Analizë

Gjashtë muaj pas takimit në Al-Ula: A ka përfunduar vërtet kriza e Gjirit?

Tensionet vazhdojnë ende të thella midis shteteve të përfshira në krizën e Gjirit. Derisa është mbajtur me sukses nën kontroll, ndarjet e ngulitura thellë nënkuptojnë që një mosmarrëveshje e re mund të shpërthejë në të ardhmen

06.07.2021
Gjashtë muaj pas takimit në Al-Ula: A ka përfunduar vërtet kriza e Gjirit?

Stamboll

Nga Jonathan Fenton-Harvey

- Autori është studiues dhe gazetar i fokusuar në konfliktet dhe gjeopolitikën në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, kryesisht e lidhur me rajonin e Gjirit

Kur Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Mohammad Bin Salman përqafoi Emirin e Katarit Tamim bin Hamad al Thani në qytetin saudit Al-Ula më 5 janar, u rritën shpresat se kjo më në fund mund të përmirësonte marrëdhëniet e cenuara që kanë penguar prej kohësh unitetin e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC).

Megjithatë, gjashtë muaj më vonë tensionet vazhdojnë të jenë ende të thella midis shteteve të përfshira në krizën e GCC-së. Derisa është mbajtur me sukses nën kontroll, ndarjet e ngulitura thellë nënkuptojnë që një mosmarrëveshje e re mund të shpërthejë në të ardhmen.

Më 5 qershor të vitit 2017, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Egjipti dhe Bahrejni filluan një bllokadë ndaj Katarit dhe ndërprenë lidhjet diplomatike me shtetin e vogël të Gjirit.

Doha u akuzua për mbështetjen e "terrorizmit" dhe të katër vendet lëshuan një ultimatum prej 13 pikash që Katari të përmbushte brenda dhjetë ditësh, duke përfshirë mbylljen e mediave si Al Jazeera, dhënien fund të lidhjeve me Iranin, zvogëlimin e bashkëpunimit ushtarak me Turqinë dhe shkëputjen e lidhjeve të pretenduara me "grupet terroriste". Katari natyrshëm i hodhi poshtë kërkesat e tilla dhe ndarjet vazhduan mes përpjekjeve të pashpresa për të zgjidhur mosmarrëveshjet.

Këto mosmarrëveshje janë ulur pak, ndërsa Arabia Saudite, si dhe Egjipti, kanë marrë rolin udhëheqës në përmirësimin e lidhjeve me Katarin. Për bin Salman-in e Arabisë Saudite, inaugurimi i presidentit të SHBA-së Joe Biden i bëri presion drejt normalizimit të marrëdhënieve me Katarin, duke pasur parasysh që paraardhësi i Biden-it, Donald Trump, fuqizoi Princin e Kurorës të Riadit dhe e bekoi atë pa u ndëshkuar. Për më tepër, bllokada arriti rezultate të pafrytshme dhe solli pasoja negative diplomatike për Arabinë Saudite. Abdel Fattah al-Sisi i Egjiptit është në pozitë të ngjashme dhe po anon drejt shteteve të ndryshme ndaj të cilave Kajro ishte më parë antagoniste, duke përfshirë Katarin dhe Turqinë.

Derisa Riadi dhe Kajro kanë udhëhequr përpjekjet për të ringjallur lidhjet me Dohan, Abu Dhabi ka qenë hezitues. Idealet e ndryshme të rrënjosuara në Pranverën Arabe, përfshirë mbështetjen e Katarit për lëvizjet opozitare dhe qeveritë post-revolucionare, kundër mbështetjes së Emirateve të Bashkuara Arabe për aktorët autoritarë dhe kundër-revolucionarë, ende jetojnë. Një mungesë e shtrirjes gjeopolitike, e drejtuar kryesisht nga politika e jashtme e pavarur e Doha-s pasi doli nga hija e Riadit, të cilën Abu Dhabi u përpoq të frenonte, e ka zgjeruar më tej këtë mosmarrëveshje. Për më tepër, Bahrejni ka qenë gjithashtu më hezitues për të pranuar plotësisht Katarin, duke qenë se gjithnjë e më shumë ka qenë në anën e Abu Dhabit në çështjet rajonale.

Në të vërtetë, megjithëse Emiratet e Bashkuara Arabe e kanë paraqitur veten të gatshme për të ringjallur lidhjet me Doha-n, veçanërisht duke pasur parasysh bisedimet midis dy vendeve në muajt e fundit, kjo nuk duket se do të çojë në ndryshime të rëndësishme. Një pikë kyçe mund të jenë marrëdhëniet me Egjiptin, edhe pse Kajro ishte në anën e Abu Dhabit në bllokadën e Katarit.

Që nga janari, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë paraqitur veten si një ndërmjetës të mundshëm mbi mosmarrëveshjen e lumit Nil, në të cilën Egjipti dhe Sudani kundërshtojnë Digën e Madhe Etiopiane të Rilindjes (GERD) të Etiopisë me vlerë 4,6 miliardë dollarë. Derisa frika e Kajros dhe Kartumit mbi përfundimin e digës është përkeqësuar, ndërsa Etiopia planifikon të vazhdojë me fazën e dytë të mbushjes, Abu Dhabi ka propozuar iniciativa të ndryshme të ndërmjetësimit.

