazetarit të njohur, Jamal Khashoggi dhe qëndrimit të Turiqsë për Dohan gjatë vendimit të marrë nga katër vendet e gjirit: Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Egjipti, Bahreini në lidhje me bllokimin e Katarit, gati-gati u shpall luftë kundër Turqisë në media.

Mediat saudite, të cilat vepruan sikur të ishin zëdhënësit e organizatës terroriste të PKK-së gjatë operacionit të Turqisë "Burimi i Paqes" në veri të Sirisë, si dhe vepruan sikur të ishin organi transmetues i regjimit të Bashar al-Asad gjatë operacionit turk "Mburoja e Pranverës". Dyshja, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite ishin çdo kund për t'u përballur me Turqinë kudo që shkonte. Shembujt më konkret janë Libia, Somalia, Sudani dhe Siria.

Bllokada e Katarit përkeqësoi krizën midis shteteve të Gjirit dhe Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC), e cila humbi funksionin e tij. Politikat ndaj Turqisë dhe Katarit po e bëjnë seriozisht dinastinë saudite të padëshirueshme. Sigurisht, nuk është e nevojshme të jesh profet dhe të thuash se vrasja e gazetarit Jamal Khashoggi, i cili ishte i afërt i familjes mbretërore saudite dhe që u vra vetëm sepse kritikoi politikat e MBS, u prit me një reagim të madh në dinasti.

- "Marrëveshja e Shekullit" dhe përpjekjet për normalizim me Izraelin

Dëshira e vetme e Mbretit të Arabisë Saudite, Faisal, i cili luajti me kartën e naftës kundër vendeve perëndimore në luftën me Izraelin, ishte të falte dy rekate në Mesxhidi Al-Aksan e lirë. Megjithatë, sot Arabia Saudite, e udhëhequr nga MBS, hesht dhe lavdëron planin e presidentit amerikan Donald Trump për "Marrëveshjen e Shekullit", me çka eleminon çështjen palestineze, përmes mediave.

Normalizimi i marrëdhënieve me Izraelin është qëllimi kryesor i këtij procesi. Nisma e paqes e ndërmarrë nga Princi i Kurorës, Abdullah, bazuar në parimin e "normalizimit në këmbim të tokës", në vitin 2002 është hedhur në mënyrë efektive nga duart e vetë MBS. MBS duke hequr çështjen palestineze nga axhenda e tij dhe përpjekjet e bëra për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin janë ndër çështjet më të rëndësishme që kanë shkaktuar shqetësime të tilla brenda administratës saudite.

- Lufta civile në Jemen dhe sulmi mbi kompaninë saudite "Aramco"

Operacionet që MBS filloi kundër rebelëve Huthi të mbështetur nga Irani në Jemen në mars të vitit 2015 kanë hyrë në vitin e tyre të pestë dhe ato kanë evoluar me fiasko. Mijëra civilë janë vrarë në këto operacione, të cilat çuan që Huthit të shënjestrojnë pikat strategjike brenda Arabisë Saudite, përfshirë edhe kompaninë e naftës "Aramco".

Pika më e rëndësishme në rezultatet e dobëta të MBS ishte momenti kur Emiratet e Bashkuara Arabe tërhoqën trupat e tyre nga Jemeni, Arabia Saudite mbeti vetëm dhe Huthit u forcuan. Politikat aventureske të ndjekura nga trashëgimtari i ri përbëjnë arsyen kryesore për situatën në të cilën gjendet regjimi saudit, duke kërkuar të arrijë një marrëveshje me Huthit përmes Omanit.

- Vendimi për të rritur prodhimin e naftës

Ekonomia e Arabisë Saudite ka të ngjarë të marrë një goditje nga vendimi i MBS për rritjen e prodhimit të naftës për të dëmtuar ekonominë e Rusisë. Shpenzimet buxhetore do të ulen më tej në vend pasi çmimet e naftës (të cilat tashmë janë 30 dollarë për fuçi) dhe që vazhdojnë të bien ndërsa qeveria do të zbatojë masa të rrepta shtrënguese.

Buxheti vjetor ishte përgatitur ndërsa çmimet e naftës ishin rreth 70 dollarë për fuçi dhe tashmë ka një deficit prej 50 miliardë dollarë. Me fjalë të tjera, buxheti do të përjetojë rritje të deficitit, taksat do të rriten, do të ketë rritje të çmimeve, sektori privat do të dobësohet dhe shkalla e papunësisë do të rritet pasi disa projekte do të duhet të ndalen nën vizionin 2030.

Si përfundim, Arabia Saudite është një shtet shumë i madh që e ardhmja e saj të lihet në ambiciet personale të një trashëgimtari të ri që përpiqet të marrë të gjithë fuqinë dhe autoritetin. Vendi po kalon një transformim të madh që bie ndesh me vlerat e tij zyrtare dhe fetare. Arrestimet e fundit tregojnë se MBS nuk ishte në gjendje të krijojë një autoritet të plotë dhe është dashur të përdorë masa shtrënguese. Vendi po kalon periudha të vështira dhe shpresojmë që ai të mbetet i padëmtuar gjatë këtij procesi, me një luftë më efektive sesa ka shpallur kundër epidemisë së koronavirusit.

* Halil Celik është zëvendësredaktor në Departamentin e Përkthimit të Lajmeve në Lindjen e Mesme të Anadolu Agency

*Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të Anadolu Agency.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.