Sidoqoftë, zyrtarët egjiptianë kanë ndier se përpjekjet ndërmjetësuese të Emirateve të Bashkuara Arabe favorizojnë pak pozicionin e Etiopisë. Mbi të gjitha, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë dashur të forcojnë lidhjet me Etiopinë, duke e parë atë si një aleat kryesor për interesat e saj gjeostrategjikë në rajonin e Bririt të Afrikës.

Faktorë të tjerë mund të kenë çuar në një divergjencë të mëtejshme të lidhjeve midis Emirateve dhe Egjiptit, të tilla si mbështetja e dështuar e ofensivës së kryekomandantit Khalifa Haftar në Libi, e cila la të dy vendet të përpiqeshin të mbështesnin një udhëheqës të ri. Për më tepër, rivendosja e marrëdhënieve miqësore të Egjiptit me Turqinë këtë vit do të prishë më tej lidhjet, pasi Abu Dhabi ende mban armiqësi ndaj Ankarasë, pavarësisht se ajo tregon shenja të favorshme publike ndaj Turqisë, siç ka me Katarin.

Nga ana tjetër, Katari po ashtu ka siguruar mundësitë e ndërmjetësimit me Egjiptin. Në maj, Katari ofroi të ndërmjetësojë midis vendeve të Nilit përpara takimit të ministrit të Jashtëm të Katarit Mohammed bin Abdulrahman Al-Thani dhe homologut të tij egjiptian Sameh Shoukry më vonë atë muaj.

Egjipti pranoi ofertën e Katarit. Në fund, megjithë disa diferenca të vazhdueshme me Katarin në mes të përmirësimit të marrëdhënieve të tyre, Kajro është synon dëshpërimisht të sigurojë mbështetje ndërkombëtare për pozicionin e saj në digën e Nilit të Etiopisë, duke pasur parasysh se e sheh atë si një kërcënim ekzistencial për qasjen e saj në ujërat e Nilit.

Duke qenë se Katari ishte në gjendje t'i afrohej Egjiptit dhe të merrte një rol udhëheqës në përsëritjen e pozicionit të Ligës Arabe në mbështetje të qëndrimit të Egjiptit, kjo mund të shkaktojë antagonizëm të mëtejshëm të Emirateve ndaj Doha-s. Kjo madje mund të shkaktojë ndarje të mëtejshme midis Doha-s dhe Abu Dhabit diku tjetër në rajon, duke pasur parasysh se Emiratet e Bashkuara Arabe janë përpjekur të dobësojnë ndikimin e Katarit në Afrikën Lindore ndërsa kërkojnë të rrisin ndikimin e tyre.

Kudo në gjithë botën arabe, Katari i ka ofruar mbështetje Tunizisë edhe një herë, pasi ka caktuar një hua prej 2 miliardë dollarësh për Tunizinë në maj, pas një takimi midis Emirit të Katarit dhe kryeministrit tunizian Hichem Mechichi, që po ashtu çoi në vendosjen e marrëdhënieve më të forta në sektorë të ndryshëm. Duke qenë se Doha ka mbështetur partinë e butë islame Ennahda ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe kanë mbështetur figurat reaksionare për qëllimet e tyre për të prishur tranzicionin demokratik të Tunizisë, siç është përpjekur gjetiu në rajon, ky mund të jetë një tjetër burim i vazhdueshëm tensioni.

Natyrisht, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë ndjekur një politikë të jashtme ekspansioniste dhe të pavarur, duke kërkuar të kapërcejnë aleatin e tyre tradicional Arabinë Saudite, dhe kjo madje mund të mbjellë tensione midis Abu Dhabi dhe Riadit në të ardhmen. Kjo mund të shihet në luftën në Jemen, ku Emiratet e Bashkuara Arabe kanë mbështetur Këshillin Tranzitor Jugor separatist (STC) dhe kohët e fundit ka kërkuar të avancojnë ndikimin strategjik në ishujt e Jemenit, gjë që do të ishte vendimtare për ndikimin e tyre në Detin e Kuq .

Megjithëse Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë ende aleatë për momentin, marrëdhëniet e tyre përfundimisht disi mund të prishen nëse ata vazhdojnë të goditen për ndikimin e tyre.

Në përgjithësi, është e qartë se ndarjet janë lehtësuar përkohësisht, në vend që të përfundojnë plotësisht. Prandaj mund të jetë vetëm çështje kohe para se të shpërthejnë përsëri. Sidoqoftë, mund të jetë ndryshe këtë herë, duke pasur parasysh vizionin e ndryshëm të Emirateve të Bashkuara Arabe me Egjiptin dhe potencialisht Arabinë Saudite. Me gjasë nuk do të jetë kuarteti kundër Katarit, por politika e jashtme individuale e vetë Emirateve të Bashkuara Arabe mund ta bëjë atë rival me Katarin, ndërsa tensione të qeta mund të lindin midis Abu Dhabit kundër Kajros dhe Riadit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın